– me shkas –
Vetmia është ndër dukuritë më të rëndësishme dhe më të ndërliqshme të qenies së njeriut, që afrohet me dashurinë dhe vdekjen. Ajo lind, të thuash, bashkë me njeriun dhe e përcjell atë deri në mbarim të jetës. Pra, vetmia është e pranishme në tërë kohën e gjallimit të tij. Si e tillë ajo bëhet pjesë e pandashme e çdo mendimi dhe veprimi. Edhe atëherë kur mendojmë se s’kemi të bëjmë me të dhe duket se jemi larg saj, në të vërtetë jemi brenda saj, jetojmë në rrjetin e tundimeve ose të prehjeve që e cilësojnë atë. H. Hese ka thënë “Jeta është vetmi. Askush nuk e njeh tjetrin, çdo njeri është i vetëm”, ndërsa Hunter S. Thompson thotë se ne lindim vetëm, vdesim vetëm dhe kur një ditë e kthejmë kokën pas, pavarësisht miqve dhe shoqërive tona, kuptojmë se kemi qenë vetëm gjatë gjithë kohës. Fabricio Karamanja (Fabrizio Caramagna) veçantinë e vetmisë e shpreh përmes një mendimi të natyrës metaforike: vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjë breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë. Me pak fjalë, vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore, ku gjërat marrin jetë dhe bashkëjetojnë në mënyra të ndryshme. Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm dhe kur jemi të vetmuar. Ndërlidhet ngushtë me heshtjen dhe me qetësinë me të cilat është e ngjizur. Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme. Kur gërmohet në qenësinë dhe në fshehtësitë e saj, kur ia dalim të kuptojmë diçka nga ajo, atëherë për shumëçka njihet më mirë bota e njeriut dhe gjallimi i tij. Tek e fundit, Zoti a nuk na ka krijuar neve në vetmi? Vetmia është ndjenja më e qëndrueshmeve dhe më intime e njeriut, që përkundër tipareve të përbashkëta që ka tek njerëzit, te secili shprehet në mënyrë të veçantë dhe të papërsëritshme. Përngjan në lavdinë: duhet të mbahet gjithmonë nën përkujdesje, të mbahet në zapt për të mos marrë përmasa të mëdha, për të mos mbisunduar mbi dukuritë e tjera të njeriut për arsye se mund të shkaktojë pasoja. Vetmia dëshmon pafundësinë e pavarësisë, të lirisë dhe të gjallimit të qenies konkrete, është veprim, shtegtim që degëzohet pa mbarim, po gjithnjë ngjet e mbetet në botën e brendshme. Nëse ëndrra është një jetë pa dëshmitarë (sipas K. Tuholsi), vetmia e ka dëshmitarin, që mund të ndryshojë, të lëvizë, po gjithmonë është vetëm një. Brenda vetmisë vendoset shumëçka: përcaktohet e tashmja, pasurohet mendimi, përligjet talenti, përfytyrimi, përjetohet rrjedha e kohës konkrete, sidomos koha subjektive. Në qoftë se është thënë me të drejtë se “I lirë dhe i pasur është vetëm ai që mendon”(E. Boch), atëherë edhe vetmia e ngjiz në vete këtë cilësi: në të edhe “Libri i mirë është një pasuri e vërtetë që [...] shërben për mrekulli” (F. Haxug). Me qenësitë që i ka, vetmia ka zgjuar e do të zgjojë përherë interesimin e krijuesve të fushave të ndryshme, edhe të poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve. Sado që për vetminë e njeriut është shkruar, shkruhet e do të shkruhet, prapë së prapë gjithmonë do të kihet të thuhet edhe diçka tjetër për arsye se ajo lidhet me botën e brendshme të individit, me dukuritë e fshehta dhe me të panjohurat që ngjasin në shpirtin e tij, që përherë janë të ndryshme.
Enver IsufiFaleminderit për shkrimin mbi vetminë.
Vetmia mr dozat që ju këshilloni është dekantim i vlerave.Ajo i ndanë nga turbullirat.
Kur trajtoj temën e turizmit them se burimi tij është antivetmia
Njeriu ka pragram 16 orë që të mundë"8 orëshin e punës përditëshme."
FARMACIA E VETMISË
Dy farmani janë më të mira në botë
Puna dhe Shoqëria
Pa këto dy farmaci të mëdha sociale
Nuk shijon për së mbari
As Euro
As Dollari.
e.isufi
Fiqri Shahinllari Me pelqeu shkrimi I ketij autori qe. e lexoj per here te pare. Trsjtim filozofik I eshtjes I uroj Suksese te metejshem. SHKRIMIN e percolla ne faqen time te fsb
Vasil Vasili: VETMIA si dukuri është e të gjithëve dhe e dashuruar pothuajse nga të gjithë. Megjithatë shpesh ne njerëzit padrejtësisht, i vëmë frikën njëri tjetrit me vetmin duke e trajtuar ndonjëherë dhe si mallkim.Pothuajse të gjithë preferojmë të jetojmë të vetëm, por diçka na pengon ta përdor vetmin për dikë si urim.
Profesor Antoni, ju falënderoj nga zemra për penën tuaj. Urime!
Vasil Klironomi