top of page

VEPRA E HEROIT TË KOSOVËS


VEPRA E HEROIT TË KOSOVËS BAJRAM SALI GASHI NUK VDES

KURRË

Është në natyrën e panatyrshme të diktaturave, dhe kryesisht të asaj komuniste, që në vazhdën e tam - tameve të veta propagandistike, vlerësimet dhe qëndrimet ndaj njerëzve, ngjarjeve dhe fenomeneve, t`i falsifikojë sipas interesave të saj. Kështu ka ndodhur edhe me shumë figura të shquara atdhetare, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, që fati i keq historik më detyron, jo pa u skuqur dhe me zemër të coptuar, t`i përmend të veçuara edhe pse asgjë nuk i ndan dhe gjithçka i bashkon. Por atdheut tonë nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë ata burra të mençur e të ndershëm, qofshin historianë, politikanë apo shkrimtarë, pra intelektualë të mirëfilltë që ta ndriçojnë të vërtetën rreth rolit që ata kanë luajtur, sipas këshillës së Solomonit të urtë “Blije të vërtetën dhe mos e shit atë”. Marsel Prusti (Marcel Proust), nga ana e tij, kishte bindjen se koha kalon e s`e ndalim dot, por ajo fsheh brenda saj një të mirë të madhe, pasi pak nga pak gjithçka që është thënë si gënjeshtër, bëhet e vërtetë. Dhe pikërisht këtë bën me punën e tij hulumtuese e këmbëngulëse edhe miku ynë Bajram Halil Gashi, si me monografinë kushtuar atdhetarit hero Haki Taha, ashtu dhe heroit tjetër të bashkimit kombëtar Bajram Sali Gashit nga Uça e Istogut. Është një përkim domethënës se të dy këta djem të denjë të Kosovës, kanë shërbyer si mësues, pra përhapës të dijes, në Shënavlash të Durrësit, ku për vite me radhë i tillë ka qenë atje edhe vetë autori i librit. E kam përmendur edhe kur kam folur rreth librit të Bajramit për Haki Tahën në Gjakovë, se edhe vetë unë kam punuar për tre vjet në Shënavlash, ku i kam njohur kosovarët e vendosur atje. Ishin puntorë, të ndershëm e mjaft bujarë. Gjithmonë e kujtoj atë shikimin e përmalluar të të moshuarve që nuk e hiqnin kurrë plisin nga koka, kur flisnin për Kosovën. Sytë e tyre merrnin një ndriçim të veçantë kur kujtonin vendlindjen, ku ende vijonin vuajtjet dhe përbuzjet nga klika e Beogradit. Dhe ja, në këtë mjedis gjer atëherë ende të pandryshuar, i takoi të ushtronte detyrën fisnike të mësuesit Bajram Sali Gashi. Duke e gjykuar nga kujtimet e atyre që e patën njohur dhe që autori i librit me durim ka ditur t`i mbledhë, por edhe nga fotografitë që na kanë mbërritur, kushdo e kupton lehtësisht se Bajramit, mençuria, largpamësia dhe kultura i lexohej qysh në fytyrë. Le pastaj, se sa krenar dukej e sa atdhetari tregonte, ky burrë me pamje qytetarie perëndimore, plot sqimë e finesë, si të qe ndonjë intelektual i shquar i Parisit, Romës a Vjenës, kur vishte kostumin kombëtar, ashtu siç bënte beu i pavdekshëm Faik Konica ndërsa shkelte tokën e Amerikës. Autori i librit ka ditur me zgjuarsi të na e japë formimin e protagonistit të tij në ndërgjegjësim ndaj Kombit, duke na treguar mjedisin ku u rrit. Ai rridhte nga familja e njohur e Muzli Sylës, të shquar në luftrat për liri dhe që i kishin dhënë Atdheut vetëm në tre dekada, 21 dëshmorë. Babai i tij Saliu me të vëllanë Nezirin qysh para se të lindte Bajrami, kishin luftuar trimërisht me pushtuesit turq në krah të Isa Boletinit e më pas të Hasan Prishtinës, duke qenë edhe pjesëmarrës në “Mbledhjen e Junikut” e në 1912 si delegatë në shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali, si dhe në përkrahje të revolucionit demokratik të Nolit, gjersa Neziri ra në fushën e betejës. Gjithmonë burrat e atij fisi ishin dalluar si prijësa popullorë në luftrat për liri e bashkim kombëtar. Bajrami vetë ishte shkolluar në “Internat Kosova” në Krumë, që me të drejtë është quajtur “vatër e shqiptarizmit”, pasi atje kishte mësues që kujtohen edhe sot e kësaj dite, dhe se në të mësuan figura që luajtën një rol të rëndësishëm në fatet e vendit si Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Xheladin Beqiri, Veli Deva, Ymer Pulaj, Beqir Ndou etj. Me rezultate të shkëlqyera, Bajramit i jepet e drejta të vazhdojë studimet në Konviktin “Malet tona” në Shkodër dhe më tej në gjimnazin shtetnuer dhe për mësuesi në Normalen e Elbasanit. Emërimi si drejtor në shkollën e Shënavlashit ishte fat për Bajramin i cili mbante me vete gjithmonë si talisman, dheun që kishte sjellë nga vendlindja e tij, pasi aty ai gjeti plot kolegë me vlera intelektuale dhe atdhetare. Përveç Hakiut e të tjerëve, aty ishte Nafija që u bë shkak të njihej dhe të krijonte miqësi me poetin kombëtar Lasgush Poradecin, me të cilin qe fejuar dhe zemra e të cilit ka rrahur përherë vrullshëm për Kosovën. I madh dhe i vogël e donte Bajramin këtu, por ngjarjet politike në Shqipëri morën një kthesë të papritur dhe njeriut të detyruar nga rrethana i duhet të marrë disa vendime jo të lehta. Pas 7 prillit të vitit 1939, pra pas pushtimit të vendit tonë nga Italia dhe bashkimit të kurorave, Bajrami pranon detyrën e federalit, fillimisht me qëllimin që t`i gjendej popullit pranë në situatën e re. Më vonë vijuan disa zhvillime që askush nuk i kishte menduar: po bëhej realitet ëndrra e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, po lindte e keqja e madhe, komunizmi i cili e kishte treguar veten fare mirë me ato që kishin ndodhur në Bashkimin Sovjetik, ku krimi masiv nuk njihte asnjë arsye, dhe në formacionet partizane që askush nuk mund t`ua mohojë luftën për çlirim, drejtimin e kishin marrë emisarët serbë, armiqtë e përhershëm tanët dhe që nuk kishin ndërmend t`ia jepnin ndonjëherë Kosovën Shqipërisë. Për më tepër, ata duke futur në kurth dhe komunistët tanë, nisën masakrat më të egra ndaj popullit kosovar. Këto që i vërtetoi koha dhe plot të tjera, ishin arsyet pse Bajram Sali Gashi u shndërrua në kundërshtar i tyre dhe rrëmbeu pushkën në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe të lajmotivit që nderon çdo shqiptar: “Kosova andrra e jetës sime”. Po ashtu, sapo pa se italianët bashkëpunonin me çetnikët e vojvodës Pavle Gjurishiqi etj. kundër kosovarëve, dha menjëherë dorëheqjen edhe nga detyra e federalit. Pastërtia e idealeve të tij del e qartë si drita e diellit qoftë në veprimet, qoftë në fjalimet që mban, ashtu edhe në zgjedhjen e tij si delegat në “Lidhjen e Dytë të Prizrenit”, gjersa duke luftuar si trim, ra për të mos vdekur kurrë atje në Vojdullë në 8 shkurt të vitit 1943. E ka thënë me mençuri Xhejms Madisoni se “Çdo brez duhet të mbajë barrën luftrave të tij, në vend që ta kalojë atë në kurriz të brezave të tjerë”. Dhe autori Bajram Halil Gashi me urtësi dhe paanësi ka ditur t`i shpjegojë mësë miri këto momente që vlejnë edhe për pastrimin nga çdo hije dyshimi jo vetëm të Bajramit që nuk ju nda epiteti federal, por edhe të shumë burrave e politikanëve kosovarë të asaj periudhe. Deri në vitin 1948, kur miqësia shqiptaro - jugosllave u shua sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë, mbi figurën heroike të Bajramit dhe veprën e tij, u hodh pafund baltë. Edhe më pas, çuditërisht, kjo baltë vazhdoi ta mbulonte atë dhe nuk dhanë rezultat as përpjekjet e familjarëve të tij. Këtu mori përparësi jo vetëm ideologjia aq e ngjashme mes dy partive komuniste, por edhe shpirtvogëlsia e natyrës njerëzore të cilën Edgar Allan Poe e ka përcaktuar: “Përgojimi i një njeriu të madh është mënyra me të cilën një njeri i vogël rreket të arrijë madhështinë”. Por në sytë e popullit të mençur të Kosovës, besoj se kjo barrierë dashakeqësie tashmë është kapërcyer dhe rol luajnë edhe libra me të vërteta si ky që promovojmë. Veç historia nuk ka për mision vetëm të na japë saktësisht atë që ka ndodhur; nga ajo më shumë vlejnë mësimet që dalin prej saj. Bajrami qysh herët i referohej Lahutës së Fishtës dhe ju e dini se si e stigmatizonte ai jo vetëm Serbin, por edhe Evropën që na kishte bërë aq poshtërsi e padrejtësi. E pra askush të mos bëjë sikur nuk e kupton se diplomacia evropiane ende noton në ujrat e ndënjura që mbajnë erë të keqe të po asaj politike e cila djallëzisht kërkon ta marrë me të mirë e ta përkëdhelë Serbinë, duke i bërë lëshime pas lëshimesh asaj. Atë vend për të cilin autori evokon fjalët e Lasgushit nga kujtimet e të ndjerës Meri Lalaj se “serbi ka qenë dhe do mbetet armiku i përjetshëm i shqiptarëve”. Burra si Bajram Halil Gashi e kanë ditur me kohë se bashkimi do të vijë vetëm nga ne shqiptarët dhe asnjëherë nga të huajt, prandaj të jemi me një zë dhe të mobilizojmë të gjitha forcat morale e fizike për të mos i lejuar të tjerët të na tërheqin zvarrë. Dhe do ta mbyll fjalën time rreth librit të mikut tim Bajram Halil Gashi me fjalët që i drejtoj zotit Gabriel Eskobar te libri im i botuar tash së fundi me titull “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët”, ku them: se problemi i Kosovës nuk zgjidhet as me urdhra, as me kërcënime e as me sanksione dhe “Mos harroni se kur atje te ju nuk kishte këmbë evropiani, Dardania jonë i dha Romës e Bizantit sa e sa perandorë emërmëdhenj që bënë histori”. Fjalët lapidare të Bajram Sali Gashit në Podgur se “Partia jonë është Shqipëria Etnike... Do të luftoj për vendin tim, ku kanë lindur e jetuar të parët tanë... Do të luftoj për bashkimin e trojeve shqiptare dhe ribashkimin e popullit tim, deri ku i thonë bukës bukë e ujit ujë”, janë më aktuale se kurrë. Lavdi trimave që dhanë jetën e tyre për qëllime kaq të larta!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page