VEPËR QË I NDRIÇON THELLËSISHT RRJEDHAT POLITIKE




ANTON NIKË BERISHA



VEPËR QË I NDRIÇON THELLËSISHT RRJEDHAT POLITIKE NË KOSOVË DHE RËNDËSINË E SHUMËFISHTË TË IBRAHIM RUGOVËS SI UDHËHEQËS PAQEDASHËS


Ai megjithatë ka shkruar, përveçse nëpër libra, disa nga faqet më të rëndësishme të historisë së Ballkanit në kohët e fundit, për vendin e tij, Kosovën. Në këtë Ballkan që nuk do ta mohojë dot veprën e jashtëzakonshme të realizuar prej tij. Jean Yves Carlen & Stève Duchêne & Joël Erhart

Një vepër për shumëçka e rëndësishme

Libri “Ibrahim Rugova, vigani i brishtë i Kosovës” i autorëve francezë Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart dëshmon mirëfilli dy dukuri të qenësishme. E para: Figura e Ibrahim Rugovës si udhëheqës politik vështrohet e ndriçohet në mënyrë sa të gjithanshme, aq dhe të thellë. Autorët kanë përdorur një varg të dhënash e faktesh të rëndësishme për të shprehur rrjedhën e jetës politike në Kosovë në kohën kur Ibrahim Rugova ishte kryetar dhe udhëheqësh politik dhe shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës përballë dhunës dhe terrorit shtetëror që bënte Serbia për ta mbajtur të nënshtruar dhe të kolonizuar Kosovën. Ata përqendrohen sidomos në figurën e Ibrahim Rugovës si udhëheqësh i urtë dhe liridashës, që dukuritë i vështronte përtej kontekstit konkret kohor, pra për vizionin e tij për një shtet demokratik të Kosovës si dhe për një demokraci të mirëfilltë në shtetet e Evropës Juglindore, ku me shekuj mbretëruan hasmëritë, urrejtjet, lakmitë për ta nënshtruar tjetrin, për t’ia marrë pasuritë dhe për ta bërë shërbëtor. Edhe ata që i njohin mirë rrjedhat politike në Kosovë para vitit 1992 e sidomos nga koha kur Rugova (përmes zgjedhjeve të para të lira në Kosovë) zgjedhet kryetari i parë i Republikës, do të mahnitën me njohjen e thellë e të gjithanshme të rrjedhave politike e shoqërore të Kosovës dhe të shteteve të Ballkanit, sidomos të politikës së Serbisë që dëshmojnë autorët francezë të kësaj vepre. Pra, përmes këtij libri jo vetëm francezët dhe perëndimorët e tjerë u njohën për të vërtetën e mirëfilltë të politikës në Kosovë në periudhën e përmendur, po edhe vetë shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi. Autorët Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart të pangarkuar nga nacionalizmat ballkanikë, pa anuar nga asnjëri popull dhe asnjëra palë, pra të liruar nga interesat dhe mitet ballkanike që përherë e mjegulluan të vërtetën, duke çuar ujë në mullirin e tyre nacionalist, por duke i hulumtuar rrënjët historike të politikës së shteteve të Ballkanit dhe duke i analizuar shkaqet konkrete që nxitën krijimin e një gjendjeje të tillë të dhunës dhe të konflikteve, ndriçojnë në mënyrë të qartë e të argumentuar gjendjen politike. Evropa nuk mundet ta shpërfillë veprën mbresëlënëse njerëzore dhe politike të Rugovës

Në librin e tyre për shumëçka të veçantë dhe të rëndësishëm autorët e përmendur përqendrohen sidomos në personalitetin e Ibrahim Rugovës, i cili nga çasti kur u themelua Lidhja demokratike e Kosovës (më 23 dhjetor 1989) dhe u zgjodh kryetar i saj, zbatoi një politikë paqësore, gjakoi që në politikën e Siujdhesës Ballkanike të mbretërojë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe ndihmesa e ndërsjellë për një përparim të dinjitetshëm e dobiprurës. Në të vërtetë, Rugova zbatoi një politikë që për shtetet e Ballkanit ishte e panjohur; ajo ishte jo vetëm kundërvënie e konflikteve dhe e dhunës, po dhe shmangie nga lufta. Alternativa politike dhe shoqërore e tij ishte krijimi i një realiteti tjetër, që lidh qëllimin me mjetet. Qëllimi ishte arritja e lirisë dhe demokracisë, dhe mjetet ishin që i përligjin pikërisht këto vlera. Pra, ishte një politikë e urtë si domosdo e mbijetimit dhe e bashkërenditjes së popujve dhe të shteteve për mirëqenie të përbashkët. Rugova i dinte pasojat e konflikteve e të urrejtjeve që kishin ndodhur në të kaluarën, prandaj përmes një politike tjetër, të mbështetur në paqe e mirëkuptim, të hapte shtigje të reja që do të mundësonin një përparim për të gjithë popujt, pa marrë parasysh numrin e tyre dhe të kaluarën e tyre. Sipas autorëve të librit që po i paraqitet lexuesit shqiptar Rugova ishte mishërim i fuqisë demokratike dhe i një pasurie shpirtërore që gjakonte paqen dhe mirëqenien midis njerëzve dhe popujve jo vetëm të Ballkanit. Duke e ndriçuar thellësisht politikën paqedashëse të Rugovës, autorët theksojnë se Kosova vuan pasojat e dhunës së përditshme thellësisht të strukturuar; shpesh tinëzare dhe krejt të papritur të Serbisë. Pra, në Kosovë shtypja është e mirëmenduar dhe e pandalshme, po e mbetur për shumë kohë krejtësisht e shpërfillur nga bota. Thuajse dy milionë njerëz jetojnë në një situatë aparteidi: shkollat zyrtare janë të ndara vetëm për serbët, spitalet janë mbyllur për shqiptarët, shërbimet publike janë zbrazur nga funksionarët e tyre dhe punonjësit janë hequr nga puna. Politika e dhunës dhe e shtypjes që shteti i Serbisë e zbaton në Kosovë, dëshmon se Ballkani përsëri është kredhur në atmosferën e një tragjedie të lashtë, ku dhuna bëhet pjesë e një cikli të vazhdueshëm. Kështu, rreth politikës së udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviqit, ata theksojnë: “Nga herë ai kishte besuar vetëm në dhunën”. Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart kanë depërtuar në thellësinë e politikës serbe, jo vetëm ndaj Kosovës, ndaj republikave të tjera të ish Jugosllavisë, po dhe të vetë serbeve: “Për shkak të mungesës së ndonjë medie të madhe kombëtare të pavarur, asnjëherë nuk do t’i jepej popullit serb mundësia për të pasur mendimin e vet.” Nga vështrimi dhe argumentet që autorët sjellin del se Ibrahim Rugova nuk është një udhëheqës politik si gjithë të tjerët: në Ballkanin që ka përjetuar dhunën më të egër, po është frymëzuesi i një qëndrese të padhunshme, krejtësisht risi për Evropën. Kjo lëvizje e njëzëshme mishërohet nga një njeri që nuk synon të ngadhënjejë në luftë, por të fitojë paqen. Ai njihet si njeri me karakter të hapur, i kthjellët dhe tolerant. Tepër i zjarrtë në mbrojtjen e identitetit shqiptar, ai bën pjesë në intelektualët që mendojnë kthjellësisht sipas vlerave evropiane: ai është një demokrat i mirëfilltë. Rugova cilësohet me një liri mendimi dhe me mendimet në ndryshim e sipër që synojnë të heqin qafe dogmat kulturore për të krijuar forma të reja të shprehuri dhe shpërfaqje; një mënyrë të menduar hulumtuese që, për t’u bërë i mirëfilltë, nuk ngurron të thyejë tabu. Personalitetin dhe veprimin e Rugovës autorët francezë e vështrojnë përmes shpirtit liridashës që e cilësoi popullin shqiptar nëpër rrjedhë të kohëve. Gjithë kjo ndërlidhet dhe me ndërgjegjen kombëtare të ngritur mbi bazën e trashëgimisë kulturore, shpirtërore e historike; domosdonë e qëndresës në kushte të jashtëzakonshme po dhe vazhdimësinë e ndërtimit dhe të pasurimit të kësaj ndërgjegje mbi parimin e nderimit të tjetrit, si thuhet në Bibël: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39). Me fjalë të tjera, qëllimi i Rugovës ishte krijimi i një shoqërie larg miteve, larg shpifjeve, mashtrimeve e hasmërive, po kthimi nga vetvetja, lirimi nga ngarkesat vetjake dhe zhvillimi i një frymëmarrje demokratike n