Vend i dhunshëm


Ilir Levonja


Sa herë që përpiqesh t'i qasesh Shqipërisë, ndjen se nuk ngopesh me frymë. Eshtë një kohë absurde, ngjyrë gri, me pluhur dhe normal që mungon oksigjeni, normal që nuk ka se si të ngopesh me frymë. Eshtë një kohë makute por që njerëzit e vallëzojnë me qejf aq sa edhe pandemisë ia kanë hedhur me tangarllëkun duke i mbajtur maskat në gushë. Me maska në gushë intervistojnë, me maska në gushë ecin, kuptohet kush e posedon, me maska në gushë komunikojnë kur janë nën hije, në një tavolinë bistroje etj. Dhe kur një gazetare e pyet një kalimtar në rrugë në lidhje me maskën dhe distancimin social, ai si kapadai i përgjigjet, ça virusi? Ku është virusi? Eshtë një zagushi e tmerrshme na dallon së largu e na bën ishull. Jemi mendje më vete aq sa askush nuk e kupton dot se përse u mblodhën kaq ditë, lart e poshtë, hyrë e dil tek selitë e Amerikës dhe të Komunitetit Europian vetëm e vetëm të arrinim një marrëveshje politike si ajo 5 qershorit 2020. Tre vjet i kundërshtoi listat hapura babai i absurdit, sot i do se i ''dhimbset'' populli. Dhe ajo që akoma më vapë Shqipërinë tonë, është fakti se pikërisht ushtria e analistave kundër listave të hapura sot është promotorë e tyre. Vapë Shqipërie që kurrë nuk e kuptuan se çfarë domethënie ka të ecësh përpara. Vështrojeni Maqedoninë e Veriut, sapo i mbaroi zgjedhjet, në kushte të jashtëzakonshme madje. Asnjë debat absurd se çfarë duam të hënën nuk e duam të martën. Se çfarë duam të martën nuk e duam të mërkurën. Asnjë debat absurd mbi emra dosjesh, se kush dhe kush ka qënë spiun i shërbimeve të huaja a sigurimit të shtetit. Vetëm ca video që flash erdhën e ashtu shkuan. Dhe aq. Dhe ta kujtoni që Zaevi dha dorëheqjen për atë që ai nuk e bëri të mundur çeljen e negociatave me Komunitetin Europian. Palloshi jonë ia vuri fajin Francës, ashtu edhe shqiptarët. Dhe sot i ka kthyer prapë ata në konflikt të hapur po me Europën. Shikoni Kosovën, e ndërroi për pak orë qeverinë dhe brenda një lufte të vështirë me covid-19 po shkon përpara. Kurse Shqipërinë nga ta kapësh. Një ndërmarrje e degraduar absurde se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë. Një vend i tëri i marrë peng. Një vend më komunist se etërit. Një vend peng edhe i listave, i pleqve me cullufe që ngasin biçikleta barby. Një vend i mbytyr nga mushamaja, i cili rrënon teatro, por jo shtëpitë me gjethe. Një vend që zhduk hekurudhat megjithëse 30% e shoqërisë disponon mjete personale dhe ua kërkon bashkimin kombëtar botës. Një vend që ka 7 vjet për një reformë në drejtësi dhe që merr rezultate duke dënuar me burg ata që nuk paguajnë energjinë. Jo ata ata që i shkaktojnë dëme financiare deri në miliona euro. Një vend më komunist se komunizmi që ata pretenduan se rrëzuan. Një vend që askush nuk e lë karriken po nuk i hoqe zvarrë në shesh. Vend i dhunshëm. Dhe ky që është në krye vetëm me dhunë ikën. Hiqeni nga mendja se ka rrugë tjetër. Dhe lum kush e kupton në kohë po për të mirën e vendit dhe të shqiptarëve.


20 views

Shkrimet e fundit