
Sa vdiq, trëndafila fjalësh mbi arkivol, vrapuan të derdhnin lum
ata që në gjallje një cep petaleje buzëqeshje si hodhën kurrë,
madje me gjemba dhembjeje vetmie ia mbushën trupin
deri në nënlëkurë.
Në gjallje të Tij askush, as dhe miqtë s’u kujtuan
të shihnin ç’varg në letër Ai pati hedhur.
Sa vdiq nuk lanë pa rrëmuar astarëve të xhepave të grisur
një varg prej Tij për të gjetur.
Nisën t’i qëmtonin si kokrrat e ullirit që shkund dimrit era
duke u mburrur para ekraneve të tv-ve, faqeve të gazetave:
Shihni, nga thellësia e astareve të xhepave ku rrinin fshehur
ne, po ju sjellim këto perla.
Në gjallje të Tij askush, as dhe miqtë si shkuan për një vizitë.
Të zënë, thoshin, jemi, të pimë një kafe s’gjejmë kohë të lirë.
Tani: - I kam qenë unë në krah, - kush e kush më shumë bërtiste
pa mbyllur Ai sytë mirë.
Vazhdonin përlotjen ekraneve, gazetat me kujtime i mbytën: - I madh qe, i madh, i madh në çdo varg që ka hedhur në letër.
Vargje, strofa, poezi, me pathos recitonin dhe e mbyllnin:
- Brilant! Si ky nuk ka tjetër.
Ai që nga lart, atje ku është ngjitur, në fronin e qetë të paqepërjetësisë
Me nënqeshje belbëzon tek sheh si shtyhen bërrylash ata atje poshtë.
- Kur isha asnjëherë s’më pyetët, si ngrysesha e gdhihesha rënë përmbys
për një varg a metaforë.
Tani, tani që s’jam më mes jush, ikni, mos derdhni lot hipokritësh
se më ngjan sikur glasni gurin që mbaj tek kokë, këtu në varr,
pastaj unë e di mirë që lotët e hipokritëve janë si shëllira
që thanë çdo fije bar.
Ju lutem më dhembin veshët kur dëgjoj përditë dërdëllitjet tuaja
e di që i doni më shumë për vete se mua këtu s’më duhen aspak mos ma trazoni gjumin e qetë që bëj këtu poshtë,
nën të ftohtën pllakë.
Drite e paste jeten tjeter, se drite na la ky njeri dhe poet i mrekullueshem. Ngushelimet e mia te thella familjes dhe femijve. Me shume dhimbje dhe respekt, Myslim Maska, Athine.