top of page

VDEKJA E QYTETEVE KUFITARE


-synopsys për kohë me perandori që këmbehen-

Ngaqë më mbeti në kujtesë prej rrëfimeve të mamasë sime, besoj se jam i lindur në troje që tashmë ndodheshin përtej kufirit jugor, por ajo nuk përdorte kurrë përkatësi tjetër. Ndodhi, babai i saj ta mbaronte shkollën e mesme atje, teksa studimet e larta i kreu në Stamboll. Ajo tregonte se si fëmijë kishte hyrë në xhaminë e Sulejmanies së Madhe, dinte jo pak ajete por do na tregonte më vonë përse nuk mundi dot të ishte myslimane. Gjithnjë sipas rrëfimit të saj, e përshkonte një si rrymë e ngrohtë e brendshme kur dëgjonte se Arkitekt Sinanin e thërrisnin "Mikelanxhelo i Orientit". Njëherazi, nga ana e tim-eti, ati i tij mbrojti në Vjenë diplomën për drejtësi, dhe babait tonë iu dha rasti- ai thoshte Fati- të njihte mirë gjermanishten. Nuk di, mbase si paragjykim që fëmijët mbajnë mbiemrin nga Ati, gjermanishtja tërë jetëve na e rrëmbente pa pushim respektin. Nga kjo, edhe kur kaluan në troje tona, ushtritë e kësaj gjuhe nuk paraqitën asnjëherë dekret për shpallje lufte…

Por, nuk është dita të marrë përsipër të flasë për luftërat. Sot, kam shtysë të flas për paqet, dmth për ditët pasi ata që i kanë shpallur -po ata i kanë mbyllur luftërat. Kudo ku u gjendën etërit tanë, nga të dy anët, mësuan gjuhët e atjeshme. Përditësia ua kërkonte dhe mësonte ato gjuhë, por ajo që flitej brenda shtëpive, kudo që zhvendoseshin, ishte gjuha jonë. Si tërë gjuhët e vogla, flitej më kollaj prej pleqve dhe fëmijëve.

Perëndia, kudo brenda Perandorive ku jetuan, thirrej me emra të tjerë, madje edhe kur administronte një perandori e vetme. Nga kjo, rrëfente mamaja, ia nisnim Zotit lutjet në gjuhën e mëmës, dhe në veshin e Tij le të arrinte në gjuhë të tjera. Ky qe shtegu përmes të cilit kaluam: mësuan në gjuhë të tjera si ta ruanim gjuhën tonë, thjesht duke e folur, vetëm duke e menduar, teksa mësonim gjuhët e tjera. Shëmbëllimet dhe dallimet me to, bënë ta ruanim thellë në kujtesë. Edhe atdheun, edhe të madh, edhe të vogël, ashtu e ruajtëm, si veti përdorje dhe kujtesë në gjuhë të tjera me kufij të hapur të gjuhës sonë.

Vetëm kur u bë mbarë dhe kthyem shkronjat, s’vonoi përpjekja të kishim një shtet. Kudo ku u ndodhëm, teksa merrnim lajme për të, instinktivisht, si përgjumshëm, bëmë për andej ku malet zbuteshin dhe humbitnin në det. Kaq gjë e dinim, kërkuam për kryeqytet një truall të sheshtë, me mal afër, me lumë nën këmbë, sa më në qendër të trojeve që s’mund të mos ishin brenda kufijve që megjithatë do arrinin të shpëtonin prej luftërave. Thjesht me intuitë zgjodhëm veç pikën e rëndesës së hartës. Nga rrëfimet e mëvonshme, doli se atë çast kishim marrë frymë thellë, si dikush që në fund të ditës kthehet në shtëpi të vetë. Edhe pse shtëpia ishte diçka që s’do bëhej dot kurrë. Sot edhe mund të mos na besohet por, ndodhi të na këshillonin që më e kollajshme do të ishte një shtëpi mbi rrota: ta rrotullonim sipas ditëve...

“Tërë që kishim qenë hapërdarë në tërë lindjen që po perëndonte, u kthyem dhe u vendosëm aty. E dinim se pasja e një qyteti të parë, është ftesë e hapur për t’i nisur punët nga e para. Si një shenjtëri që gjerohet pa fund. Ngre aty tempullin dhe zë e zgjeron jetën...

Nuk ishim lindur kryeqytetas, por erdhëm aty, dhe u bëmë. Natyrisht, gjithçka do të ndodhte pasi të shpallej Njëshi. Kryeqyteti, kryeministri, kryegjykatësi, krye-financieri. Më tej, kryerja e punëve sipas çfarë dinim të bënim duke punuar tjetërkund, për të tjerë…

Babait i erdhi ftesa të bënte prefektin e parë. Kishte kryer tërë ato shkolla, që s’ndodhte t’i kishte kollaj kushdo tjetër por ai pranoi të shërbente. Secili prej të ardhurve nga troje shërbyer për botën, e vuri veten në shërbim të formës së shtetit të parë të vetes.

Shtetarë të hershëm të një shteti të ri. Prej vargut të emrave, portreteve e biografive me dekrete e dekorata perandorake, shkundën pluhurin e trashë të tyre dhe vunë re se prej tyre u shfaqën ca burra të bukur e të bekuar prej asaj që morën përsipër të bënin më tej. Dukja e re, më në fund, sikur përkonte me ëndrrën. Tërë ç’ishte ndjerë si thellësi e heshtur erdhi dhe u bë dukje shteti...

Sot, ju lindeni e rriteni në një shtet që e keni gjetur, thoshte im Atë. Për ne, në fillimet, ishte tjetër gjë. Atdheu mori formën e natyrën e njerëzve që e shpallën dhe e mëkëmbën. Ne, të parët, me plotë përvoja, erdhëm në truall të virgjër. Ashtu siç dinim, siç ishim, hodhëm shenja në fletë të bardhë. Hera herës, e gjenim veten në sjellje të tjetërta, të vështira për tu kuptuar e pranuar prej atyre që na u desh të qeverisnim dhe kjo na shtyu të rrëfenim edhe ca detyrim. Harronim se të qeverisurit e këtushëm ishin si ne, jo të huaj, si atje ku kishim qeverisur më parë. Jo gjithnjë qemë gati të tërhiqeshim, ndodhi edhe të ndëshkonim siç të huaj të andejshëm kishin vepruar me ne…Fillestarë, si prindër që bëhen me fëmijë, kur ende s’janë dot të mësuar si prindër.

Më pas, vendi e shteti bëhen tjetër. Ata që shuhen lënë kujtesë. Për tërë sa ka ndodhur. Mbase ne e patëm lehtë të gjendeshim në krye, në administratën e parë. Erdhëm prej nga ku kishim shërbyer, dolëm në krye pa garë, sipas llojit të punëve që donim të bënim.

Qytetari i vërtetë i këtij shteti, u lindë shumë kohë më pas. Shteti juaj, ky i sotmi, e sjellë administratën nga e kundërta. Njëshat zgjidhen, nga poshtë...së paku kështu thuhet.

Ato që sot shfletohen si histori, ne i jetuam. Ishin jetët tona. Mbase prandaj kurrë nuk qemë aq të qetë sa do duhet të jetë dikush që merr përsipër qeverisjen e të tjerëve. Atdheu është gjer atje ku ka njerëz të vetë. Ne ikëm nga trojet ku ishim lindur, dhe nuk na besohej dot se vendlindjet tona, kishin mbetur përtej kufijve të shtetit që na lanë në dorë për ta bërë.

Rrudhja e kufijve u ndje me vonesë. Shenjat tona u vunë vetëm pasi të tjerët kishin ngritur piramida. Ishte si një trup që tjetër-vend kishte kryet dhe tjetër gjymtyrët. As vet kujtesa s’kthehej dot të dëshmonte rebelimin. Kufiri i bëri të kot qytet në Jug, por edhe ato në Lindje, pastaj edhe ato në Veri. Tërë qytetet e mëdhenj, kishin mbetur atje larg, përtej kufijve...Si ishuj në stere të atje-tejshme.

Rrugët që çonin te kufiri, vinin deri aty dhe ktheheshin mbrapsht... Vendosja e kufirit, mënyra se si ishte caktuar, e kishte mbyllur atë. Nga malet e brenda ishte atdheu. Fusha e pyjet shtriheshin në pjesën andej matanë. Dukej se na kishin lënë të qeverisnim malet… Kur se-kush nga ne kërkoi të zinte vendin e Zotit, thuajse harruam çfarë kishim qenë. Dukej se s’kishte kuptim as vet atdheu…

Humbja e beftë e qyteteve, viktima llogarish që nuk u mbyllën kurrë, bëri të mos ua ndjenim në kohë rënkimin. Vetëm kronika na kujtonte se ai varg qytetesh si margaritarë rreth e qark vijës kufitare, do shuhej pak nga pak si në frymëmarrje të pa-mundur. Me kalimin e kohëve u mbyllën në vet-vete. Ngaqë nuk merrnin e jepnim me pjesët e mbetura këndej kufirit, u shndërruan në varreza historish ish-qytetesh të mëdha.

Mungesa e tyre, gjëmonte edhe brenda nesh. Kishim lënë atje jetët, lëvizjen, ritmin, në ato qytete... Nëse sollëm dot me vete ndonjë gjë të duhur, që arritëm ta përsëritnim aty ku erdhëm, në kryeqytetin e parë, në heshtje përcjellim edhe këtë bosh që na gërryen nga brenda.

Kam frikë se ju të sotmit s’e merrni dot me mend çdo të thotë vdekja e qyteteve të mëdhenj. Në të vërtetë, ishin pothuaj gjithë sa kishim deri atë moment. Mbetja e tyre matanë kufirit që na lanë si atdhe, ishte pafuqia për të mos u bërë dot kurrë cfarë kujtonim se kishim qenë. Si shtet, gjer edhe si individë, për shkak të shkrehjes së këtyre qyteteve në kufi, është e vërtetë kjo dhimbje që rrëfej, edhe sot e kësaj dite reagojmë të mpirë, me vonesë. Edhe këto fjalë që na thoshin të kthyerit e parë, si duke pëshpëritur, ashtu i themi edhe sot, në merak mos prishim gjumin e të gjallëve.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page