
VARIANT PËR VARGUN NË KOHË KARANTINE
Vargu
Je musht vjeshte, je loti që rresh nga akullnajë shpirti, prafullimë që kapërcen nga damarët dhe merr udhët e botës. Je plazmë që ndalon rrjedhën e gjakut nga dregëza lëkurore, je guall plage. Je uragani që vret të ligun puhizë që përkëdhel urtarin dhe frymën e të shenjtëruarit... Mbete magjia që zgjëron horizontin përtej fshehtësisë... Je dorë që lëmon pasqyrë ku shoh dritëzën e ndezur. Je zë zogu zë shiu zë vajtojce vaj bebeje... Je zhurma e takeve të zonjave që vërdallosen buzë Senës kur presin dashnorët e zhuritur. Je bardhësia e brushës së piktorit që imagjinoi sytë e Monalizës lazdrake... Je shfryrje je rrufe, shkrepje je. Je vashë e brishtë e nazike, je perëndeshë. Je lartësia që zë vend mbi gojët llomotare të politikanëve cakërran... Je petale fonemash të trëndafiluara je arma ime e vetme, je religjioni.
Comments