Vangjush Ziko, ‘gur i rrëndë’ në kështjellën poetike shqiptare


Profesor Vangjush Ziko

Vangjush Ziko, ‘gur i rrëndë’ në kështjellën poetike shqiptare


Dr Fatmir Terziu





Dr Fatmir Terziu


Përqeshja e gjetheve”; “Kapriçio 15”; “Stina e vargjeve”; dhe disa poezi të tjera janë prurjet më të reja të poetit Vangjush Ziko në rrjetet sociale. Dhe sa herë që prurje të tilla bien në syrin e lexuesit të tij të dashur, natyrisht marrin dhe pëlqime, komente, vlerësime, krahasime, shënime, arsyetime, sidoqoftë që të gjitha variojnë në një pikë, në atë pikë ku thelbi mbetet poeti. Më parë janë ndalur mjaft krijues janë ndalur dhe kanë vlerësuar krijimtarinë e Profesor Vangjush Zikos. Natyrisht janë thënë jo pak fjalë, por që në fakt duke parë një qasje të tillë letrare, duke lexuar vërtet poezi të arritura dhe me vlera, natyrshëm mund të themi që është thënë pak, disi mjaft pak. Jo vetëm poezia e tij, jo vetëm shkrimet dhe studimet e tij, por edhe vetë emri i tij në letrat shqipe dhe vepra e tij meritojnë shumë e më shumë, ndaj duhet shkruar gjithnjë.

Fillim

Nga shkrimtari dhe poeti Vangjush Ziko më parë kam lexuar ciklin e tij “Zoopoeteka”. Lexova poezitë e tij “Breshka”; “Pilivesa” dhe “Bilbili” dhe më pas me dhjetra e dhjetra poezi të këtij autori më erdhën ndërmend. Memorja më udhëtoi ndjeshëm mes fjalës së tij të kulluar nga burimi ‘natyrë’ dhe më tej më shpuri në stacionin e duhur ku gjuha gjen shtratin e saj të qetë e të sigurtë. Në këtë mënyrë poetin Vangjush Ziko e pashë ‘vetëtimthi’ të renditur mes emrash që tashmë kanë gurrin e tyre të rrëndë në kështjellën poetike shqiptare, emër të cilin në fakt ai e ka merituar me kohë, e ka rrjeshtuar me veprën e tij dhe ne veçse kemi nderin të bëjmë një parantesë në studimin e saj, në studimin e një vepre që i duhet brezave dhe pse jo edhe mbarëkulturave. Janë mjaft poezi të tij që flasin me ‘zemër të hapur’ për këtë, por janë poezitë e lexuara së fundi disa nga ato që të mbesin dhe jetojnë gjatë në mendjen tënde.

Ja si funksionon njëra prej tyre: “Breshka, breshkë./Një copë mish./E tëra eshtër./Eshtër zgafellë,/Një ashkëti/Brenda në shpellë./Lutet dhe falet/Duke zvarritur,/Heshtur,pa fjalë,/Zgjuar,dremitur./Në zheg e shqotë/E mbart zgafellën./Shtegton drejt zotit/Bashkë me shpellën.” Funksionon me një idiomë tërrjedhshme në të lexuar dhe me një gjuhë të qartë në të kuptuar. Pastaj po në këtë funksion është edhe “Pilivesa” dhe “Bilibili” këto tre lidhje që forcojnë frymëzimin natyral dhe mes natyrës të këtij poeti.

Edhe pse frymëzimi i poetit me të vërtetë buron nga brenda shpirtit të tij, natyranë vargun e tij vepron si një mjet për të rritur imagjinatën. Ziko e sheh natyrën jo thjesht si një poststrukturalist natyrën, apo si një postmodern ku natyra është dekodim mesazhi, por si një pasqyrim i përvojës njerëzore. Ashtu si vetë natyra, edhe poezia e Zikos ka stinët e saj, që është një cikël i gjallë, dhe hijëzim i formave tëndryshueshme të personalitetit. Është pikërisht pastërtia e natyrës që ka tërhequr poetin në subjektin e tij dhe më tej është ky subjekt i natyrës që lidhet me krahasimin. Poeti në tërë krijimtarinë e tij përdor me efikasitet dy mjete që lidhen me natyrën: personifikimin dhe analogjinë.

Figuracioni

Personifikimi i natyrës është një element tejet i ndjeshëm tek poeti shqiptar, Vangjush Ziko. Tek poezi të tilla si “Pilivesa” ky personifikim dallohet lehtë: “Lule pas lulesh./Ngjyrë më ngjyrë./Me krahët lyer/Me pluhur yjesh,/Vesë mëngjesi/dhe brymë nate./Me prush të fshehtë/Imagjinate./Vello e ëndrrës/Së pilivesës.../S' i shkon në mendje/Sa shpejt do vdesë.”

Kur poeti i jep karakteristikat e natyrës botës njerëzore në poezi, ai përdor shenjtërinë e rrethanave natyrore dhe pastaj ato i kalon në lidhje të arsyeshme e të piketuara në lidhjen e mesazhit poetik. Në poezinë “Bilbili”, është thjesht një zog-bilbil që mund të flasë, çdo gjuhë të botës, edhe gjuhën shqipe, një gjuhë që krijon lidhjen mes natyrës, natyrales dhe vetë mesazhit: “Gush' e bilbilit di veç një notë./Një këngë veç këndon në mote./Nuk i mërzitet.S' i zvetënitet./Gushën e tij e bën të dridhet./Muzës sime i bënë pyetje/Se çfarë këngë këndon poeti./U ktheu përgjigje muza vetë./Vetëm një këngë këndon tër' jetën./Vetëm një këngë këndon bilbili./Këngën e mallit me afshn' e prillit.”

Poeti pranë ‘Polit të Botës’

Poeti shqiptar Vangjush Ziko nëpërmjet ciklit të tij poetik “Këtu pranë polit të botës” solli

për kënaqësinë e lexuesit poezitë “Emigranti”; “Emri”; “Quhem njeri”; “Malli” dhe vetë poezinë që i vë emrin këtij cikli, pra “Këtu pranë polit të botës”. E solli në mesin tonë duke plotësuar kështu një mendim të krijuar më parë për poezinë e tij të lidhur ndjeshëm me natyrën, natyralen, funksionin e saj jetik, brumin që vjen prej saj dhe tërë aspektin filozofik që sendërtohet nëpërmjet vargut, figurave dhe mjeshtërisë më të arritur në një vepër poetike. Ziko, i përkushton emigrantit tërë atë lidhje jetike, duke e vizatuar e skicuar atë “Më këmbë/a me urbanë./Me çantën hedhur pas shpine” dhe e paraqet këtë lidhje humane mes një fraksioni ku “Emigranti/përhumbet në rrugëtime.” Në gjithë këtë formëzim tipik me mjeshtëri peneli të imët autori më pas i referohet sërrish natyrës, duke e parë atë në një materie lëvizëse mes arsyes, nevojës dhe shpresës jetike ku “Tërë shtegtarët e botës/nisen drejt një Meke./Vendin e ëndrrës kërkojnë/me torbën e kripës me vete.” Ziko, pushton tërë imagjinatën e tij dhe ristrukturon fatin e ‘emigrantit’ në numrin shumës duke prezantuar një fat dhe mjaft fakte: “Kërkojnë/fatn' e premtuar./As vetë s' e dinë nga kush./Lerini të kërkojnë/atë që s'ka gjetur askush.”, duke vazhduar më pas me refrenizimin e strofës së parë që qëmton mesazhin dhe fabulën: “Më këmbë/a me urbanë./Me torbën e punës pas shpine,/Lereni emigrantin/të ëndërrojë lumturinë.”

Në këtë temë ai sjell më pas edhe pozinë ‘Emri’ si një semantikë natyrale mes ‘emigrantit’ që sipas autorit: “Emigrant!/Emër i ri për mua./Dhe zgjuar./Dhe në gjumë/kështu thirrem unë./As din./As iman/Ky emër nuk ka./Atdhe,/aq më pak./Më duhet ta mbaj./Përkëdhel./Mos e shkel./Me djersë ta laj./As nëna./As Zoti s' ma njeh./(Por për atje është shpejt)./Zot,/më jep fat/ta çaj këtë shteg.” E gjithë kjo lidhje mes një emri të tillë të ngjizur nga problematika e të qenit njeri në një udhë plot makth dhe dert, në një udhëtim plot mund e vuajtje, vjen poezia “Quhem njeri” që na forcon mesazhin e plotë të filozofisë së autorit: “Zogjtë merren vesh/me cicërima./Qentë me ulërima./Era e luleve/thërret bletët./Unë ngjaj me memecët./Gjuhë kam./Gjuhë s' flas./Më mbeten rrokjet në gurmaz./Rrokjet e reja/që kam nxënë,/i përtyp me rrokjet/e gjirit të nënës./M' u përzjenë/jeta dhe bota./Amerika dhe Europa./Më pranoni/kështu siç jam./Këtë që kam/Dhe atë që s' e kam./Hibrid ujem/nuk dua të jem./Emrin,/kush s' ma di,/Quhem:/Njeri.”

Tek poezia “Malli” poeti sjell mes një lojë tipike një fat njeriu mes termit ndjenjë. Dhe këtë lojë duke dekoduar tërë funksionin e diskursit estetik e transformon në një filozofi më vete. Një semantikë e tillë e ndihmuar nga filozofia dhe fjala e gdhendur udhëton rrjedhshëm mes shijes dhe vizives së krijuar në çastin e leximit duke na bërë edhe ne pjesë të saj. Vargjet e kësaj poezie duken si një vazhdim, një vazhdim që ushqehet këndshëm dhe ndjeshëm me shpirtin njeri: “Ndjenjat tona/i njohim./Dhe s' i njohim./Shpesh i harrojmë./Shëndetin/kur e humbim/e çmojmë./Në zemër/një gur nga vendlindja/më therr/e më djeg si dhimbja./Ky gur/as i madh,/as i vockël,/Zemrën ma bëri me kockë./Vetëm me mallin/dot s' përrallesh./Po të vdiq,/më nuk ngjallesh.” Dhe së fundi në këtë cikël nga radha dhe jo nga rëndësia vjen poezia “Këtu pranë polit të botës”. Kjo poezi ka në vetvete më shumë se një tipologji, ka një tipologji të pastër të lidhjes me njeriun, natyrën, problematikën dhe tërë atë kuadrat mes së cilës vërtitet gjuha e mjeshtrit për të rivendosur njeriun, natyrën rreth tij dhe natyrshëm kjo ndodh edhe gjetkë, por më shumë “Këtu pranë polit të botës” ku: “Kolombi zbuloi Amerikën./Amerika/mua./Ky dhe' buzë Arktikut/i ngrohtë/dhe akulluar./Mësova lundrimn' e ajsbergut/me këmbët thellë në jetë./Të jem vetë/dhe bregu/dhe oqeani vetë./Pranë ariut të bardhë/fole shqiponje ngrita./Emigrant ardha./Shtetas u rrita./Torbën time të kripës/akoma s' e kam mbaruar./Akull' i frikës/s' ka shkrirë i tëri në mua./Por aguliç' e Moravës/çeli në pragu i portës./Pranverës i them/Mirë se ardhe!/Këtu/pranë polit të Botës.” I morëm në konsideratë këto poezi të ciklit “Këtu pranë polit të botës” dhe me këtë rifreskim të tyre në mendjen e lexuesit, natyrshëm ne sollëm në vëmendje atë që paraqet se Vangjush Ziko është poet i natyrës dhe lidhjes natyrore mes fjalës. A nuk është vetë poeti dhe poezia e tij fare pranë ‘polit të botës’ poetike?

Një poet i natyrës dhe lidhjes natyrore mes fjalës

Një nga poemat më të fundit të poetit Vangjush Ziko, “Kanadasë” përfundon me vizionin përgjithësues “O Borëbardhë e Botës” (V.Zyko: http://v-ziko.uni.cc/poezi6.htm). Ajo është e shoqëruar me një skripturë natyrale. Një skripturë natyrale, që vjen nga nocioni gjeografik për frymëzimin e poetit. Një skripturë natyrale që në fakt krijon një lidhje determinante filozofike me tradicionalen shqiptare. Një tradicionale që buron nga fjalët “diademe kokës” e që në mënyrë filozofike na dikton lidhjen me tërësisnë. Na transmeton adekuaten e saj me vështirësinë. Me atë vështirësi që i kanoset nga një bashkëjetësë natyrore me ‘ajsbergët’. Dhe që në gjuhën poetike të poetit ‘i vijnë rrotull’.

Ky konceptim lidhës me natyrën e bën poetin sipas studiuesit Hugh Hauton tek “Praktika Tekstuale”, botim i Routledge (16/2 viti 2002, issue 2 faqet 323-343) një mjeshtër të arsyes dhe filozofisë në lidhjen tërësore për të prodhuar mesazhin mes skripturës natyrale. Duke lexuar këtë poezi në lidhje me koncept-teorinë e Hauton shihen një mori ndihmesah. Së pari është apostrofi që ndihmon të ndjeshmen e tokës së mardhur të Veriut, që të kaplohet në mendjen rutinë të lexuesit. Kjo që në njëfarë mënyre, sërish kupton se kjo poezi vjen nga sënduku i hershëm i krijimtarisë së shëndoshë të këtij poeti. Të këtij poeti që i mëshon këndshëm fjalës tradicionale. Dhe së dyti mes termave të tillë plot figuracion dhe filozofi “e zhveshe qyrkun e ariut” e jaft të tjerave, ne kuptojmë se poeti Ziko është një poet i natyrës dhe lidhjes natyrore mes fjalës dhe koordinatës së saj. Por pse pikërisht me këtë poezi? A nuk është e gjerë krijimtaria e Zikos?

Kështu ngadalë duke u fokusuar në këtë krijimtari të gjerë e të krijuar me stilin personal, ne gjejmë se gjuha e objekteve është e rëndësishmja e Zikos, autorit të vëllimeve poetike “Këngë për duart”, “Takim me malet”, “Këngët e grurit”, “Galeritë e nëntokës”, “Magji e dashurisë” dhe “Ditari kanadez”. Vangjush Ziko është edhe autor i dramave: “Motra Katerinë”, “Rruga e madhe”, “Vëllai i madh”, “Prova” dhe skenarist i filmave artistikë: “Hapi i parë” dhe “Zambakët e bardhë”. Në prozë ai ka krijuar “Bezhani”(Mozaik letrar) dhe "Borëbardha Flokëthinjur" (Romancë Kanadeze). Duke situar në mendjen e tij mjaft pamje dhe vizione natyrore, po aq të përditësisë ai ka mbuluar një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij me privilegjin e gjuhës së objekteve duke na afruar një gjuhë të fuqishme artistike me fuqinë e së cilës ai rindërton ‘natyrën’ ku jeton.

Fjalë të racionuara

Kështu Vangjush Ziko, nisur nga teoria e Hauton, tek e cila gjetëm arsyen e analizës, është një poet ‘me vlera, ku paketohet historia në fjalë të racionuara’, duke na riprodhuar skripte filmike në mendjet tona. Unë gjithashtu diktoj se ai është edhe një poet i asaj së cilës Focault i referohet si ‘dialektika e natyrës’. Por vetë fakti që natyra, gjuha natyrore dhe rrethnaja janë preokupimet e poezisë së Zikos, aq sa edhe vargjet “U ul ky dielli të të puthë,/ Në vetullkodrën, në gushën fushë...” duket se e plotësojnë më së miri këtë. Duke analizuar fjalët përbërëse të kësaj poezie “vetullkodrën”; “gushën fushë” etj natyrshëm shihet huaja e marë nga njeriu dhe kusuri i ngjeshur në figurativen e natyrës. Është një argument filozofik, dhe jashtë rutinës së një loje fjalësh që tek-tuk shihet edhe tek poetë me emër e krijimtari të bollshme. Ziko sjell bashkërisht njohurinë dhe viziven për të ndriçuar më tej atë që i ndërlidh të dy këto koncepte filozofike në poezinë e tij.

Vargu “Panja e mbarsur nëpër ngricë” kompleton punën e tij krijuese dhe pasqyron më së miri idenë e tij të cilën Hauton e quan ‘ideja idiosyncratike’që në shqip do të përkufizohej dhe jo përkthehej si një mundësi e fjalës për të dhënë kuptimin më origjinal artistik, pra të dhënies së kuptimit pas leximit. Por poeti Ziko nuk mjaftohet vetëm me kaq. Në poezinë ‘Korçës’ ai sërrish krijon intimitetin natyral duke zbutur ‘prozhmet e Moravës të filtruar’ dhe për të dhënë si me magji atë lidhje që ndikohet nga shumë teori të ngjashme. Duke dhënë ujin e pastër e të filtruar të vendlindjes së tij ai natyrshëm kompozon lidhjen metafizike të njeriut me natyrën.

Edhe pse në ardhjen e sotme të kohës së teknologjisë digjitale, një kompozim i tillë shihet disi metaforik, disi tradicional, prapëseprapë në leximin poetik ai është një kolazh dhe një montazh logjik më vete, duke kapur kështu ecurinë e artit modern dhe duke u bërë aspekt i jashtëm e i padukshëm i polemikës objekt-gjuhë në kuptimin filozofik të saj. Poezia e tij duke intimizuar lidhjet e hershme të njeriut me atë pjesë të natyrës dhe duke udhëtuar në imagjinatën e viteve pas ka një diapazon të gjerë sqarues dhe tërheqës. Këtu shihet edhe një maskë e hollë ndëshkuese për vetveten, ku aspekti i personales duket triumfues në mesin e një të tëre.

Duke përfunduar

Poezia e Vangjush Zikos, nuk është thjesht një binom i natyrales, as edhe një produkt i rëndomtë që gjen frymëzim tek elementët e natyrës. Ajo është një filozofi e thellë e këndvështrimit natyror në funksion të njeriut, dhe vetë natyrës në të cilën piketohet njeriu. Mes kësaj analize provohet se Ziko është një poet i duhur, në kohën dhe vendin e duhur e të merituar. Është një poet i natyrës dhe lidhjes natyrore mes fjalës.


#Terziu #fatmir #vangjush #ziko

95 views

Shkrimet e fundit