“Vallja e lehonës”, ndër më të vjetrat e Elbasanit


Fatmir Terziu

Vallja e lehonës”, ndër më të vjetrat e Elbasanit


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Muzikë tipike. Të zgjon jo thjesht për të të thënë “Mirëmëngjes! Jo thjesht, por të ngre peshë… Të ngre duke rrahur me zë të lartë bateritë që ngjajnë si buburreca, violinën që pëshpërit me erën, fyellin që lëshon në ajër haraçin e vet të kohërave, korin që mban melodinë në zemrat dhe shpirtrat e të gjithëve përreth, këmbët dhe duart që bëjnë paqe dhe gëzim me natyrën. E gjitha vjen nga larg, nga motet e zbardhura me thinja shekujsh e me stilim fletësh të zverdhura Folklori, por me një ndjesi veglash muzikore të harruara nga arsye jo thjesht kohore.

Këto vegla muzikore që rrahin butësisht, humbin nga stigma e violinës, ngucen imtësisht në flaut, duke hapur lehtë zëra të rrinj dhe ecin ashtu ngjeshur me bateritë në përplasjen e bubullimave në hapjen e një dite të re me motiv, frymëzim, ushqim nga “koh’e vjetër!”. Një ditë në valle… një ditë në vallëzim.

Vetëm Valle

                  Vetëm Valle

                                    Vetëm Vallëzim

                                                          Vetëm Vallëzim… e kështu kush nuk do ta dëshironte një ditë të tillë?! Një ditë të tillë që ka ardhur bashkë me shekujt. Një ditë e tillë që… ndoshta padashje është harruar. Një ditë që ka harruar vallen…


Një nga vallet më të vjetra shqiptare është “Vallja e lehonës”. Ajo rezulton të jetë hedhur hershëm, por është shënuar si e tillë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Origjina e saj mbetet zona e Elbasanit. Ajo na flet në mënyrë të tërthortë për mbrothësinë, për shtimin e rrethit të familjes me “nëntë” djem (G. Weigand: 1913:154). Kjo valle flet për një grua, “që lindi nëntë djem” dhe “nuk kishte me se t’i lidhte”, e ndërsa iu lut Zotit, natyrës, ajo u zgjua e kuptoi t’i lidhte me “shpërgaj të mëndafshtë”. Refreni i valles është interesant. Ai vjen si një urim i përgjithshëm për lehonat: “Të vaftë mbarë, lëhon-o”.

Edhe zakoni i “mërkosh-it” në zonën e Dumresë së Elbasanit, që njihet edhe në popujt e tjerë, për të cilin bën fjalë në Fjalorin e tij, Kostandin Kristoforidhi, përpara fundit të shekulli XIX, ka qenë një valle rituale. Ky zakon kishte të bënte me njohjen e atësisë. Sipas këtij zakoni, i shoqi i lehonës shtrihej edhe ky në shtrat, si e shoqja e tij lehonë dhe priste miqësinë për urime.

Nga këto të dhëna duket se do të ketë pasur edhe më shumë këngë. Por këto këngë, sikurse u kthyen në valle, ashtu edhe me kalimin e kohës, me zhvillimin e shoqërisë u ridimensionuan, u shmangën, u harruan, dhe nuk janë ruajtur. Dëshirat, të cilat u ushqyen për jetën, pas lindjeve, qëndrojnë prapa riteve, dhe ato shprehen në përgjithësi në ninullat:

“Nina ninë, po t’përkundë nana,

nina ninë, djepin me sanë

ti u rritsh me bab’ e nanë…

…nina ninë, nana ty,

Ti u rritsh-o për Shqypni!”

Djepi me sanë, më i butë se ai me kashtë, sillte zërin e nënës që t’i këndonte fëmijës. E në këtë rast edhe të hidhte vallen me të në krah, duke ia shtuar që nga “djepi me sanë” një dëshirë dhe një urim si nanë: “Hidhe vallen-o…, bir-bijo”! dhe koha, arsyet, ndryshimet, krijuan gjërat. Gjërat ndodhin… dhe krijojnë distancë nga njëra-tjetra. Nëse gjërat ndodhin në atë distancë nga njëra-tjetra dhe heshtja është gjithçka që është midis kapjes së mundësive të asaj që është nga kohërat dhe është si një e lënë në harresë, ndodh në rastësinë tuaj përreth, por që mund të sjellë një terren të fortë në traditë: vetëm valle…, vetëm vallëzo.


E në valle, vallëzim, kryefjala ishte gëzimi, ishte pos kësaj një Ditë e Madhe,. Ajo ditë e tillë u quajt ditë dasme. Ditë dasme, simbolikë e një martese. Një martesë që lindi, jo vetëm ditën e madhe, të gjithë ata që hidhnin me gëzim valle, por shtoi dhe halle… halle të shumta patriarkale. Halle që atij vakti u quajtën “rapti” (rrëmbim)(Mrikajeni dhe Dardhejmeli). Rrëmbim, se u prishën ligjësitë, se gruaja u bë pre (“pasuri”) për burrin. Dhe kur kjo vinte ende pa dalë nga barku i nënës, bëhej ose me këmbim, ose me blerje. Dhe vallja atëherë, nuk ishte vetëm një këmbëhedhje, por sebepi i një dhimbjeje, shtysa e një potere. Një poterë që shkonte deri në ligjësi, ku nga fillimi e deri në fund flitej tashmë me zakon, me Kanun. E Kanuni e citonte pa frikë, se kjo gjë ishte një akt ekonomik: “m’u martue në kanun, don me thanë m’u bë me shpi, me ia shtue një rob ma tepër, sa për krah t’punëve, sa për të shtuen të fëmijëve”.

E në raste të tilla vinin realizimet artistike më të mira të folklorit shqiptar, si në rastin e “Ashike Imerit dhe Begzades së Bardhë”, ku arbitrariteti patriarkal hyn thellë dhe dënon marrëdhëniet e të rrinjve, si martesa pa pëlqim. Në fakt lindte edhe vallja “Hajduçe”. Pukëvili na flet qartë për këtë valle duke na e përshkruar pak a shumë qartë mënyrën e kezekutimit (Pouqueville, F.; 1805: 277). Edhe Bajroni flet për këtë valle (1809). Ibrahim Mansur Efendi na thotë se shqiptarët bëjnë një vegël popullore kordeofone me kasetë prej kungulli me një, dy a tri tela, që ka të bëjë ndoshta me lahutën, çiftelinë, bakllamanë apo buzukun (1783: 21-23). Këto janë vetëm të dhëna pa ndalesë studimore, duke mos harruar Gjon Kujxhinë me “Valle Kombëtare” (1943); Pjetër Dungun me “Lyra shqiptare” (1940) dhe punën e madhe në vitet 1949-1975 të Institutit të Folklorit që pasuroi arkivin dhe që shfrytëzoi edhe punën e madhe të papaguar të bashkëpunëtorëve të jashtëm duke sjellë vëllime dhe botime të shumta që u pasuruan dhe me botimet në Kosovë rreth viteve 1950-të (Terziu, F. 2014 “Joni Poetik” II).

140 views1 comment

Shkrimet e fundit