top of page

Valbona Ahmeti: UDHËT E JETËS


UDHËT E JETËS


Udhët e jetës duam ti kemi

Plotë ndriçim

Miqësinë e qëndisim

Me ngjyra ylberi 

Dashurinë e thurim

Me fije dielli.

 

Gjatë udhëtimit

Ndodh të thumbohemi

Nga ata që i zgjodhëm  

Vret ndjenja e zhgënjimit

Mësojmë, gërmojmë...

Prap një shteg e gjejmë!

 

TINGUJ KËNGËSH

 

Stina e pranverës troket me vonesë

Ngase dimri shkund krahët në muajin prill

Ndonjë syth tulipani tek-tuk buzëqeshë

Fluskat e borës lodhshëm bëjnë trill

 

Shiu vrullshëm derdh inatin mbi tokë

Njerëzit presin gjatë tek kafenetë

Mblidhen mbrëmjeve para kinemave tok

Si grumbuj delesh muzgjeve tek kopetë

 

Ikin retë pas shiut rrebesh

Shfaqet dielli me sytë ngazëllyes

Përkëdhelë natyrën me rrezën e brishtë

Sjell nostalgji e herë ngjall një shpresë

 

Në fundjave njerëzit turren drejt « Vieux-Port »

Stacionet gumëzhijnë sikur zgjua bletësh

Qyteti i stolisur me afishe dhe drita

Mbrëmja përqafohet nga tinguj këngësh

 

Netëve të vona gjëmojnë trotuaret

Nga nuanca gjuhësh dhe këpucë të sheshta

Si kor i përzier turistët hedhin marshet

Nga dritat artificiale nëtët janë të zjarrta

 

Vështroj blerimin si i rrëfehet gëzueshëm stinës

Petalet shumëngjyrëshe hapen gjithë lezet

Tulipanët me zgjojnë nostalgjinë e vendlindjes

Kthehem në shtëpi diku larg ëndrra më fle!

 

PARA PASQYRËS

Para pasqyrës

Kërkon të shohësh me tjerë sy

Ballin pa rrudha

Faqet e njoma 

Paraprin grimi

Paguan çmimin me të lartë

Në kërkim të formulës rinim

Dukesh e përmbushur

Në një moment magjia zhduket

E kupton se bukuria

Lulëzon nga brenda

Atë bukuri dëshiron ta ndjesh në çdo çast

Dhe je e gatshme të paguash çdo çmim!

 

HESHTJEN E BRISHTË

 

Nana sot me pyeti, moj bijë kur do të vish

Më kaploj malli, drejt perëndimit ikën gati t’gjithë

Kudo mbretëron një qetësi shurdhuese

Vetëm kori i zogjëve e thyen heshtjen e brishtë

 

Nanë, shikimi yt i kalon retë dhe oqeanin

Si zog pranvere do i hap krahët e mallit

Nuk do e lë pikëlotin të më tradhëtoj gjithë jetën

Dua t’ia shoh hiret e hënës derdhur në maje të malit

 

Atje male e fusha veshin fustanin jeshil

Me këngë bilbilash vargjet më rrjedhin si lum

Afër nurit tënd o Nanë, lulëzon më i bukuri trëndafil

Ëndrrën m’a përkëdhel fytyra jote, qepallat nuk kanë gjumë

 

Do të nisem me skuqjen e muzgut mbi dete

Kafen e mëngjesit së bashku do e pimë

Qershitë në degë do të skuqën nga lakmia

Sa herë të qeshim e nën hije të rrimë

 

Do të përqafoj me vrullin e vajzërisë

Të mbushi krahrorin me parfum trëndafilash

Ylberit ngjyrat t’ia numëroj si në kohën e fëmijërisë

Të më bleroj vargu gëzueshëm si lule lëndinash

 

E di Nanë, atje më rrjedhin ëmbël poezitë lirike

Siç rrjedh lëngu i qërshizës mbi buzë

Shikimi yt më përkëdhel jetën e imja fisnike

Si zambakët e çelur që më zgjojnë muzë!

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page