Refreni i këngës së elbasanasit, Aleks Vinit “Ti ma more zemrën” shkon mjaft përshtat në të gjitha kohërat: “Bubullin në/kafen tonë/mendja ime/tek ty m’shkonë/Ty të rruj si hajmalinë/më paç në qafë moj/zemra ime”.
Vajzë e çezmës së Kishës
(Aleks Vinit)
Nga Fatmir Terziu
Syri im është një album. Veshi im është një kumuri.
Sepse unë jam një piktor i Vjeshtës së parë:
ngjyej buzët e mia në gargarë,
penelin e shtrydh të mos bëj vragë,
e unë jam e s’jam piktor i rallë,
por Ty të pikturoj me mall.
Gishti im është një laps. Pëllëmba ime është një kanavac.
Cila pjesë e ka radhën ditën e sotme, nesër?
ku do të zhytem vallë,
e ndjej xhangën e Kishës,
e loti më bëhet kanal…
… të prita dita-ditës,
e tashmë s’kam as dhe një fjalë.
Numëroj gurët e Kalasë. Gurë i vë zemrës sime
e ti vazhdon të gurgullosh ujë të bekuar
në rininë tonë lakmitare dhe naïve
diku ndalon një tufë e ngutshme në të fluturuar
e nën Rrap hija shkruan vargje intime
asgjë s’qenka për t’u harruar,
asgjë më shumë se disa kujtime.
Bëlbëzoj rrjeshtat e Aleks Vinit. Pëshpëris “Ke çezma e Kishës”
Nata i shkruan natës. Dita i rrëfen ditës,
aty ku emri yt shkruhet me germa ari
unë të dërgoj vetëm psallme ajri…
…edhe kur është vonë…
bubullin n’kafenë tonë…
Elbasan, Gusht-Shtator 2020
ความคิดเห็น