top of page

VAJI I GURËVE TË KALLDRËMEVE


VAJI I GURËVE TË KALLDRËMEVE Na ka djegur malli, Zemra shkrumb e hi. Për një rrahje sholle O..., oi, oi. Shurdhuar janë veshët Trak-truk për një zgjim. Shpirtin eshkëndezur Shuajmë me oi-në. Rërë, shkretëtirë, Sytë pa lot të valë. Oi-ja oazet Ka gjerbur, ka tharë. Ndryshku myshkhapur, Qefin për meit. Gdhirë memecëruar, Ngrysur me oi-të. Nga një krap-krup take Një shkop tek bën çakë I-ja do tretej... O-ja ndizej flakë. Prit..., pritja u sos... Bari mbi sy mbiu S’bën më dritë kandili Fikur dhe qiriu. Qiellit arkivol Ngrënë sytë dielli, hëna, As dhe vaj vajtojcash Nuk na ka më zemra. GJETHE KUJTIMESH Vjeshtë me velenxë gjethe kujtimesh. Këto gjethe, tullumbace ajri, shkundur supeve të gërryera të mallit, trazuar erërave të thara buzëve të djegura, braktisur. Sythe të fjetura, në pritje të një çap zgjimi. Pranvera dremit, nën gjethe të vyshkura harrimi. Shkunden, bien nxitimthi gjethet supeve, lloha ngrënë. Mbrapa, ca spërdredhje dallëndyshesh, nën strehë qerpikësh, mbështjellë me heshtje harrese, në ikje lënë. Këto gjethe vjeshte kujtimesh më sjellin, më sjellin shirat e ngrohta të vendlindjes vaditëse të të miave rrënjë. Më sjellin, më sjellin: Erërat - krehër, që më krehin flokët, diellin - buzë që më puth ballin, hënën - fill argjendi që më qëndis shtatin, qiellin - pelerinë yjesh që më mbulon shtatin, pyjet - ëmbëlsi që më shtrëngojnë fort në gji, lumin - magjistar që më thur magji. Këto gjethe kujtimesh, frymë frymimi, zjarrit të zjarreve. Janë aty këto gjethe, të përflakura, ruajtur në sythe sythesh marsi, në bulëzat e mollëzave të gishtave aromë manushaqesh. Këto gjethe kujtimesh, mbështjellë me hoje mjegullash ari ngjisin e zbresin shkallët e mallëngjimit. Ah, këto gjethe, këto gjethe, këto gjethe! I ninullojnë pranverës tek çapit mbi supe resh, nuse ëndrrash me duvak. Të gjitha nga pak, nga pak, shuajnë mallin që përvëlon në gji shallë ujvarash varur qiellit ditë e natë. Ngarkuar vjeshta me gjethe të arta malli dot s’i rrëmben e kalb dimri kurrë s'ka për t'i tharë acari.

9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page