Vërtet i përjetuar, … e përjetuam
Fatmir Terziu
“Një grusht dhe nga fshati i braktisur” thotë autori është një tregim i jetuar. I tillë m’u duk edhe mua si lexues, që nuk e njoh atë zonë. E besova dhe fshiva sytë, por edhe atëherë më dukej i tillë. E dini pse? Më mjaftoi kaq: “Fshati Piqeras është i vendosur në një pllajë që ngrihet nga ana e detit në një lartësi mbrojtëse nga pirateria, si vapor gjigant që zgjatet afërsisht një kilometer.” E kush tjetër nëse nuk e përjeton e di të fshehtën e një fshati? Ja pra shkrimtari, Kostandin Vogli, na ka bindur me një të shkruar tipike, origjinale, të thjeshtë e mjaft domethënëse. Që të mbetet e tillë vazhdojmë paksa: “Pjerrësia i kullon ujërat e tepërta, por i rrit pemët të larta. Prandaj këtu ka patur gjithmonë një bukuri natyrore, që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Nga ana lindore, në të gjithë gjatësinë shtrihet lugina e Bunecit me gjirin e saj të mahnitshëm.” Edhe kjo cilësi e dhuruar nga Zoti, nga natyra dhe qasja e vendndodhjes e plotëson tërë formën e një tregimi të tillë. Se nëse do të ishte ndryshe, kur e kuptojmë, se ajo që po tregohet është thjesht një histori, na bënë të mbetemi me të thjeshtën e kësaj historie, me ndjenjën e atij tregimi.
Ndjejmë se nuk po ndodh më, ajo që duhej treguar. Kur e kuptojmë historinë që po thuhet, ato janë vetëm fjalë, kur thjesht mund të shkërmoqen dhe hidhen për të nxjerrë me narativin e diskursin e tij atë që mban peng të kaluarën te mbluar me pluhura e në plehra, dhe atëherë kuptojmë se kush do të jetë ajo që kishte ikur diku në këto ikje të pafundme, nga braktisjet, se atëherë folja ndërron kohë: “Si nuk u doli në rrugë asnjë plak të paktën sa të çmallej dhe të ndërronin dy fjalë. Këtë dëshirë u shprehu , por ja dhe shtëpia e lindjes, e cila ja ndërpreu të gjitha mendimet dhe dëshirat e çastit. Një brengë ndjeu, një shtërngim në grykë, sikur do të mbytej dhe pa e kuptuar lëshoi një varg lotësh. Nuk i lëshoi ajo. Lotët i erdhën vet. Ishin lotë malli, lotë nostalgjik, lotë që u derdhën për të njomur shkretëtirën që përvëlonte jo vetë oborrin e shtëpisë së saj, por të gjithë fshatin.” Pra dikur ishte ndryshe? Dhe këtë e rrëfen vetëm diskursi i përjetimit, diskursi i një kohe të jetuar, që ka zbritur në platformën e shkrimit për të treguar.
Dhe me këtë të treguar mëson se edhe atje është e pandashmja e trungut shqiptar jug-veri, edhe atje është “mali i Lavanit që quhet Maja e Hasit” se edhe ndodhet “një shtëpi, (tani e braktisur)”. Po zbrazet trungu?
Ndoshta është një plagë, që kërkon të thajë lotët e mallit se aty “Një ditë të bukur të muajit gusht, në qëndër të fshatit ndaloi një veturë. Prej andej zbritën tri gra, ku ndërmjet tyre një e moshuar 90 vjeçare.” Dhe kjo ardhje zbulon “Kalldrëmin që gjarpëronte deri tek shtëpia e saj”, në sytë e saj dhe në një ëndërr që zbulohet nga narrativi tek “Tatiana që tani jeton familjarisht në Itali dhe kushërira e saj Antigoni me të birin Julianin shofer”. Në këtë diskurs fjalitë e spikatura bëjnë të tërën e duhur: “Thatësia për njerëz e hutoi, por nuk tha asgjë.”; “Si nuk u doli në rrugë asnjë plak të paktën sa të çmallej dhe të ndërronin dy fjalë.”; “Një brengë ndjeu, një shtërngim në grykë, sikur do të mbytej dhe pa e kuptuar lëshoi një varg lotësh. Nuk i lëshoi ajo. Lotët i erdhën vet. Ishin lotë malli, lotë nostalgjik, lotë që u derdhën për të njomur shkretëtirën që përvëlonte jo vetë oborrin e shtëpisë së saj, por të gjithë fshatin.” Etj. e më pas syri bën krahasimin duke paqtuar mendjen: “Zor se mund të gjesh të paktën në pellgun e Mesdheut fshat me një pamje më mahnitëse, pamje më piktoreske nuk më kanë zënë sytë as në Greqi, e cila ka me mijëra panorama të rralla. As në Itali ku kam shëtitur në vënde mjaftë të bukura. Po, si Piqerasi im, nuk ka!” e si mund të mos kishte këtë marëveshje prania mentale që zhbirron diskursi e së kaluarës, kur “Po i vinte si një fishkëllimë nga errësira e së shkuarës, prodhimi nga kodrat e konjakut, apo nga baçet e ullinjve dhe agrumeve.”
Mjeshtërisht autori na bën të kuptojmë se ende vazhdojmë të përjetojmë tregimin, duke na prurë qartë dhe pastër: “Nga ajo errësirë nuk e humbi shikimin si nata, por po kthjellohej si në prag të agimit. Ajo tokë edhe e mbuluar nga bari i krisjes nga braktisja e saj, përsëri ka ushqyer zogjtë e shumëllojshëm dhe e mbushi shpirtin me shpresë. Ja një hardhucë e verdhme po mbijeton dhe ajo së bashku me zoqtë e qiellit. Përsëri oborri i saj kishte ushqimpër gjallesat. Aty gjenin fara për ushqim dhe pinin vesën e mëngjesit.”
Mbyllja është një preambulë e thirrjes së shpirtit, është si një britmë që të rrëmben dhe ndaj unë preferoj të mos ia prish bukurinë e saj: “Dheu i vëndlindjes. Baltë nga mitra e saj. Nga toka ku kam lindur unë e jam rritur e ku për herë të parë kemi qarë. Ai kënd toke, me ato rrënjë hardhie e ullinjë, ka kërkuar mëshirë për përkujdesje, duke kujtuar se mbi kurmin e saj ka ndier shkelje të renda, me djegje nga luftërat, rjepur nga cingërimat e tufanet dhe nga mungesa e njerëzve të saj, mall. E la me mallëngjim shtëpinë e saj, të cilën mendoi se e pa për herë të fundit dhe zbritën në qëndër të fshatit. Qentë po flinin të pa shqetësuar nën hijen e ullirit, ndërsa nga klubi i vogël po vinin zhurma të shqetësuara. Me siguri ndonjëri prej tyre kishte bërë ndonjë hile në letra ose domino. I vetmi banor që u foli ishte prifti, i cili sa i pa, vrapoi në portë të kishës dhe u bëri ftesë të hynin brënda. E pranuan ftesën dhe hynë në sallën e ndriçuar me qirinjë, si ditë e Diel që ishte të ndiznin edhe ato disa qirinjë për shpirtrat e të vdekurve. Aty e parafytyroi si më parë sallën e kishës plotë me njerëz dhe u shpreh me zë. “Ndofta ndonjë ditë do të rikthehen shumë prej tyre. Është për të ardhur keq që ky fshat PERLË të braktiset”. “AMIN” shprehu kënaqësinë prifti. Dhe si plakë e moshuar që është bëri kryqin para kishës, duke përsëritur disa herë me zë. “Kthei o Zot të gjallërohet përsëri fshati!”
Nëse do të duhet ta rilexojmë, do na duhen pako me copëza të buta letre për … Dihet roli i syve në këtë rast. Bukur!
Kostandin Vogli
Pr. Dr. Fatmir Terziu ju falnderoj per shpejtesine e pergatitjes te ketij komenti shume domethenes. Mua me kenaqet shume jo vetem me gjetjet e bukura re komentit, por mu duk e pabesushme pas ppak oresh deshira juaj per ta komentuar dhe ti jepni tregimit me shume vlera. Ky koment eshte dhe nje shtyse per ta lexuar sa me shume letersidashes. Ju fallnderoj Fatmir . Ju keni shkruar shume here per mua. Pershendetje
Timo Merkuri
Vertet nje perjetim mjeshteror nepermjet penes se nje mjeshtri dhe miku. Falnderime dhe prej mejeFatmir Terziu.