top of page

Vërtetë ne kemi...


Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë.


Kjo thënie e At Gjergj Fishtës shpreh në mënyrë të plotë thelbin e harmonisë fetare që përjeton në shekuj populli shqiptar. Të njëjtën gjë kish shprehur Vaso Pasha një shekull më parë. Një vit mbas vdekjes së At Gjergjit u botua në Shkodër një libër mbi jetën e tij. Në atë libër ka një episod shumë mbresëlënës. Në ditën e përvjetorit të pavarësisë një pllakatë që përkujtonte pavarësinë e shtetit shqiptar u çfaq në sytë e shkodranëve në hapsirën midis xhamisë dhe kishës katolike. Pllakata ishte nga njëra anë e lidhur në këmbanoren e kishës katolike dhe në anën tjetër ishte e lidhur te minarja e xhamisë. Autoritetet katolike austro-hungareze i dërguan fjalë At Gjergjit që t'a hiqnin atë pllakatë përndryshe do e qëllonin me top. Përgjigjja e At Gjergjit ishte: Aq më mirë, qëllojeni, do ishte akoma më shumë e respektuar. Deshën s'deshën austro-hungarezët u tërhoqën përpara këtij qëndrimi të At Gjergj Fishtës. Që i vogël jam ushqyer dhe rritur me ndjenjën e respektit si për fenë e para ardhësve të mij ashtu edhe me respektin për Kuranin dhe fenë islame. Si qytetar më preokupon shqetësimi që shkaktohet prej qëndrimeve të përsëritura, të paramenduara e jo civilizuese të politizimit të feve.

Mundësia që një ditë rituali islamik i faljes së Bajramit do të ishte një pretendim dhe më pas i aplikueshëm në sheshin qëndror publik të kryeqytetit, kjo ndoshta nuk i kishte shkuar në mendje shumë njerzve. Tashmë është realitet. Megjithatë prej kohësh rituali i faljes në shesh është në rrugën e tij të mbarë e të pakthyeshme për të okupuar sheshe publike si në Tiranë edhe në disa pjesë të Evropës. Shpesh është vënë në dukje se Islami është një fe politike, madje ka disa intelektualë që mbështesin opinionin se është pothuajse tërësisht politik. Cilido qoftë proporcioni ose raporti i saktë i politikës me fenë, nuk janë të paktë ata që mendojnë se është e vështirë të mohohet prania e dimensionit politik në Islam dhe në fetë e tjera. Arsyetojnë se në fund të fundit, Muhamedi ishte një komandant lufte. Historiani kanadez Richard A. Gabriel citohet të ketë thënw: “Në të menduarit dhe aplikimin e forcës, Muhamedi ishte një kombinim i Karl von Clausewitz dhe Niccolo Machiavelli, sepse ai përdorte gjithmonë forcën në shërbim të qëllimeve politike. Ideja e Muhamedit si një ushtarak do të jetë e re për shumë njerëz. Megjithatë, ai ishte vërtet një gjeneral i madh”.

Ai e pushtoi të gjithë Arabinë dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër pas vdekjes së tij, pasuesit e tij pushtuan një zonë më të madhe se Perandoria Romake. Sejid Abul A'la Maududi, filozof pakistanez, një nga teoricienët islamikë më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë, shkroi fjalë për fjalë se "Islami kërkon tokën - jo vetëm një pjesë, por të gjithë planetin".

Koha ka treguar se edhe pse islamistët mendojnë globalisht, ata janë mjaft të durueshëm dhe shumë insistues për të vepruar në nivel lokal. Besimtarët e vërtetë janë të aftë e të duruar që t'a gërrmojnë pusin me lugë.

Në dy dekadat e fundit ka ndodhur që në disa qytete evropiane krejt zakonshëm detyrohesh të shmangesh në një rrugë të tërthortë sepse rruga përpara është e bllokuar nga myslimanë të gjunjëzuar në ritual lutje. Këto janë manifestime të tilla që prej disave komentohen si të qëllimshme mbasi kanë për qëllim që të tregojnë se nuk ka mjaft xhami dhe se për këtë arsye qeveria duhet të paguajë për të ndërtuar më shumë. Me pak fjalë pikësynohet që pikërisht në atë copë vend të formulohet zyrtarisht një pretendim territorial. Kjo sjellje, sipas VVilliam Kilpatrik autor i disa librave në Boston College, është versioni islamik i sjelljes imponuese "ne jemi këtu, ne vërtetë jemi të çuditshëm dhe ne do e përmbushim këtë qëllim mu përpara syve tuaj". E thënë në një mënyrë që qëndron më afër përmbajtjes politike në këtë rast: “Ne jemi këtu, jemi shumë prej nesh dhe jemi gati për një përballje. Na jep atë që duam, ose ne mund ta bëjmë jetën tënde të pakëndshme.” Kështu, në emër të tolerancës shumë prej tregjeve tradicionalë të Krishtlindjeve në Evropë u janë dhënë emra të rinj, jo ofendues për myslymanët, sipas autoriteteve zyrtare. Tregu i Krishtlindjeve i Amsterdamit tani është emërtuar "Parada e Dimrit", tregu i krishtlindjeve i Brukselit tani është emëruar "Kënaqësia dimërore" dhe kështu me radhë në Gjermani – “Tregu i dimrit” dhe "Festivali dimëror", pra çdo gjë përveçse "Tregu i Krishtlindjeve". A mund të imagjinoj ndonjë se kjo gjë mund të ndodhë në qytetet e botës myslymane!! Në Luksemburg, para dy vjetësh një festë e Krishtlindjeve në shkollë u shty për shkak se një student mysliman u ankua për këndimin e këngëve të Krishtlindjeve. Në Londër, Grupi Parlamentar Gjithpartiak për Myslimanët Britanikë lëshoi një raport “vlerash përkujdesëse” që synonte të evidentonte vëmendjen ndaj humanizmit të muslimanëve gjatë Krishtlindjeve. Raporti titullohej "Një Krishtlindje shumë e gëzuar myslimane". Gazetat europiane evidentojnë qartë se myslimanët në fakt kontrollojnë një numër në rritje të rrugëve publike në shumë qytete europiane. Kur myslimanët migrojnë nëpër Evropë, janë të prirur që të mblidhen nëpër geto, disa prej të cilave kanë fituar dhe janë të pajisura me etiketën "zona të ndaluara" sepse janë kryesisht të ndaluara për jo myslimanët. Si të zgjuar nga një gjumë i thellë e i gjatë europianët por edhe shqiptarët e popuj të tjerë ballkanas po zbulojnë se grupe dhe komunitete të përqëndruar në xhepa të tillë të popullsisë ofrojnë shumë përfitime politike. Disa vëzhgues me të drejtë thonë se këto enklava myslimane janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për të islamizuar atë zonë ku vendosen. Drejtuesit myslymanë të këtyre enklavave veprojnë fuqishëm për të penguar asimilimin në kulturën vendase, gjë që u mundëson dhe lejon udhëheqësve myslimanë të fitojnë një shkallë të lartë kontrolli mbi atë popullsi myslimane. Përveç kësaj, “zonat e ndaluara” lehtësojnë shumë formimin e blloqeve elektorale të votuesve dhe e bëjnë shumë më të lehtë për aktivistët myslimanë të ushtrojnë presion ndaj qeverive lokale dhe kombëtare. Në emër të këtyre grupeve votuesish shpesh bëhen kërkesa në instancat shtetërore dhe po aq shpesh funksionon përmbushja e kërkesave. Kjo ka ndodhur e ndodh në Angli, në Gjermani, Francë, Amerikë, etj, etj e edhe në Shqipërinë tonë të vogël. Pavarësisht nëse kërkesa e “zonës së ndaluar” është për menu ushqimi hallall, për dhoma lutjesh në shkolla, ambiente të veçanta larjeje, etj, etj, myslimanët evropianë e shqiptarë zakonisht e marrin atë që duan.Të gjitha këto ndodhin në botën perëndimore, aty ku në maksimumin e mundshëm shfrytëzohet e drejta për barazi dhe liri e të drejta njerëzore. Studjuesit vërejnë që Perëndimi ka treguar se është pafalshmërisht i hapur e tolerues përtej caqeve të lejuara shoqërore me të ardhurit nga bota arabe në kurriz të popullatës tjetër vëndase. Konstatim i drejtë? Koha është dëshmitare. Intelektuali egjiptian Khaled Montaser, shef i dermatologjise në spitalin e Kanalit të Suezit shkruan në librin e tij: “Ne myslimanët kemi një kompleks inferioriteti dhe jemi tmerrësisht të ndjeshëm ndaj botës. Të fiksuar pas konvertimit, gjithmonë në kërkim të vërtetimit nga jashtë, feja jonë islame ka nevojë për konfirmim të vazhdueshëm e praktikisht të përditshëm, nëpërmjet konvertimit të njerëzve evropianë dhe amerikanë në Islam. Kompleksi i inferioritetit ushqen te myslimanët urrejtje dhe zili, sëmundje që prej kohësh ka ardhur duke u bërë më vepruese e më e prekshme ”. Profeti Muhamed i këshillon besimtarët: “Zemërimi prish besimin dhe fenë e dikujt. Bëhu një fqinj i mirë me ata që të rrethojnë dhe do të jesh një musliman i vërtetë”.

Studjuesit mendojnë se myslymanët zbulojnë gjithashtu kompleksin e tyre të inferioritetit sa herë që një mysliman braktis publikisht besimin. Nuk e pranojnë “divorcin” e besimtarit myslyman me besimin. Njëlloj si në rastet kur një burrë të cilin e ka ndarë apo tradhëtuar gruaja, i thyer në besim e në depresion të thellë, nën peshën e kompleksit të inferioritetit, gjëja e parë që mendon dhe bën është dhuna fizike ose vrasja e gruas. Asnjë feje nuk i pëlqen që të humbasë adhuruesit, por vetëm Islami përdor kërcënime me jetë për të mos lejuar që anëtarët të largohen. Sheriati urdhëron ndëshkim të rëndë të atyre që largohen nga besimi, duke shpresuar te imponimi i frikës për të shuar përhapjen e dyshimit midis masave të tij. Edhe pse përpiqemi që t'i injorojmë këto fakte ngaqë kemi një raport të padrejtë me të vërtetën, kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Këto ekzistojnë dhe shkojnë deri aq larg sa kemi rastin kur para pak kohësh në Tiranë një artist i vetquajtur intelektual deklaron në TV me zë kërcënues se: “në rast se ti më shan mua profetin tim, unë ty të vras”.

Deri para 30 vjetësh myslymanët e Shqipërisë nuk janë falur në sheshet qëndrore të qyteteve. Në sytë e të gjithëve këto 30 vjet ka filluar e zhvillohet rivaliteti i ekspansionit për sheshin “Skëndërbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Para pak vitesh ndodhi që në një falje Bajrami, u arrit që në foton e Faljes në një farë mënyre të fshihej monumenti i Skëndërbeut. Në media një shpjegim naivësh u dha. Këndi nga u muar fotoja shkaktoi mbulimin e Monumentit, prandaj mos i vini kaq rëndësi, s'përbën problem, ishte sqarimi. Çudi. Në foton zyrtare të një feste kaq madhështore tregohenn besimtarët e panumërt duke u falur në shesh por mungon në sfond xhamia dhe minarja e saj kaq e dukëshme realisht!! Pse sakrifikohet xhamia në foto? Pse na intereson më shumë që në një foto zyrtare festa të jetë me monumentin e Skënderbeut të fshehur në ballë të Faljes? Thënë ndryshe; “Ne jemi këtu në shesh përballë Skëndërbeut prej 25 vjetësh dhe jemi aq të duruar e këmbëngulës sa të presim edhe 30-40 të tjera që ashtu si një banori që jeton më shumë se 20 vjetë në një banesë i lind e drejta e privatizimit, ashtu edhe ne me ndihmën e Allahut do përmbushim ëndrrën tonë për një Xhami të Madhe në sheshin qëndror të Tiranës, në vend të Skëndërbeut, mu përpara syve tuaj. Transformime vendesh e objektesh kulti historia i ka me shumicë. Skënderbeu në atë shesh është si simbol i unifikimit të shqiptarëve. Përfaqëson kryeshqiptarin e shqiptarisë, që si një dhuratë nga Zoti në emrin e tij Gjergj kastrioti dhe Skënder pasqyron simbolikisht mirëkuptimin dhe harmoninë fetare të shqiptarëve.

Mendoj gjithashtu se nuk do të jetë e largët dita kur komuniteti myslyman do i paraqesë një peticion Bashkisë së Tiranës që, të ndalojë dekoret me simbole të Krishtlindjeve sepse është një manifestim që lëndon ndjenjat tona fetare. Ju festoni Krishtlindjet dhe uzurponi bulevardin dhe sheshin qëndror me zbukurimet e krishtera, ne festojmë Bajramin duke i dhënë Tiranës pamjen e Mekës në miniaturë. Ju na shurdhoni me oshëtimën e këmbanave, ne u kundërpërgjigjemi me altoparlantët e xhamive. Myslimanët i kanë numrat, vullnetin, durimin dhe këmbënguljen që ta bëjën këtë dhe mendoj se do t'a bëjnë edhe se kanë një shtysë më shumë: revanshin nën kompleksin e inferioritetit. Nuk ka munguar thirrja e Profetit Muhamed për besimtarët: “A e dini se çfarë është më e mirë se sadakaja, agjërimi dhe namazi? Eshtë ruajtja e paqes dhe e marrdhënieve të mira mes njerëzve, pasi grindjet dhe ndjenjat e këqija shkatërrojnë njerëzimin”. (Muhamedi dhe Buhariu). Kam bindjen e palëkundur se deri para 30 vjetësh myslymanët shqiptarë në mënyrën më besnike i kanë qëndruar këtij mësimi të profetit Muhamed.

Nuk mund të mos bëhet pyetja: Kush e solli në Shqipëri këtë dëshirë për rivalitet dhe ekspansion fetar? Pa dyshim Politika, që e nxiti dhe e solli rivalitetin për qëllimet e saj të mbrapshta politike. Përgjigjja fshihet pas ngërdheshjeve të politikanve që nguten kush e kush më parë të takojnë krerët e besimeve fetare në festat e ditëve të shenjta.

Çfarë e mbante balancën mirëkuptuese ndërfetare më përpara? Mënçuria e elitës intelektuale shqiptare dhe mbi të gjitha Urtësia e drejtuesve të besimeve fetare që të mirëkuptuar me njëri tjetrin dhe në emër të bashkëjetesës ekzistenciale shqiptare e mbajtën larg politikën. Në festimet e Bajramit pjesa e rendit të ditës është falja dhe lutja, pjesa tjetër e çfaqjes në shesh përmban nuancat e manifestimit të supremacisë, të sfidës ndaj besimeve të tjera dhe në këtë mënyrë kompensim lumturor të kompleksit të inferioritetit. Myslymanët, të krishterët dhe komunitete të tjera shoqërore ndajnë një dëshirë për të monopolizuar sheshin publik. Duhet të kemi parasysh se gjatë dekadave të diktaturës, me vullnetin urdhërues të Partisë së Punës, të krishterët dhe myslymanët shqiptarë nuk lejoheshin që në publik të festonin festat e shenjta. Fshehurazi në shtëpitë e tyre i bënin ritualet. Madje reciprokisht të krishterë e myslymanë shkëmbenin vizita e urime te njëri tjetri duke shmangur ekspozimin publik. Martesat dhe kumbarët e feve të ndryshme ishin krejt të natyrshme atëhere por edhe sot gjithashtu. Festa zyrtare ishte Viti i ri.

Parimet bazë mbi të cilat është themeluar demokracia janë liria dhe barazia. Në një vend me shumë fe, me një balancë sociale mjaft të brishtë, të privilegjosh njërën në kurriz të tjetrës do të thotë të biesh në kundërshtim me parimet e barazisë dhe lirive e të drejtave njerëzore. Etërit e krijimit të shtetit shqiptar dhe drejtuesit e mënçur të komuniteteve fetare shqiptare kanë pasur dhe ndjekur një vizion unifikues, balancues dhe shumë mirëkuptues të besimtarëve të krishterë katolik e ortodoks me ata myslymanë. Ata sëbashku bën të mundur që të modelojnë dhe aplikojnë “modelin shqiptar” të Islamit, një nga vlerat e vyera të shoqërisë shqiptare. Bazuar në veçoritë shoqërore të një kombi ekziston një “model kombëtar shqiptar Islami”. Veç rastit shqiptar këtë model kombëtar e konfirmon qartë “modeli perëndimor iranian “ i Islamit në epokën e Shahut Mohammad Reza Pahlavi dhe mbas tij epoka e Imam Ayatollah Khomenei me “modelin obskurantist” të Islamit iranian sot. Politika luan rol përcaktues progresiv ose regresiv në modelin e Islamit që ndjek një shqoëri. Në një kulturë demokratike, respekti i besimtarëve për besimtarët e tjerë përveçse është një kompromis, është edhe një kërkesë e besimit të besimtarëve.

Shqiptarët duhet të ruajnë si të shenjta vlerat e bashkëjetesës e të harmonisë fetare. Në emër të ekuilibrit ekzistencial të shoqërisë shqiptare si të krishterët edhe myslymanët apo edhe komunitete e tjera duhet të heqin dorë e të kufizohen nga festimet fetare në sheshet publike. Duhet të shmangin çfaqjet sfiduese të simboleve fetare nëpër ambjente që janë pronë publike e të gjithëve. Të festojnë gëzueshëm e në harmoni nëpër shtëpitë, kishat e xhamitë e tyre, duke respektuar ndjenjat fetare të çdo shqiptari, mbi të gjitha në emër të Shqiptarisë. Përpara sesa të çfaqen tronditje shoqërore mbi baza fetare. Ceremonia festive vjetore e myslymanëve bektashinj jashtë shesheve të qyteteve, nëpër shtëpiat dhe në objektet e kultit është shëmbulli më i mirë i festimeve fetare.

Faik Konica shkruante: “Ka patur një habi, si të turqve edhe të grekëve, kur shihnin tolerancën e ndërsjellë të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë. Një zyrtar turk i ka thënë H. F. Tozer-it tre çerek shekulli më parë: “Muhamedanët këtu nuk janë muhamedanë të vërtetë dhe të krishterët nuk janë të krishterë të vërtetë.” Natyrisht nuk kanë qenë, sa kohë dhe nëse kërkesat për të qenë të krishterë e myslimanë të mirë ishin mos toleranca e ndërsjelltë dhe përleshja fytas, siç ndodhte si rregull në pjesët e tjera të perandorisë turke”.

Dhe bënte pyetjen: “Ç'ka të bëjë myslimanëria dhe krishtëria me Shqiptarinë?”

Shqiptarët besimtarë e jo të tillë nuk e zgjedhin kohën në të cilën jetojnë, e vetmja zgjedhje dhe përgjegjësi që kanë është si t'i përgjigjen asaj.

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page