top of page

Ura e Uddevallas që bashkoi krijuesit


Ura e Uddevallas që (ri)bashkoi krijuesit

Prof Dr Fatmir Terziu


Ndërsa në Uddevalla do të Suedisë zhvillohej Festivali i Parë Ndërkombëtar i Poezisë “Ura” në një revistë të marë me vete në udhëtimin nga Borås drejt këtij qyteti në makinën familjare të dy anëtarëve të shoqatës „Migjeni“ autorë librash, Aleksandër dhe Anxhela Ziso, lexoja mendimin e të mirënjohurit të medias dhe ekranit britanik dhe më së shumti të emisionit britanik „University challenge“, Jeremy Paxman që në thelb shkruante se „poezia duhet të jetë më tërheqëse rreth fuqisë së formës së artit.“ Ishte e hëna e 5 qershorit, që në Göteborg kishte lënë një ditë më parë trokthet e kuajve mbretërorë të Suedisë që përgatiteshin për festën Kombëtare e në skaj të urës së madhe do të shikoje tërë atë grumbullim qytetar për këtë festë që shijohej me pije e ushqime rruge. Por syri në këtë rast luante vetëm rolin e bllokut të shënimeve e mendja udhëtonte enkas në bibliotekën Rampen në qytetin Uddevalla të Suedisë, ku u mbajt Festivali i Parë Ndërkombëtar i Poezisë “Ura” me poetë pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Anglia, Zvicra dhe poetë lokal nga Udevalla, Göteborgu e nga qyteii Borås, që interpretuan poezitë e tyre në shqip, suedisht, anglisht, dari, arabisht e bullgarisht…


Themeluesi dhe nikoqiri i festivalit poeti Rizah Sheqiri natyrisht ishte i pari që na dhuroi mirëpritjen atë ditë dhe në ambientet e bibliotekës në fjalë natyrshëm ndihej festivja dhe emocionalja. Kjo nuk zgjati shumë pasi në mjedisin tip tetri të kësaj biblioteke, që funksionon edhe si një mjedis shkollor, rinor e më gjerë zunë vend të ftuarit. Kështu hajpa e Festivalit të Parë Internacional të Poezisë e të Letërsisë u bë nga poeti e shkrimtari Rizah Sheqiri, që sikurse e cituam ishte dhe themelues dhe nikoqir i festivalit “Ura”, pra aty në amfiteatrin e Bibliotekës Rampen të Uddevallës.

Fjala hyrëse shqip e suedisht nga Rizah Sheqiri dukej se tingëllonte bukur edhe në gjuhët e tjera. Sakaq e përcjellim në origjinalin e saj dhe po aq edhe në gjuhën e bukur shqipe: “Ordet det vackra och fria, det skrivna ordet är den bästa bron mellan språk, kulturer och människor. Detta är syftet av festivalen “Ura” - Bron som vill få språk, kulturer och människor att komma närmare varandra. Vi startar den här internationella poesifestivalen för att grunda en fast bro av ord i syfte om att bli traditionell.“ (Fjala e bukur dhe e lirë, fjala e shkruar është ura më e mirë ndërmjet gjuhëve, kulturave dhe njerëzve. Ky është qëllimi i festivalit “Ura” (Bron) – Ura që dëshiron të afrojë gjuhët, kulturat dhe njerëzit. Po e nisim këtë festival ndërkombëtar të poezisë për të krijuar një urë solide fjalësh me synimin për t'u bërë tradicional) (Rizah Sheqiri)

Pas hapjes zyrtare Festivali në mënyrë simbolike nisi me poezinë e Rizah Sheqirit “E di fëmija ç’është Liria” të cilën e recitoi nxënësja e klasës së pestë Ioona Jorgollari, e cila poashtu e lexoi një nga poezitë e saj, që ngjalli mjaft emocionet në atë amfitetarë të bukur të prindërve të saj poetes dhe publicistes së mrekullueshme Gladiola Jorbus dhe babait të saj të dedikuar Arjanit, po ashtu dhe të gjithë sallës. Kështu Festivali dukej se kishte filluar të ndërtojë urën simbolike. E në këtë pikë doli në skenë libri studimor “Influenca diskursive të krijimtarisë shqiptare në Suedi”, me të cilin vitet e përgatitjes dhe realizimit në botim tashmë shihnin dritaren e madhe dhe urën e këtij Festivali që ndërlidhte kulturat, pasi dhe vetë studimi kishte këtë pikë.


Pra Festivali nisi punën me pjesën kryesore ku u bë prezentimi i studimit “Influenca diskursive të krijimtarisë shqiptare në Suedi” të Fatmir Terziut në shqip e anglisht. Për këtë dhuratë nga më të çmuarat, sipas R. Sheqirit, që iu bë këtij festivali dhe gjithë komunitetit shqiptarë, veçanërisht krijimtarisë së krijuesve në Suedi, në emër të festivalit, në emër të gjithë krijuesve letrar në Suedi e më gjërë, në emër të Shtëpisë Botuese R, të cilën e drejton ai, si dhe në cilësinë e themeluesit dhe drejtuesit të Festivalit të Parë Internacional të Poezisë “Ura” dhe në emrin e tij personal falenderoi shkrimtari dhe poeti Rizah Sheqiri, i cili ndër të tjera u shpreh: “… Ky studim letrar i pari i këtij lloji për shkrimtarët e Suedisë dhe më gjërë, është i një rëndësie tepër të veçantë. Një studim i bërë me kompetencë shkencore nga një studiues i mirëfilltë Prof. Dr Fatmir Terziu, i cili është nga të parët studiues që në mënyrë kaqë serioze bën këtë studim të këtij lloji krejt të veçantë të për trajtimin e vlerave letrare që sjellë letërsia që krijohet në diasporë, konkretisht në Suedi. Prandaj studimin dhe botimin e tij unë personalisht e vlerësoj si një nga ngjarjet e rëndsisë së veçantë kulturore e historike. Prezentimi i këtij studimi në festivalin e dymbëdhjetë “Sofra poetike” në Borås më 3 qershor dhe më 5 qershor në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “ Ura” në Uddevalla,në vigjilie të 500 vjetorit të themelimit të Suedisë dhe për nder të ditës kombëtare të Suedisë 6 qershorit, merrë edhe një dimension tjetër të një rëndësie të veçantë dhe vjen si një mirënjohje, nga më të lartat, ndaj vlerave njerëzore kulturore e letrare që krijohen në Suedi, qoftë nga vendasit qoftë edhe nga krijuesit shqiptarë që veprojnë e krijojnë këtu. Prezentimi i këtij studimi të veçantë në këto rrethana i jep edhe më shumë kuptimësi gjithë aktivitetit letrar e kulturor të këtyre ditëve dhe e nderon në mënyrën më të mirë komnitetin shqiptarë dhe miqët e tij suedez duke e pasqyruar denjësisht e me shumë kompetencë prej studiuesi gjithë vlerat, angazhimin e intelektualëve shqiptarë, krijuesëve letrar e artistisk, qoftë si individ qoftë si kommunitet, edhe në raport me vlerat që krijohen në atdhe dhe me ato vlera që krijohen, vlerësohen e lartësohen në Suedi. Këta krijues letrar me krijimtarinë e tyre, me fjalën e tyre artistike, me punën e kontributin e tyre janë bërë ura të qëndrueshme miqësie mes letërsish mes kulturash, mes gjuhësh e mes popujsh.

Në studimin e tij “Influenca diskursive të krijimtarisë shqiptare në Suedi” prof. Dr. Fatmir Terziu trajton, shqyrton e analizon edhe shumë aspekte tjera të kriimtarisë letrare e artistike të krijuesëve tanë, qofshin ata poet, shkrimtar, historian, eseistë a gazetar, që punuan, vepruan e krijuan dhe që punojnë, veprojnë e krijojnë në Suedi. Krijimtaria dhe kontributi i tyre pasqyrohet më mirë se kudo tjetër në këtë studim të thukët, të bërë me kompetencë e ndjesi prej një analisti, studiuesi dhe krijuesi me shumë eksperiencë. Falenderime të përzemërta prof. dr Fatmir Terziu që na nderove neve, komunitetin krijues e letrar shqiptarë këtu në Suedi, qoftë ata që vepruan para nesh, qoftë ata që veprojnë e krijojnë sot, por edhe ata që do të vijnë pas nesh. Studimi juaj ju bën nder edhe miqëve tanë të shumtë krijues suedez që vazhdimisht kanë qenë dhe janë një ndihmë e madhe për ne. Këtë nder do ta përjetojnë edhe ata aqë më tepër kur ky studim shumë shpejtë do të përkthehet e botohet pos në gjuhën angleze edhe në gjuhën suedeze. I nderuari Prof. Dr Fatmir Terziu juve ju urojmë shëndet e shumë suksese të reja në punë e në jetë, ndërsa studimit tuaj sa më shumë lexim, analizë e shqyrtim nga lexues, krijues si bazament i fortë e pikë referimi për studiues të sotshëm e të ardhshëm!…”- tha mes të tjerash shkrimtari Rizah Sheqiri në paraqitjen e librit

Në Udevalla kishte tashmë festë. Kishte mbërritur fakti i prezantimit masiv. Ora e poezisë, lexim poezish nga autorët e ftuar në gjuhë të ndryshme; shqip, suedisht, anglisht, persisht, arabisht e bullgarisht. E në skenën e amfietatrit dolën Migena Arllati ( Kosovë), Flurura Maçi (Shqipëri), Britta Stenberg (Suedi) Fatmir Terziu ( Angli), Rizah Sheqiri, (Suedi), Gladiola Jorbus, Sokol Demaku, Anxhela Ziso dhe Bahtir Latifi nga Borasi

Lexim poezishë nga mysafirët e festivalit dhe nga poetët lokal: Fetah Bahtiri, Ruqia Rahimi, Emine Hoti dhe me leximin e një poezie u paraqit edhe Markus Eniarsson poet dhe përgjegjës kryesor për aranzhime kulturore e letrare pranë bibliotekës qëndrore të qytetit në Uddevalla i cili u nda shumë i kënaqur me festivalin në të cilën u paraqitën gjitha moshat nga mosh 12 deri 82. Ai menjëherë pas festivalit bisedoi me Rizah Sheqirin për mundësinë e një bashkëpunimi të ndërsjelltë.

Festivali kishte dhe një pikë të ndjeshme të respektit e cila u shënua me ndarje dhuratash e mirënjohjesh. Kishte gjithashtu, paraqitje, ekspozim dhe nënshkrim librash të rinj të autorëve anëtarë të QKSH “Migjeni” - Borås.


Në fillim të kësaj pjese të festivalit u prezentua antologjia e festivalit të dymbëdhjetë “Sofra poetike“ “Fjalë me krahë”, një antologji me 120 poetë që shkruajnë në 12 gjuhë. Për Antologjinë foli Sokol Demaku i cili moderoi edhe prezentimin e librave dhe autorëve tjerë: Aleksandër Ziso prezentoi librin e tij “Karakteristika të kuzhinës shqiptare”. Anxhela Ziso përuroi përmbledhjen e saj me poezi “Në ritmin e muzikës”, Bahtir Latifi e promovoi librin e tij të ri “Edhe ne jemi bota”. Murat Ajvazi nga Zvicra prezentoi librin e tij “Skënderbeu në dokumentet zvicerane” përkthyer në suedisht nga Hamit Gurguri. Librin për fëmijë” Boken kunskapskällan - Libri burim i dijes” të autores Remzije Sadiku - Alidemaj përkthyer poashtu në suedisht e paraqiti përkthyesi Fetah Bahtiri. Sokol Demaku u rivlerësua për atë çfarë ai bën si një mrekulli më vete dhe si një qasje model në Suedi edhe nga organizatori i këtij Festivali e më gjerë, kur iu dha dhe një mirrënjohje speciale.

Pas pjësës së promovimeve të pranishmit patën rastin të njihen me autorët të cilët ishin në Festival dhe në sallën tjetër të bibliotekës i ekspozuan dhe i nënshkruan librat e tyre për të interesuarit. Festivali u rrumbullakësua me ndarje mirënjohjesh dhe dhuratash nga organizatori dhe me vizitë ambienteve të bibliotekës, me kafe dhe me biseda spontane në mes lexuesve, poetëve e shkrimtarëve të ftuar në festival.

Në thelb duhet theksuar se binte në sy edhe Teksti i afishës i dizajnuar nga shërbimi PR i bibliotekës që ne e sjellim edhe në shqip. „Mirë se vini të shijoni poezitë e shumë poetëve në gjuhë të ndryshme. Ju mund të lexoni një nga poezitë tuaja gjithashtu. Takoni autorët dhe siguroni me nënshkrim librat e tyre të rinj. Festivali organizohet nga Shtëpia Botuese R (R Bokförlag) në bashkëpunim me Qendrën Albakos, Hässleholm, QKSH “Migjeni” në Borås dhe Biblioteken Rampen në Uddevalla. Themelues dhe nikoqir i festivalit është poeti Rizah Sheqiri!“

89 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page