URË E ZERZEBILIT ... Pesëqind vjet kjo urë e shkretë dridhet pikëllimit, pesëqind vjet, veshur në të zeza, dimër - verë. Pesëqind vjet gurënxirë, shkoqur prej rënkimit, shkreton - shkretimi, pa mbirë as bar, as gjeth. Pesëqind vjet dhe korbat që ikin lemerisur, pesēqind vjet tmerr e varre, hëna grabitqare si hobe. Pesëqind vjet që shpirti i lirë na kish braktisur, pesëqind vjet pa shqipe, vetëm ferexhe. ...të vrau plumb' i qafirit, se ngrite perçen e syrit ... Pesëqind vjet që ngashëren kjo urë e Zerzebilit, Pesëqind vjet... LAOKONTI VJEN NË SEZONIN TJETËR ... Dymijë vjet me të njëjtat besëprerje, vese njerëzore, dilema dhe epshe, e njëjta uri hakmarrjeje, të njëjtat brerje, i njëjti Teatër. Humbësit e mëdhenj, ata që gjithnjë dinë të gabojnë, ulen në rreshtat e fundit me çehre të mpakur. Në rreshtat e parë rrinë heronjtë. Pas tyre, të vrarët e pafajshëm, strukur territ, me sy gjithë lagështirë, të lëbardhur, si lotë të patretur. Po ata zēra lumenjsh që llokoçiten me rrokullima gurësh, e u fryjnë shakujve të vjetër. Tretur vajtueshëm, në muzikë lëngimi. Shekujt janë ndërruar, ndërsa syrit ka ngecur e njëjta glaukomë, prej lënde të hirtë pikëllimi. Në të njëjtën tokë, në fantakohë, të njëjtët aktorë. Prijës të lashtë, dhe rioshë, Troja, Helena, Kali dhe skllevërit, në të njëjtën skenë. Në mediat e botës, rrjete sociale, sy të mrehtë. Lajmësit e rremë, fshehur në dukjen e së vërtetës. Komedia anullohet : Laokonti mungon. Do të vijē doemos në sezonin tjetër ...! SHTËPIA E VJETËR NË GJIROKASTËR ... Shtëpia e vjetër e gjysh - stërgjyshërve, është fëmijëria e humbur që s'kërkoi kurrë ta merrja me vete. E tingëllueshme, fije - fije gjer në dhembje, si shkrimet e lashta katalehe, gjak qê lëviz kapilarëve me rrjedhshmëri hareje ... Fotot e saj janë brenda perëndisë muzgullore, ku fshihen fantazmat e ëndrrave, kova e pusit, hapsana e fatit, stera, kamaret, kërkëllimë e menteshave, që varen të gjitha në vrima muri si manto kujtimi ... mbështetur trishtueshëm në traun e harrimit ... Era e marrë, kjo frymë brufulluese e shpirtit, gjen çelsin e fshehur në barkun e dimrit, dhe hap librin e llogarive, kukumatë, qilaret, kasafortën e thesarit, sepetet. Zbret nëpër shkallët e gurit, thellësive, shkallë ferri, të fshijë me duart e gjata, mjegullën e sekreteve. Shtëpia ime e vjetër - muze shpirti me shumë alfabete, si shkrimet e shenjta katalehe...
Comments