top of page

Unë vallen nuk e lë


Unë vallen nuk e lë [1].

Nga Timo Mërkuri

Pas botimit në gazetë të shkrimit “Madheria e saj – Kënga” një miku im, në mbështetje të asaj që shkruaja më tregoi një histori për gjyshen e tij, të cilën po jua sjell juve. Kur qe nuse e porsa martuar, i shoqi qëlloi me dhen lart në male dhe u kthye, ose më mirë u vodh nga kopeja, ditën e Pashkës së Madhe. Erdhi me një frymë i ziu nga mali dhe e gjen të shoqen tek hiqte vallen në shesh të kishës. E pa dhe ja bëri hop zemra në gjoks, ndaj dhe doli në një vend që ta shihte mirë e shoqja, nuse e re që fekste ne krye të valles. Po dhe nusja e pa apo e ndjeu, pa ju bë fytyra paparunë e kuqe, pa ju ndezën sytë e buza i vajti vesh më vesh, e këmba si shkelte fare në tokë tek hiqte vallen. Ama fluturonte në valle si ajo vetë e s’ka të dytë. Mbase për atë është ngritur ajo kënga që thotë: Doli bejka nga katundi Tre sahat vallen e tundi Po i varfëri çoban, që kish tre muaj në male me bagëtinë, akoma do priste dhe tre sahat, që i dukeshin si tre vjet! Ndaj jip e mir me isharete, shenja e sinjale, që vetëm ai dhe e shoqja – nuse e re i kuptonin. Jep e merr orëziu e vu i venin djersët, ca nga lodhja e ca nga padurimi. Ama dhe nusja e tij si kanarinë këndonte e si sorkadhe e hiqte vallen e sytë s’ia ndante të shoqit. Ç’t’i bëje kësaj pune! Ky urrë e ndezur këtej, ajo prush i përvëluar andej. Pa ç’pa e shkreta nuse s’duroi dot që i shoqi t’i tretej në djersë, po edhe turpin s’mund ta hante me bukë që të linte në mes këngën e vallen, ndaj duke përfituar nga fakti që ajo, jo vetëm hiqte vallen por ja merrte dhe këngës, në një moment ndryshoi pak tekstin e këngës dhe duke ju drejtuar të shoqit këndoi: O burrë të keqenë Duro dhe pak për “atë” Se unë vallenë s’e lë. Shoqet e valles vetëm atëherë e vunë re burin e saj ndaj e shpejtuan ritmin e këngës dhe të valles për ta mbaruar një çikë më shpejt. Burrat qeshën e plakat çorrën faqet. Ajo që duam të theksojmë ne është fakti se, paprekshmëria e këngës është jo vetëm kur këndohet nga grupi i burrave apo vetëm nga burrat, por edhe kur kënga këndohej nga gratë e vajzat apo i printe valles, qoftë kjo valle e rëndë burrash qoftë kjo valle e lehtë vajzash. Askush nuk mund ta ndalte vallen e këngën. Bile as vetë vdekja s’mund ta ndalonte. Historitë që tregohen se në një dhomë dergjej i porsa vdekuri dhe në dhomën tjetër këndohej për nusen që jepej apo merrej nuk janë legjenda fisesh të egra, por janë realitete te jetuara në trevat shqiptare të iso-polifonisë. Vdekja respektohej si asnjë tjetër në viset tona, por kënga respektohej shumë më tepër, sepse kënga ishte jeta, ishte e ardhmja, vazhdimësia. Aq i fuqishëm ishte ky respekt për këngën, aq solemn dhe i padiskutueshëm, sa që respektohej edhe nga vetë vdekja. Kam pasur rastin të dëgjoj nga të moshuar, se kohë më parë, në një shtëpi që po martonte vajzën, ishte ndezur atmosfera nga kënga aq shumë sa që të dy palët, vendasit dhe krushqit, ndjeheshin tejet të lumturuar nga miqësia e lidhur, miqësi e cila më vonë do të kthehej në afëri gjaku se do lindnin fëmijët nga çifti i ri. Në kulmin e dasmës dikush sjell një mandat tek i zoti i shtëpisë - i ishte vrarë djali. E ëma gati ja dha ulërimës, i shoqi nxitoj ti mbyllte gojën me dorë dhe e paralajmëroi se po e “zbërtheu” gojën në vaj, do ta dërgonte përgjithmonë te i ati. Krushqit dhe sidomos vajza që po ikte nuse, sduhej të mirnin vesh gjëmën. Mbaroi dasma me krisma e këngë dhe krushqit u nisën me nusen në kalin e bardhë përcjellë me këngën: Më rite baba më rite, Erdhi koha dhe më shite. . . Një dramë e dhimbshme e një katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetëvjeçareje në çastin e martesës, e shkëmbyer për një sasi të hollash apo për një numër të konsiderueshëm bagëtish. Kjo na dëshmon se shitja e vajzave ka qenë një traditë jo vetëm në malësi, por herët ka qenë edhe në jug. Me kalimin e kohës, në jug, tonet dramatike të këngës janë zbutur dhe në kontekstin e gjithë ceremonialit të dasmës ajo ka tingëlluar me tonet karakteristike të ceremonialit të dasmës. Rrugës krushqit përballen me një grup burrash që mbartnin në një barelë të improvizuar me drurë, një të vrarë. Kur mësojnë identitetin e tij krushqit, të cilët përjetuan një kontrast të fuqishëm emocional nga tragjedia e ndodhur, kthehen për të sjellë nusen të qajë të vëllain, si dhe për të marrë pjesë në hidhërimin e mikut. Përmes këtij detaji donim ta theksonim solemnitetin që ka kënga, autoritetin e padiskut-ueshëm të saj, si dhe karakteret e fuqishme të atyre që e mbartin atë Këngë. Ende s’jemi në gjendje të shpjegojmë përse kjo krijimtari shpirtërore ka fituar këtë hierarki kaq të lartë duke qëndruar në krye të jetës së shqiptarit? Ç’faktorë social, historik, etnografik apo etnokulturorë e kanë çuar këngën në krye të të tëra ceremonialeve të jetës së përditshme të shqiptarit? A nuk theksuam më lart se dhe të vdekurin e përcjellin me këngë, me poezi, pra me krijimtari artistike? Të njëjtën ngarkesë emocionale brenda isopolifonisë kanë edhe vallet e kënduara, të cilat sot po harrohen krejtësisht, po harrohet ai thesar artistik që mbart tre zhanre artistike: këngën- vallen-interpretimin skenik. Na duhet të pranojmë se shumë kryevepra të polifonisë e kanë burimin te vallet e kënduara nga burrat dhe gratë. Dhe te këto valle e këngë ushtrohen po ato ligje të këngës si dhe te grupet polifonike, bile këtu edhe ca më tepër sepse valles së kënduar s’mund t’i afrohesh. Detyrimisht do të qëndrosh pak larg rrethit të valles, larg “sinoreve“ të saj, i heshtur, si para një altari të shenjtë. E kush mund të ndalte grupin e valltarëve kur këndonte p. sh. këngën; Jemi zot të këtij vatani. Të duket sikur lëvizin malet të shoqëruara nga vetëtimat e bubullimat e jo valltarë që këndojnë. Çdo gjë mund ta mendosh në ato çaste, por kurrsesi s’mund të mendosh ta ndalosh këngën apo vallen. Të duket se do të zënë malet përsipër po nuk u mënjanove në kohë. Në qoftë se ndonjëri do të dijë si u bë puna e bariut, ju themi se vetëm pasi mbaroi vallja, që hiqte e shoqja, të dy u “vodhën’’ nga sheshi i kishës, (s’i panë a bënë sikur s’i panë, këtë se dimë mirë) dhe u nisën drejt shtëpisë së çobanit. E vërteta është se nuk arritën dot te shtëpia, se aty tek ajo driza e madhe dikush nga ata u rrëzua, a ndrydhi këmbën a kushedi ç’pati, dhe nja dy orë ndenjën aty të fshehur nga sytë e fshatit. Vetëkuptohet, të shëronin këmbën e ndrydhur, a të pleksnin këmbët e zgjidhura. Nejse, ne kemi punë me këngët e jo me këmbët.

1- Marë nga libri “Madhëria e saj –Kënga isopolifonike” MILOSAO Sarandë, 2007

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page