top of page

Unë rilind në shi


Unë rilind në shi


Fatmir Terziu


Duart e tij ishin shtrirë. Shtrirë mbetën deri sa formuan një vijë. Një vijë e atillë që të mbetet në sy. E vija dukej sikur ishte paralele me një vetëtimë. Një vetëtimë që paralajmëroi shi. E vetëm atëherë u hap goja e tij. Deri në atë moment të gjithë sojet e frymorëve, në tokë e anës kalimthi me tokën (ata që ndjehen ndyshe nga ne shkelësit e dheut) pra njerëzit e atjetejgjendshëm, thuajse të gjithë kalimtarët, shoferët, drejtorët, aparatçikët, të emëruarit, drejtorët, biznesmenët, këpucarët, zdrykthëtarët, lapsambajtësëit, lapsapërdoruesit, e më në fund qeveritarët e të gjithë profesionistë e jo-profesionistë kujtuan se ai ishte thjesht, fare thjesht një frymorë i dikurshëm që ishte kthyer tashmë në një bust.

E lutja vinte si në kohërat magjike me qesëndi…

Ju lutem mos ma ndaloni këtë shi! – ishte një dëshirë që i ngriu të gjithë.

Lërini pikat e ftohta të më lajnë!

Lëreni ujin të më pastrojë!

Lëreni formën time të strukur në errësirë të shtojë një ndjenjë misteri, se pse jam këtu.

Vallë pse jam këtu?

Eh pse duhet të jem këtu?

Disa njerëz vrapojnë nga Bubullima, ndërsa unë, … unë përqafoj vetëtimën nga qielli.

E shijoj ujin e ftohtë teksa bie mbi çdo centimetër timin. Dhe trupi e ndjen, dhe truri e meton, dhe lëkura e rrëmben.

E tund kokën dhe i lë flokët të rrjedhin lirshëm. Lirshëm në skutën e lëngshme e të ndjeshme.

Shi. Shi gjithësesi!

Uji më lag dhe më liron. Bëhem njësh me qiellin teksa heq gjithë dhimbjen time. Unë jam ai, që ishte dhe do të jem përsëri, edhe në këtë lëngështi. Eh, unë rilind në shi.

Kaq më duket se ndjeu lapsi im. Vetëm kaq.

E më pas e tërë ajo që rrokte e strukte syri nënn mendjen time dirigjuese u bë vetëm paq. Shihja vetëm duart. Nuk e di pse vetëm ato.

Duart e tij u shtrinë sërish. Shtrirë mbetën deri sa formuan një vijë. Një vijë e atillë që të mbetet gjatë në sy. Dhe pastaj hapi gojën dhe e ngriti zërin sikur donte me plotë dëshirë të zbërthente atë zhurmëri:

Unë rilind në shi.

Unë rilind në shi.

Unë rilind në shi.

Natyrisht, që njerëzit menduan se ai zë do të kishte qenë vetëm zëri i tij.

Me siguri ishte zëri tij.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page