ULËRIN’ PANJA NË BRINJË VAJTONTE HODO ALINË

Updated: Jun 8


Mihal GJERGJI


Përmëndoren e Hodo Nivicës e kam gjetur në mbretërinë e këngës, gatuar prej fjalësh të zgjedhura. Ashtu e ruajnë edhe njerëzit në kujtesën e tyre ardhur nga mote të largëta, jo të ngarkuar në vig, por të gjallë, hipur mbi kalin e bardhë me jataganin në duar. Në vendlindje është një tjetër bust i luftëtarit legjendar, derdhur në bronx dhe punuar nga dora e njeriut. I kanë bërë pak vend, atje ku piu qumështin e gjirit. Kam qendruar në heshtje para tij, disa herë. Aty mblidhen zërat e udhës. Shumë afër është kalaja 2400 vjeçare me themelet buzë humnerës.

Hedh hapat me kujdes, si të shkel mbi plagë. Fishkëllima e erës grindet me honet e thella dhe vjen si muzikë e largët. Dora që luan telin e violinës vështirë ta bëjë një mrekulli të tillë. Përreth janë malet, të gjithë të bardhë, si njerëzit. Banorët provojnë të maten me ta, por s’mund t’ua mbrijnë lartësinë. Ata janë hijerëndë dhe të shtypin me peshën e tyre. Edhe njerëzit grinden si era, janë të gjithë kalorës dhe asnjë këmbësor, ndaj s’i hapin udhë njëri-tjetrit.

Një shtysë e brendshme i shpie në përballje, jo ata, por krenarinë e tyre. Egua s’ka ndërgjegjie. Uni i njeriut s’vë gjumë në sy. Gjithsesi ata janë vdekatarë, si unë dhe si ju, i takojnë përkohshëmrisë. Ndërsa Hodua-jo! Ai e grisi perden e kohës siç griste çallmat e jeniçerëve dhe me tehun e shpatës gdhendi emërin e tij në murin e përjetësisë. Mbeti në këngë! E kush s’e dëshiron këngën, por qënka e vështirë për të mbritur atje, si brenda një ode të stolisur.

Kënga të pranon edhe anonim, si një model bukurie a qëndrese. Në këngën e Neço Mukës: “Vajzë e valëve”- me atë grishje të largët nderet si shami nusërie brigjeve të detit. S’dimë kush është ajo vajzë fatgremisur, por ajo jeton. Në këngën e Zaho Balilit; “Thëllëzë e Golikut”- na shpaloset magjija femërore. Të jetë ëndërr, apo bukuri shqiptare? Ndryshe ndodh në këngën e Halo Malaj për Hodo Nivicën:

“Ulërin’ panja në brinjë

Lotët nga gjethet i bijnë

Vajtonte Hodo Alinë!”

Si te pylli shekspirian, natyra shkrihet me njeriun dhe heroi s’është anonim, ka një emër dhe historinë e tij. Kurveshi ka rritur shumë kordhëtarë, por ndryshojnë mes tyre. Edhe Bilbilenjë guxuan, u përballën me vdekjen në degët e rrapit në Janinë. Ende tundet ai litar i mallkuar osman, si gjarpër zvarritës. Trimat e shpërfillën fermanin, drodhën cigaret e fundit dhe u futën në këngë. Por s’mundën të bëheshin Hodo. Ata janë kodra të bukura, ndërsa ai është “I larti sa Këndrevica”.

A thua të ketë një paracaktim të udhës ku do mbrijë njeriu, të fatit të tij? Besoj se po, ndryshe s’do bëheshin bashkë në të njëjtën kohë lëngate për Shqipërinë; Çelo Picari, Hodo Nivica dhe Zenel Gjoleka.

“Në Kurvelesh tre nishanë

Bëjnë harb me padishanë!”

Ç’është ky trinitet hyjnor mbetur si mister moteve të shkuara? Domosdo i duheshin kohës që i lindi, edhe brezave. Hodon e vajtuan në vendlindje, me fjalë malli, por ai s’ishte mes tyre. Më shumë se sa Hodon vajtuan mungesën e tij. Varrin e ka në Podgoricë, gjithsesi në tokën e tij, në veriun e Arbërisë. Vajti afër Mujit dhe Halilit, në djepin e baladave. Ajkuna ka shkulur flokët, ka grisur faqet dhe ka derdhur lotë pikëllimi, si për djemtë e saj. S’mund t’a veçonte trimin e Kurveleshit. Ja pashë varrin, atje në Kongjin, afër fshatit Rexhina. Një puhizë e ëmbël i lëmonte fijet e barit, ndërsa unë i zbrita mbi krye ylberin e këngës.

46 views

Shkrimet e fundit