top of page

Udhëtari


Nga Fatmir Minguli


Udhëtari

Ai nuk kishte udhëtuar kurrë në jetën e tij dhe cuditerisht kishte udhëtuar në shumë vende të botës. Kishte lexuar shumë nga “Udhëtimet e Guliverit” te Xhonatan Suiftit, dhe kishte përpirë pothuaj të gjithë librat e Zhyl Vernit që nga udhëtimet e nëntokës, të qiellit dhe udhëtimet e kapitenit Hateras. Por në jetën e tij, asnjë udhëtim nuk kishte bërë. I vetmi udhëtim ishte ai nga Durrësi në Kavajë kur e fejuan me një kavajase. Ishte një udhëtim me tren i atyre viteve. Po ishte në moshë krejt të re dhe peisazhet që shfaqeshin anëve të dritareve të vagonit ai pothuaj se i kishte harruar.

Por tani në një moshë pak a shumë të mesme, apo si të thuash në majën e parabolës së jetës ai vinte çdo ditë te “Xhoni Kafe” jo për të pirë kafen e mrekullueshme që bëhej aty por për një fakt që ndoshta vetëm ai e kishte zbuluar. Bari ndodhej në zemër të sheshit të autobuzave, brenda hapësirës fatlume që përcillte udhëtarë, udhëtarë që kishin zgjedhur dikush autobuzat, dikush tragetet e dikush ndonjë mjet tjetër.

-Sot po nisem për në Firence- tha ai i vendosur katërcipërisht- i kam marrë të gjitha që nga pasaporta dhe veglat e rrojes, edhe bllokun e ditarit që do të mbaj sidomos te muzeu Uffizi , edhe pastën e dhëmbëve e kam futur me kujdes...

Njerëzit që kishin prenotuar për në Firence ishin grumbulluar pranë derës së autobuzit dhe paraqesnin biletat dhe tregonin bagazhet që prisnin me padurim t’i sistemonin në pjesën e poshtme të autobuzit. Disa bërtisnin dhe udhëtarit i vinte plasje. Përse duhet të bërtasin këta njerëz, kur ata do të hipin në këtë autobuz si aeroplan, ah, aeroplani, kur do të vinte dita apo radha që udhëtari të hipte në një nga avionët jo të Air Albania por tek ato të Swiss Air ….Dikush e shtyu udhëtarin dhe mbas një sekonde e gjysmë i kërkoi falje. Po hipnin të gjithë në autobuz. Shoferi mbylli derën pneumatike të përparme dhe të mbrapme dhe autobuzi u nis.

Udhëtari po rufiste kafenë në tavolinën e tij të preferuar dhe shihte gjithë kënaqësi se si autobuzi i linjës Firence- line doli nga sheshi i stacionit të trenit dhe mori drejtimin për nga hyrja te sheshi i trageteve.

Ai psherëriu dhe papritmas kërkoi t’i sillinin një raki. Qazimi, kamarieri që kish mbi tridhjetë vjet që i shërbente i solli teken e rakisë me gotë të madhe uji dhe i uroi udhëtimin për në Firence.

Udhëtari bashkë me pasagjerët që zbritën nga autobuzi u drejtua te policja e kufirit për të vulosur pasaportën. Policja bionde i tha se ku do të shkonte dhe pse. Ai i tha se do të shkonte ne Firence te Uficci.

-Ou, sa mirë bëji të fala xhaxhait tënd- tha ajo dhe e goditi fort fletën e pasaportës duke e vulosur përjetësisht.

Duke pirë rakinë udhëtari po mendonte për atë policen se ku e njihte ajo xhaxhain e tij. Me të vërtetë ai e kishte nje xhaxha po ai jetonte në Shkallnur të Durrësit. Për një moment mendoi me vete se edhe policia sot kishte arritur suksese të mëdha në botën kibernitike. E punë e madhe se i dha të fala, rëndësi ka që ai kaloi dhe postin e doganës.

Koha e mëmgjesit po kalonte dhe arixhiu i vogël Xhixhi kërkoi atë pesëlekshin e përditshëm dhe udhëtari ia dha, ndërkohë që trageti ishte nisur dhe së shpejti do të mbrrinte në Ankona.

Udhëtari nuk e shijoi aspak kafenë në barin e tragetit dhe para se të hipte në autobuz iu lut shoferit që ta pinte një kafe në interieret e portit të Ankonës.

- Vetëm në Durrës dhe në Ankona e bëjnë ekspresin ashtu siç duhet – tha me vete udhëtari.

-Kur u ktheve nga Firence?- po i thonte Qazimi me një buzëqeshje të lehtë.

-Ja sapo u ktheva- i tha udhëtari me gotën e rakisë përpara që kishte shkuar gjer në gjysmën e nivelit të një tekeje- u ktheva me avion.

Qazimi e dinte fare mirë problemin e udhëtarit, por pse ta shqetësonte.

-Pse me avion- e pyeti me ngadalë ai udhëtarin.

Po, në fakt ndodhën ca gjëra dhe u detyrova të vija sa më shpejt, ja siç e sheh këtë rakinë prandaj e porosita se ai kamarieri i aeroportit në Firence më mori pesë euro për një grapa që ishte tridhjetë gram dhe jo pesëdhjetë. Në aeroportin e Rinasit është më keq…

-Ej, këto aeroportet- tha me vete udhëtari duke menduar për disa syresh.

Kishte kaluar gati një gjysmë ore te Bar Xhoni dhe udhëtari po mendonte për udhëtimin e të nesërmes.

49 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page