top of page

Udhëheqësit, apo „drejtuesit e bazës” dhe ata të „demokracisë”


(Mbresa) Drejtuesit e bazës ndesheshin drejtpërdrejt me vështirësitë e hallet e njerëzve. Secili në stilin e vet: Feti Rugji, Myftar Grabocka dhe Jani Mio me rigorozitetin e theksuar; Sul Baholli, Tahir Minxhozi, Iljaz Reka, me shpirtin ndërmarrës; Jashar Menzelxhiu, Rrapo Devishi, Iljaz Reka e Jorgji Xhufka me gjallërinë dhe entusiazmin; Zenun Shahollari me sedrën tepër të zhvilluar (çka e çoi deri në vetëvrasje); Sali Verdha, Irfan Çelkupa, Lefter Goga, Mëhill Doçi, Ahmet Shtylla dhe Qani Dumja me modestinë dhe humorin e shëndetshëm, pas të cilit qëndronte ndjenja e lartë e përgjegjësisë etj. Humori i ndihmonte të harronin për disa çaste kritikat që i breshëronin nga lart e nga poshtë. Barcaletat që tregonin, nganjëherë ishin vërtet me zarar, sepse, në një formë a në një tjetër, zinin në gojë partinë, ideologjinë, madje edhe krerët. Në pushimet ndërmjet seancave të një mbledhjeje në kryeministri, ku ishim thirrur nga zëvendëskryetari i qeverisë Adil Çarçani të raportonim për elektrifikimin e fshatrave, Qani Dumja na rrëfeu se si, fill pas Fjalës që Enver Hoxha mbajti më 6 Shkurt 1967, për të përcëlluar me zjarr e me hekur të gjithë ata që merrnin nëpër këmbë të drejtat e liritë e grave dhe motrave tona, në rrethin e Kolonjës ishte shfaqur një shtatëdhjetëvjeçar kokorroç e faqekuq. Vinte nga Amerika me qesen kukurec. Kërkonte nuse. I thanë se në Taçin malor një fshatar kishte nja pesë a gjashtë vajza të pamartuara, të gjitha si yje. I trokiti në derë fshatarit dhe i kërkoi dorën e njërës prej të bijave. „Nuk kam prikë t’u jap, prandaj më kanë mbetur në shtëpi” tha ky i fundit. „Jo vetëm prikë s’dua, por do të të mbush edhe ty me dollarë” ia rrahu shpatullat e kërrusura shqiptaro-amerikani. Kësisoj fitoi të drejtën të martohej me më të renë e më të bukurën e katundit Taç. Pa formalitete, pa dokumente. Partia, çuditërisht, e mori vesh këtë punë vetëm pas pesë a gjashtë muajsh. Qaniu i thirri të dy, amerikanin e taçjanen, në zyrën e vet. U paraqitën të veshur me nga një pardesy të re. „E di ti, mor amerikan, se ç’ka thënë shoku Enver më 6 shkurt?” zuri ta vinte para përgjegjësisë Qaniu. „Si urdhëron, zoti kryetar!” nisi t’i përgjigjej amerikani. „Nuk jam kryetar, po sekretar i Komitetit Ekzekutiv” saktësoi Qaniu. „Si urdhëron, zoti kryetar!” nuk e ndryshoi refrenin amerikani. Qaniu i tha se shoku Enver dhe partia nuk lejonin shkeljen e parimeve të emancipimit të femrës shqiptare. Kur amerikani u mat të përsëriste refrenin „Si urdhëron, zoti kryetar!”, Qaniu vuri re se barku i bukuroshes taçjane ishte goxha i kërcyer. „Po ti e paske marrë më qafë, mor imperialist!” e ngriti Qaniu zërin nja dy oktava më lart. „Si urdhëron, zoti kryetar! Masati nga ndonjë shkëndijë të rrallë lëshonte, por qëlloi eshka e mirë dhe ndezi!”. Qeshëm me lotë. Sali Verdha, apo Sala, siç e thërrisnin shokët e luftës e të punës, nuk mbeti pas. Nxori edhe ai diçka nga repertori i vet i pashtershëm. Si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Durrësit, Sala pat vajtur një herë të shihte si e bënte pritjen e popullit kryetari i Komitetit Ekzekutiv të atij qyteti, Bajram Thërrmija. Hallet e njerëzve kishin emërues të përbashkët punësimin, strehimin dhe pasaportizimin. U paraqit edhe një ziosh i pispillosur, me këpucë lustrafine e me kravatë. „Kam një hall të madh” tha. „Jam keq me strehim”. Familja e tij përbëhej nga tre vetë: ai, e shoqja dhe fëmija i mitur. Kishte apartament me dhomë, kuzhinë dhe aneks. „Paske aq sa të takon” i tha Bajrami. „Jo, jo, sepse unë kam… kam shumë gazra” ngulmonte zioshi. Atë çast Sala s’u përmbajt dot më dhe iu përvesh: „Partia mezi strehon njerëzit, ndërsa ti, mor horr horri, dashke dhomë edhe për të strehuar pordhët”. Meqënëse na kishin mbetur ende disa minuta para se të rifuteshim në mbledhje, e lutëm Salën të na tregonte edhe ndonjë qyfyr tjetër. Nuk na e prishi. Në Durrës Salë Verdha pat qënë dikur edhe drejtor i drejtorisë së hekurudhave. Tek po dilte një pasdite nga zyra, iu vu nga pas një mesoburrë. Diçka i kërkonte, por Sala i lodhur vazhdonte të çapitej ngadalë pa ia vënë veshin. Kur mbërriti tek dera e shtëpisë, Sala e pyeti se ku punonte. „Hamall në port” iu përgjegj mesoburri. „Po pse, mor, ç’më bane mu, Karl Marksin, që t’i zgjidh hallet e tanë klasës puntore?!” Këta drejtues të bazës, - që jo një herë fajësoheshin për „turbullimin e ujit të kulluar që rridhte nga lart”, - jetonin vërtet thjesht e me nder. Kur dolën në shitje të parat lavatriçe italiane Candy, Sali Verdha nuk i kish mundësitë financiare të blinte. Thoshte me humor: „E kam një që në kohën e Italisë. Punon shumë mirë dhe është marka Bali. Kështu quheje soqja, një zonj e vërtetë. Tani le të kalojmë tek udhëheqësit ebrezit të demokracisë”. Sali Berishën e kam njohur gjatë pushimeve që i bënte përvit familjarisht në Pogradec, në shtëpinë e krushkut tim, Sotiraq Mato. Çifti Sali dhe Liri Berisha, në sytë e të gjithë pogradecarëve, qytetarë e fshatarë, pat lënë përshtypjet më të mira, sepse jo vetëm nuk ia mohonin vizitën mjekësore askujt, por edhe nuk pranonin absolutisht asnjë shpërblim, në të holla apo „në natyrë”. Më pas, me veprimet tashmë të njohura, më zhgënjeu. I shkova në zyrë kur u bë President, fill pasi u detyrova të mërgoja në Rumani, pra më 1993. Më premtoi se do të jepte urdhër që padrejtësia „skandaloze”, e cila më ishte bërë duke më nxjerrë në asistencë, të anulohej menjëherë. Më pas, me shkresën nr. 34/212 Prot., datë 3.3.1993, Kabineti i Presidentit më vinte në dijeni, ndër të tjera, se „Me porosi të Tij u ngarkua Ministria e Jashtme” të ma zgjidhte problemin dhe shtonte: „Lidhuni me dikasterin e lartpërmendur”. U lidha, por nuk zgjidha gjë. Presidenti Berisha nuk më dha përgjigje as për kërkesën e dytë, për të cilën më pat thënë se do të mendohej dhe do të më njoftonte pas disa ditësh. Fjala ishte për një intervistë të gjerë rreth zhvillimeve demokratike në Shqipëri, të cilën një shtëpi e madhe botuese në Bukuresht ishte dakord ta nxirrte në trajtë libri, në disa gjuhë. Botuesit rumunë ishin të bindur se do të mirëpritej dhe do të kish jehonë të fuqishme, përderisa Presidenti Berisha, me të drejtë, shihej si një intelektual e demokrat i dalluar, madje, në ndonjë rast, e krahasonin me Vaclav Havelin. Kur Presidenti Sali Berisha erdhi për vizitë zyrtare në Rumani, në maj 1994, e takova në ambasadë dhe, nëpërmjet mikut tim, Fatos Bejës, që e shoqëronte, i dërgova një letër, ku theksoja dëshirën për t’u rikthyer në atdhe sapo të më sigurohej një punë e përshtatshme. Përsëri heshtje... Tani e ka radhën Presidenti tjetër, Rexhep Meidani. Në muajin dhjetor 1999, Presidenti Rexhep Meidani erdhi për vizitë zyrtare në Bukuresht. Në pritjen që dha për nder të tij, në datën 6 të atij muaji, Presidenti i Rumanisë, Emil Konstantinesku (ish-rektori im), i cili - jo ambasada! - më kishte dërguar ftesa familjarisht, Meidani pati mirësinë të më quante mik të vetin. Gjithashtu, homologu rumun i shprehu kënaqësinë që, në personin tim, kishin të njëjtin mik. E vërteta ishte se për profesor Meidanin më pat folur shumë mirë i afërmi im, Kosta Koci, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Edhe personalitete të larta rumune, të fushave të ndryshme, kanë formuluar vlerësime të ngrohta për Presidentin Meidani. Duke bërë fjalë për një projekt kulturor shqiptaro-rumun, që i pat sugjeruar Presidentit Meidani, akademiku Razvan Theodoresku, senator, ish-ministër i Kulturës dhe Kulteve të Rumanisë, e quan „njeri tepër të dalluar[1]. Kur e takova herën e fundit, më 2 qershor 2006, në pritjen e dhënë nga ambasadori italian në Bukuresht, me rastin e Ditës Kombëtare të Italisë, ish-kryeministri rumun, Petre Roman, president i Summit-it (International Relations LLC), pohoi gati-gati me ngazëllim: „Me Meidanin jemi bashkë në Madrid. Njeri i përkryer nga çdo pikëpamje!” Pjekurinë e guximin atdhetar, Meidanit ia kisha vërejtur edhe në qëndrimet ndaj çështjes kombëtare dhe problemeve shqiptare në përgjithësi, duke u rreshtuar krahas politikanit trim e dinamik, juristit atmëmëdhetar Idajet Beqiri. Por, e vërteta është që, me Rexhep Meidanin, deri atëhere, pata shkëmbyer vetëm rrallë e për mall nga një tungjatjeta! Kurrgjë më shumë. E, megjithatë, Meidani e pa të udhës të më paraqitte si mik të vetin tek Presidenti i Rumanisë! [1] Razvan Theodoresku - Kopi Kyçyku, Dy Evropa, një divorc intelektual?, botim trigjuhësh: në anglisht, shqip e rumanisht, nga Shtëpia Botuese „Arvin Press” dhe nga Instituti Rumun i Marrëdhënieve Ndërkombëtare „Nikolae Titulesku”, Bukuresht, 2004, f. 108 (versioni shqip).


27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page