top of page

U rritëm me pemë të egra ...


Kujtime nga fëmijëria

U rritëm me pemë të egra dhe ishim të shëndetshëm

(Hymn natyrës)

Nuk kam nostalgji për të kaluarën me varfërinë e tejskajshme, por për natyrën e virgjër të viseve të mija.

Brenda shtëpisë pa dritë, me llampë vajguri merrnim një copë misërnike në dorë herë me gjë e herë pa gjë dhe dilnim në natyrë. Fluturonim nga gëzimi kur nuk kishim bagëti për të ruajtur dhe ishim të lirë.

I gëzoheshim stinës së verës se në këtë stinë fillonin prodhimet e natyrës me të cilat ushqeheshim tërë ditën derisa të binte muzgu i mbrëmjes.

Hypnim në qershitë e egra sepse ato nuk i vilte kooperativa. Ato ishin shumë të larta, por ne kacavireshim deri në degët më të larta për të marrë edhe kokrrat e fundit.

Hanim derisa ngopeshim, mblidhnim për të dërguar në shtëpi për gjyshen dhe të moshuarit e tjerë. Këtë e bënim çdo ditë derisa mbaronte sezoni i qershive. Paralel me sezonin e qershive ishte edhe sezoni i manave të bardhë dhe të zi. Pothuajse çdo shtëpi kishte manin e saj në oborr. Edhe ata që nuk kishin, shkonin “pa pyetur” në oborret e shtëpive dhe hanin mana. Të mëdhenjve u shërbehej edhe me ujë të ftohtë e me dhallë.

Pale’ ata manat e zinj kullonin lëng si gjaku na kënaqnin por edhe na bënin njolla njolla në rroba saqë kishim frikë të shkonim te shpia.

Sesoni i kumbullave fillonte sapo ato të formonin kokrrat.

-Mos hani kumbulla të papjekura se do t’u dhëmbi barku, më thoshte vazhdimisht nëna, por ne vazhdonim të hanim kumbulla derisa sa ato të binin në tokë nga pjekja apo krimbat. Ato me krimba i hapnim, hiqnim krimbin dhe hanim pjesën e mirë. Kumbullat e mira, tetofka, (varietet Tetove) , jo vetëm i hanim, por edhe i thanim për dimër, i bënim hoshaf. Lëngu i hoshafit ishte shumë i mirë për të shoqëruar petën e misrit me gjizë ose me gjethe qepe.

Arrat i hanim që kur ishin të pabëra mirë, i hapnim dhe i qëronim me thikë. Bëhej grumbulli i lëvozhgave mal, por “hanim dajak” nga prindërit se arrat duhet të piqeshin mirë, të çukeshin, të mblidheshin, të thaheshin për dimër. Ishte një frut që rronte nga viti në vit dhe fatmirësisht e kultivonim në qoshe të arës apo kopështit të vogël personal.

Dardhat i mira i mblidhte kooperativa, për ne mbeteshin goricat, nuk bëj shaka, goricat dhe dardhat e egra na pëlqenin shumë. I mblidhnim dhe i thanim për dimër.

Po kështu edhe me mollat. Për ne fëmijët ishte një mollë e egër në skaj të fshatit, që

për fatin tonë prodhonte shumë. Ishte shumë e shijshme, edhe e ëmbël, edhe e thartë, edhe e athët. Aty mblidhte gjithë lagjja jonë, mblidhnim për t’i tharë për dimër.

Vreshta me rrush nuk kishim, por rrushin e kultivonim në manin e kopështit dhe në disa kumbulla trupgjata si plepa. Rrush thans, si thana, të verdhë dhe të kuq që e përdornim për të ngrënë si rrush tavoline. Nuk tepronte për ta zierë raki, ndaj rakinë e bënim me kumbulla të verdha dhe të kuqe, kumbulla Elbasani, Rakinë e bënim edhe me thana, që rriteshin nëpër porende dhe në pyll. Mblidhnim të gjithë se ishte frut i lirë dhe i mirë. Nënat tona e bënin edhe narden, (një lloj reçeli) që shërbente edhe si ilaç në rast heqje barku. I thanim edhe për dimër.

Gështenjat ishin në pyll dhe nuk arrinte kooperativa t’i mblidhte, ndaj i mblidhnim ne. Të çarat që binin në tokë i mblidhnim për t’i pjekur dhe për t’i zierë. Ato me boçe i transportonim në shtëpi me mushka dhe gomerë dhe i futnim në gropa dhe i mbulonim me dhe për t’i ruajtur. Gjatë dimrit hiqnim dëborën dhe dheun, nxirrnim boçet e gështenjave të ruajtura më së miri për t’i pjekut mbasdarkave ku nuk mungonin as komshinjtë.

Lajthi të kultivuara nuk kishte, por kishte një lajthishte me lajthi në periferi të fshatit, ku mblidhnin të gjithë. Në mes të lajthishtesh buronte një burim me ujë të ftohtë akull.

Rrëzë pyllit rritej edhe një pemë e veçantë që quhej vodhes. Frutet ishin të verdha, por kur piqeshin shumë bëheshin ngjyrë kafe dhe kishin shije marmalate.

Në pyll hanim luleshtrydhe ose dredhëza, të kuqe si gjaku e të ëmbla si mjalti.

Kishte edhe një varietet tjetër të verdha. që ne u thonim gulugutka.

Në pyll mblidhnim edhe salep si dhe shumë bimë të tjera medicinale, të cilat i shisnim në Ndërmarjen e Grumbullimit dhe me ato lekë blinim librat e shkollës dhe rrobat e dokut.

Natyra bujare na bëri kaq dhumë mirësi. Ta duam dhe ta ruajmë natyrën e bukur shqiptare

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page