TRIPTIKU I JETËS DHE VEPRËS SË PETRIT QEJVANIT
PARATHËNIA E PROF. DR. BEGZAD BALIUT
HYRJE
Shkrimtari, kritiku e analisti Petrit Qejvani është njëri prej intelektualëve të pesë dekadave të fundit të cilin e kam lexuar me kërshërinë e poetit, prozatorit, kritikut e analistit të fundit dhe po e rilexoj tani që është bërë kjo përmbledhje e zgjedhur (antologjike) e krijimtarisë letrare të tij.
Duke qenë përmbledhje e përzgjedhur e krijimtarisë letrare të tij, prej meje kërkohet jo vetëm qasje prej lexuesi e kritiku të poezive, prozave e kritikave të tij, po edhe prej historiani të letërsisë. Leximi nga aspekti historiko-letrar i përmbledhjes (antologjike) të veprës së tij kushtëzohet prej dy faktorësh: i pari, sepse autori i saj tashmë ka përmbyllur veprën jetësore dhe i dyti, sepse autorit në këtë vëllim i është përgatitur përmbledhja e përzgjedhur e gjithë krijimtarisë letrare e studimore. Në këtë rrjedh na del përpara një biografi sado e shkurtër, por e domosdoshme dhe vendi i tij ndër bashkëkohës, meqenëse fjala është për një përzgjedhje krijimesh letrare (poezi e prozë) dhe studime letrare, shtrirja kohore e të cilës kap një periudhë prej më shumë se pesë dekadash.
AUTORI DHE BASHKËKOHËSIT
Petrit Qejvani lindi në Palorto të Gjirokastrës, më 1 shkurt të vitit 1949. Në vitet 1968-1972 kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Degën Gjuhë-Letërsi dhe kursin pasuniversitar njëvjeçar për Kritikë Letrare pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, në vitin akademik 1977-1978. Në vitet 1972-1987 shërbeu si mësues letërsie në Kukës dhe në Vlorë. Në tri vitet e mëpasme Drejtor i Teatrit të Vlorës dhe më pas mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të qytetit të Vlorës. E mbylli karrierën pedagogjike në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, si lektor i Letërsisë Antike e Mesjetare, si dhe i Estetikës. U nda nga jeta në 13 gusht të vitit 2014.
Pas vdekjes, ju botuan veprat: vëllimi poetik Kënga e zogut blu (2015), si dhe libri me tekste nga fusha e publicistikës Fjala ime (2016). Libri i fundit, Performancë, që paraqitet tani, është një triptik antologjik, me krijimtari të zgjedhur në poezi, tregime dhe studime, të cilat i jepen lexuesit si një vepër postume, si një përmbledhje e përzgjedhur dhe si një mesazh në proces, njëkohësisht.
Prej biografisë sado të shkurtër të jetës së tij, të paraqitur këtu, nuk është vështirë të shihet se Petrit Qejvani, i takon brezit që krijimtarinë letrare dhe studimore e ka filluar në fund të viteve ’60, krahas studimeve themeltare në Universitetin e Tiranës dhe e ka vazhduar punën prej krijuesi (poeti e prozatori), po edhe studiuesi duke i vazhduar kërkimet e tij edhe me thellimin e mendimit kritik e krijues në institucionet më të larta shkencore. A është e rastit që gjatë kësaj kohe atij do t’i besohet jo vetëm drejtimi i institucioneve arsimore po edhe i institucioneve të larta artistike, sikur ishte besimi për të drejtuar njërin prej teatrove më të njohura të vendit, Teatrit të Vlorës. Ai e filloi krijimtarinë e tij letrare në një periudhë të pasur krijimesh letrare të brezit të tij. Është kjo periudha e shkrimtarëve të afirmuar si: Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Fatos Arapi po edhe shkrimtarëve që po krijonin themelet e krijimtarisë së tyre serioze: Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Thanas Dino, Sadik Bejko etj.
POEZIA
Petrit Qejvani e ka filluar krijimtarinë letrare si poet dhe prozator. Ishte një periudhë e përpjekjeve për të dalë nga gërshërët e realizmit socialist, përpjekjet e të cilës mund të shihen edhe prej vjershave të tij të para. Fjala është për atë periudhë letrare e me ndikim kulturor e politik, kur shkrimtarët për probleme të natyrës poetike komunikonin edhe përmes poezisë. Kjo është periudha kur shumë shkrimtarë krijojnë edhe motivet, temat, teknikën e shkrimit etj. Në këtë sistem krijimi dallohet Ismail Kadare, Fatos Arapi, Moikom Zeqo etj., ndërsa në grupin tjetër Dritëro Agolli, Frederik Reshpja, Faslli Haliti etj.
Në grupin e dytë, shquheshin shkrimtarët për motivet popullore, me vargun lirik, për natyrën humane, për shpirtin skofiar, për dashurinë e dlirët etj., e në këtë radhë hynte edhe poeti i kërkimeve lirike e prozatori i tharmit poetik Petrit Qejvani:
Dashuria jonë u tha si ai druri i bukur i qershisë,
Që e thau thëllimi dimrin që shkoi
Dhe më kot fëmijët pritën verën të skuqnin buzët
Dhe kopshtari i kërrusur
Vështron i trishtuar qiellin
Me të drejtën e protestës
Për mundimin e tij
(Vegim i një kujtimi, 1971)
Megjithëse krijimtaria e Petrit Qejvanit, e përzgjedhur brenda këtij triptiku në rreth 80 faqet e para, i takon kryesisht periudhës së formimit të tij krijues, e kjo do të thotë tri dekadat e fundit, në tërësinë e saj ajo përshkon një biografi krijuese të tij. Në radhë të parë kemi të bëjmë me përzgjedhjen e lirikave të tij të dashurisë, të shkruara në të gjitha periudhat krijuese të tij, dhe rrallë e tek brenda tyre edhe elementë mitik e dromca politike të kohës.
Mbrëmë Desdemona ishte në pastiçeri me Otellon
Dhe unë u kënaqa kur i pashë të dy
Jagua i kërrusur përgjonte pas xhamave
Jagua i vetmuar po thinjej në shi…
(Dashuri e kohës sonë, 1970)
Poezive të tij ju prinë një lirikë e bukur e frymës agolliane që jo rastësisht edhe mban titullin A, por që ashtu sikur edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe në këtë rast përdoret “si emër; emër i gjinisë femërore; kuptim i figurshëm; fillimi i diçkaje; gjëja e parë që duhet; njohuritë fillestare: e nis nga a-ja”:
Nuk e di si erdha drejt teje
Drejt meje s’di si erdhe ti.
Veç di që erdha aty ku duhej
Aty ku duhej erdhe ti.
(A)
Në këtë rrjedhë e gjithë lirika e tij poetike e përshkuar në vargje bashkohet në vargje dashurie e thërrime aktualiteti. Nëse në poezinë e parë zgjohen erërat e artit dhe dashurisë, në poezinë e radhës bashkohet arti i të dashuruarit të një grekeje dhe zgjimi i një historie të vjetër dashurie homerike me një histori bashkëkohore të Ligjit të Luftës ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.
Petrit Qejvani ishte shkrimtar me dhunti të veçantë krijuese, me njohje të gjerë artistike në fushë të dramës, me një trashëgimi të pasur të letërsisë antike e mesjetare si dhe me kulturë akademike në fushë të perceptimit estetik, prandaj poezisë së tij, shpesh i dha edhe dimensione, përbërës të tjerë historik e estetik, por në thelbin e saj ruajti boshtin e dashurisë, brenda njësive leksikore, stilistike, motivore e krijuese të brezit të tij, që përshkohej nga fjalët simbole: grua, vajzë, e dashur, dhembje, kafene, baladë, sy, buzë, natë, qiell i zbrazët, pritje, pafundësi, kitarë, flokë të zezë, qelq që pret të thyhet, tronditje zemre, vegim, vjeshtë, sa shumë vjeshtë në krijimtarinë letrare të këtij brezi, që të kujtojnë krijimet letrare të Bodlerit, Verlenit e brezit të tij, dhe kryevepra Lulet e së keqes, të cilën shkrimtarit i postmodernes në Kosovë Beqir Musliut, në këtë kohë e pati transformuar në veprën e tij poetike Lulet e së keqes (1968) etj.
Le të thuhet më në fund, se poezinë e tij e përcjell një etikë e lartë krijuese, të cilën jo të gjithë bashkëkohësit e kanë dhe jo të gjithë e kanë ruajtur qoftë edhe për hire të disa veçorive stilistike të saj. Në krijimtarinë e tij letrare, etika e fjalës dhe etika e mendimit shfaqet sa në poezi po kaq edhe në prozë.
PROZA
Në këtë vëllim të përzgjedhur më shumë se sa hapësirën e poezisë zë vend proza. Në vitet ’70-të shekullit të kaluar këtë veçori të tij të pranisë së prozës në vend të poezisë, Profesor Rexhep Qosja do ta quante pjekuri të krijimtarisë sonë artistike. Një numër kaq të madh tekstesh, një hapësirë kaq të vëllimshme dhe për një periudhë kaq të gjatë krijuese, po kaq sa edhe të poezisë, dëshmojnë për pjekurinë krijuese të tij, formimin shkencor e estetik dhe përgatitjen teoriko-letrare të individualitetit të tij.
Në këtë vëllim janë përfshirë tregimet e zgjedhura, të cilat, megjithëse nuk ruajnë një kronologji tematike, ndoshta do të ishte më me interes që të ruanin gjithashtu edhe kronologjinë e shkrimit a të botimit: Dialog në mes të vjeshtës (1996), Keqardhja për mësuesin (1994), Në gjirin e popullit (1974), Një orë gjeografie, Pas pesë vjetësh (1974), Performancë (2008), Qiriu në dritaren e kishës (1972), Si e zbulova “Zërin e Amerikës” (2012), dhe Udhëheqësi i diplomës, një temë mjaft e largët personale.
Ajo që përshkon të gjitha tregimet, pavarësisht kohës kur janë shkruar dhe pavarësisht temës që trajtojnë është linja e etikës që përcjell narratorin. Autori, në të vërtetë narratori i të gjitha tregimeve, flet në vetën e parë a të tretë dhe rrëfen për periudha të caktuara e tema të caktuara, por në rrëfimin e tij, në diskursin a ligjërimin e tij, ruan e përmbyll me synim përfundimtar etikën e fjalës, etikën e mendimit dhe natyrshëm, etikën e rrëfimit.
Nëse në tregimet e periudhës së parë, autori duke i rënë etikës së rrëfimit, dukshëm i ikën ligjërimit të prozës shqipe të realizmit socialist, në tregimet e periudhës postkomuniste, me ligjërimin e tij shton veçoritë letrare të tekstit duke i dhënë përparësi ironisë, po duke mos kaluar në sarkazmë e shund, çfarë e gjejmë përgjithësisht me bollëk në prozën e letërsisë shqipe të kësaj periudhe. Vetëm mund të merret me mend një tekst i periudhës së viteve ’70 me temë partizane, sikur është tregimi Në gjirin e popullit (1974); dhe vetëm mund të merret me mend ironia, sarkazmi e madje shundi në një prozë të shkruar në kohën tonë, sikur është tregimi Si e zbulova “Zërin e Amerikës” (2012). Nuk mund të mos theksoj këtu se tregimet e periudhës së parë kanë më shumë dramë të përgjithshme dhe më shumë dramaticitet të brendshëm të rrëfimtarit. Ato janë shkruar sa për tu lexuar po kaq edhe për tu vënë në skenë a gjiruar film. Tregimet e periudhës së dytë ndërkaq janë më afër teatrit dhe kanë më shumë zhvillime të brendshme. Tregimet e periudhës së parë sikur i prijnë drejtuesit të ardhshëm të Teatrit a të Filmit, ndërsa tregimet e periudhës së dytë sikur e përcjellin nga skena drejtorin e Teatrit të Vlorës. Le të shpresojmë se botuesi do të na jap së shpejti edhe vëllimin e tregimeve të plota të këtij autori, i cili në asnjë mënyrë nuk mbetet prapa bashkëkohësve të tij: Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Zija Çela, Ferhat Cakaj, Bashkim Shehu, Kiço Blushi etj.
STUDIMET
Vëllim i përzgjedhur i poezisë, prozës e studimeve të Petrit Qejvanit përmbyllet me disa studime, që në një mënyrë a një tjetër, përmbyllin edhe biografinë letrare dhe profesionale të tij. Ndryshe sikur nuk mund të ndodhte. Petrit Qejvani e ka filluar jetën e tij prej mësuesi në fshatrat në të thella të Shqipërisë Veriore, e ka vazhduar jetën profesionale prej drejtuesi të Teatrit të Vlorës dhe e ka përmbyllur jetën prej ligjëruesi në Universitetin e vendlindjes “Ismail Qemali”. E ka filluar jetën prej poeti e prozatori dhe e ka përmbyllur atë duke shkruar e ligjëruar tema të mëdha të letërsisë shqipe e botërore. Në këtë vëllim janë përfshirë në mënyrë simbolike katër artikuj: Identiteti kulturor i shqiptarëve (1994), Naim Frashëri - Poeti dhe atdhetari (2006), Për librin e G. Tushit “Politika dhe qytetari” (2007), Petro Marko – Shkrimtari dhe qytetari ose drama që vjen prej utopisë (2008) dhe Mbi fizionominë poetike të Ali Asllanit. E ne presim që në një botim më vete një ditë të kemi edhe artikuj të tjerë, për të mos thënë edhe ligjëratat universitare për letërsinë antike dhe mesjetare, të kërkuara edhe sot prej universitarëve tanë.
Në këtë përmbledhje editori, sikur i ka vënë qëllim vetës ta përfaqësoj studiuesin me nga një tekst profilizues (shqiptarët, Naim Frashëri, Ali Asllani, Petro Marko dhe dy miq të tij krijues), në të vërtetë një tekst autorial për shqiptarët, si një mesazh për të huajt; një studim domethënës për universin krijues e shpirtëror për Naim Frashërin; një tekst monografik të munguar për poetikën e Ali Asllanit; një mesazh zhgënjimi për Petro Markon dhe brezin e tij dhe së fundi dy reçensa miqësore. Si të tilla, këto tekste përmbyllin biografinë e jetës dhe bibliografinë profesionale, biografinë e edukatorit të një brezi të largët dhe bibliografinë e pedagogut të një brezi në formim.
PËRFUNDIME
Pasi ka përmbyll një jetë të pasur prej edukatori, shkrimtari, intelektuali e ligjëruesi në katedrën më të lartë universitare dhe pasi ju ka dhënë lamtumirën bashkëkohësve të tij, Petrit Qejvani e ka filluar jetën prej autori vëllimesh letrare, publicistike e shkencore. Pas botimit të dy vëllimeve me poezi e tekste publicistike dhe pa e parë dritën edhe ndonjë vëllim tjetër me proza e studime, ai këto ditë vjen me një vëllim të përzgjedhur (triptik) me poezi, proza dhe studime përfaqësuese.
Megjithëse ende pa njohje të plotë të portretit krijues të tij, sot mund të themi se Petrit Qejvani me këtë vëllim na vjen i plotë dhe i tejshquar, me të gjitha veçoritë e tij jetësore e krijuese. Prandaj, le të jetë kjo vepër një homazh për 75-vjetorin e lindjes së tij, që tash mund të quhet edhe 75-vjetor i krijimtarisë letrare të brezit të tij.
Comments