top of page

Tridhjetë e tetë kopsat e mia


Tridhjetë e tetë kopsat e mia

Tregim nga Fatmir Terziu


Xhaketa më duket se ndodhet ende e varur në derën e dhomës së madhe. Më duket se ajo mban akoma shenjëzat nga gishtat e mi të gjakosur dhe pështjell brenda saj refrenin e pazakontë të asaj shpulle që shëtiti midis mureve të asaj dhome deri sa m'u duk se shpërthyen edhe xhamat e shtëpisë. Nuk e di pse ende më ngjajnë si një gjerdan diamantesh të pagjendshme ato mori lotësh që më solli ajo lojë fëminore. Ndaj ende e kam të freskët në sytë e mi dualitetin e këputjes dhe kërcitjes së kopsës që shënoi të tridhjetë e tetën në torbthin tim të vogël. Me të u bëra i pakapshëm! Bashkimi, shoku im i fëmijërisë nuk mund të ma kalonte më. Loja me kopsa tashmë kishte kampionin e ri. E ai kampion isha unë.

Unë tashmë kisha tridhjetë e tetë kopsa.

Të parën dhe të katërtën i gjeta kollaj. Prita që duart e nënës të prisnin shirit pas shiriti pantallonat e vjetëruara të babait e të bëheshin gati për tezgjahun e gatshëm që të plotësohej numri i duhur i shiritëzave të ngjeshura që plotësonin gjatësinë e rrugicave prej lecke që me to shtronim shtëpinë tonë. Me kujdes zgjata duart dhe nëna me bisht të syrit ishte e gatshme të më kundërshtonte veprimin tim. Por unë, ashtu me dhelpërinë time të përkëdheljes së djaloshit të lindur pas shumë vitesh martesë, e bëra që ajo të bënte sikur nuk i donte kopsat që i kishte vënë me kujdes mënjanë. Më në fund me duart e mia të vogla bëra atë që duhej. I tërhoqa me kujdes. Dhe i sistemova në një torbëth të vogël, që e kisha gjetur në një nga sënduqet e gjyshes. Ishte një nga torbthat e tilla të vogla, që gjyshja ime i mbante në qafë dhe që në to strukte paratë e familjes. Kështu më në fund edhe torbthi im kishte diçka brenda. Kishte katër kopsat e para, me të cilat isha gati të mburesha mes shokëve të mi moshatarë në lojën tonë të passhkollës, lojën me kopsa. Por ishte kot. Të tjerët kishin mbi dhjetë kopsa të ndryshme. Kështu më duhej të shkoja më tej e më tej, se dhe ata do të shtonin e do të shtonin numrin e kopsave.

Ishte kohë kursimesh. Në të gjitha muret e qendrave më të rëndësishme të asaj kohe, në të gjitha muret e tilla që të rrokte syri, shkruhej me të madhe: „Kursimi mbi të gjitha!“ Dhe kjo ndiqej nga të gjithë. Sytë e të gjithëve ishin tek sytë e të tjerëve. Sy më sy e vesh më vesh për njëri-tjetrin. Shitësja të pyeste njëqind herë po të merrje dy herë një podukt. Dukej sikur edhe ajo ishte pjesë e planit të kursimeve të tua e të familjes. E kush mund ta mendonte se edhe për kopsat ishte një pyetësor më vete. Ishte e pamundur të shkoje e të blije kopsa. „Përse i do?“ „Kush i do?“ e mjaft të tjera si këto ishin mes teje dhe shitëses, aq sa të dukej e neveritshme. Nejse kopsat ishin atë kohë një kërshëri e stisur fëminore. Loja me to na kishte gati gllabëruar. E unë kisha një temperament të atillë, që gjithnjë të dilja i pari. Doja të isha i pari edhe në grumbullimin e kopsave. Po ashtu dhe në lojën me to.

Kështu pesë kopsat e tjera i gjeta ndoshta pakuptueshëm. Ishin vendosur mbi oxhak dhe i dallova lehtë mes gëlqerimit të bardhë, se ishin me nuanca. E bardha ndikonte mes një butësie rozë, që në sy përqasej si një kashtisje e butë mes blusë së ëmbël që zakonisht ky ngjyrim ndodh me derdhjen e vajit në një pellg me ujë, kur në ndikimin e rrezeve të diellit bën një larushi të pazakonshme ngjyrash. Gjyshja i kishte shkulur nga një këmishë e madhe, e bukur, me qëndisma në të dy krahët. Këmisha dukej si një endje e lehtë. Materiali i saj edhe pse kishte mbi të peshën e kushedi sa viteve dukej ende i përdorshëm. Në disa pjesë të saj molat kishin gjetur papandehur ushqim dhe si të tilla kishin tejkaluar shijen e tyre duke hapur disa vrimëza të vogla. Më së shumti në anët ku ishin qepur kopsat. E aty duart e lodhura të gjyshes sime, sigurisht me një dridhje të lehtë të gishtave bënin atë që sot e bëjnë makineritë moderne. Gjyshja nuk mund të them se arnonte, por bënte art. Art më vete. Kështu i duhej pak kohë. Fundja gjyshja eglendisej me këtë art. E kopsat nuk ishin më në vëmendjen e saj. Pas dy a tre ditësh ajo me një zë të butë erdhi ngadalë e drejt në krevatin tim ku po flija dhe më pyeti drejtpërdrejt: „A të duhen më kopsa?“ Unë gati sa nuk kërceva nga krevati. Ajo më mbante dorën në ballë dhe më ledhatonte. Të dëgjoja mbrëmë në ëndërr teksa bërtisje se do bëheshe kampion me lojën me kopsa dhe … Dhe unë isha bërë i tëri djersë. Gjyshja më puthi, buzëqeshi dhe u largua deri tek dera. Pastaj u kthye sërish nga unë, buzëqeshi dhe më tha „Ajo këmishë është një nga këmishat e brendshme, që e ka prurë gjyshi yt nga larg, dhe ajo mund të vishet dhe pa kopsa…“ Kështu pesë kopsat e tjera u bënë pronë e torbthit tim të vogël, që tashmë mbante në brendësi të grykës së tij të shtrënguar mirë, nëntë kopsa.

Pas kësaj dite ndjehesha më ndryshe. Ndoshta nuk isha bërë ende kampion, por buzëqeshja e gjyshes sime dhe fjalët e saj, puthja e saj më dhanë shumë besim. Tashmë më dukej se nuk isha i vetëm në këtë siklet fëminor. Me mua ishte dhe gjyshja. Dhe jo vetëm ajo… Ndërsa isha me këto mendime në kokë, në fillim në atë malore të butë pashë bardhësinë e qeleshes, pastaj hijen e njeriut që kapte majat e pemëve ndanë rrugës, e pastaj gjyshin që ashtu i mbështetur në shkop, shokun e tij të pandashëm të disa viteve të pleqërisë, të ngjitej ngadalë e me kujdes. Sa bëri në midisje unë kërceva nga vendi dhe iu turra në qafë. Gjyshi më kishte munguar që nga koha kur gjyshja foli me mua për kopsat. Bëri pak pushim dhe më përqafoi fort.

„Nga e dije ti?“ – më pyeti ai.

„Përse?“ – ia ktheva unë.

„Ja për këto. Janë të tuat. Janë dymbëdhjetë kopsa të ndryshme. Janë të vjetërruara por mendoj se të bëjnë punë, merri! – më tha ai dhe sytë e mi por edhe sytë e tij u mbushën me lotë njëherazi. Por kureshtja, se ku i kishte gjetur këto kopsa të ndryshme, më brente nga brenda. Gjyshi në fillim hezitoi të më tregonte, por pastaj më tregoi ngadalë e ngadalë.

Atë ditë të gjithë u trembën. Një kope e madhe ujqërish sulmoi stanet që ishin në malin ku ne ishim thirrur për gatishmëri. Ujqërit ishin të egërsuar. Ndoshta nga vetë dimri i egër i atij viti. Kështu ata bënë zullum të madh. Mes tetë barrinjve të staneve ne gjetëm edhe dy djelmosha të ardhur nga larg, që ishin shqyer nga ujqërit e tërbuar. Ne i morëm dhe i mbështollëm në dy nga batanijet që kishim me vete dhe rrobat e shkyera, për të mos i mërzitur më shumë prindërit dhe të afërmit e tyre i hodhëm në një shkëmb. Kështu që unë e dija se aty do të gjeja atë që të duhej. Mora këto kopsa dhe erdha. Unë e kisha humbur veten në atë rast. Vetëm lotët bënin rrokadë duke kërkuar hapësirë midis hundës dhe faqeve të mia. Sidoqoftë tashmë kisha njëzetë e një kopsa. Kjo më bënte të ndjehesha ndryshe. Fundja isha një fëmijë.

„Mos më thuaj më shumë“ – tha gjyshja ndërsa unë bashkë me gjyshin po bënim për nga dera. „E di tha ajo, ty të duhen tashmë edhe shtatëmbëdhjetë kopsa. E di. Por edhe ato do t'i gjejmë.“ Gjyshja nisi të më tregonte se nëse do të kisha tridhjetë e tetë kopsa, unë padyshim do të isha fitues. Sipas saj, numri tridhjetë e tetë kishte të bënte me një numër engjëllor. Në një moshë të tillë gjyshi im ishte bërë baba, pra pas mjaft vitesh martese, kishte lindur babai im. Me këtë numër gjyshja thoshte se merrni atë që ju do zemra, atë që ju e kërkoni. Unë vetëm e dëgjoja gjyshen time, dhe ajo vazhdonte në të sajën, herë lutej sipas mënyrës së saj e herë më thoshte se është një numër i mirë për t'u marrë, dhe duhet të jeni mirënjohës që po merrni këtë numër engjëlli sepse kjo është një shenjë se jeni në rrugën e duhur. „Jeni të sigurt se çdo gjë që po bëni po ju afron me qëllimet tuaja, se kështu u thashë atëherë edhe djemve të mi, kur toka u shkund dhe u bë katrahurë“ – vazhdonte gjyshja.

Kishin kaluar gati pesë vjet nga ajo katrahurë ku u shkatërruan 177 fshatra. Tërmeti në Dibër dhe Librazhd që ndodhi në 30 nëntor 1967 më kishte gjetur fëmijë trevjeçar, por tashmë mosha ime tetë vjeçare kërkonte më shumë nga kureshtja. Atë vit erdhën mjaft njerëz, specialistë, ndihmës, aktivistë që kishin dhënë kontributin e tyre në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. Shtëpia jonë e madhe ftoi mysafirë të një nate plotë shtatëmbëdhjetë vetë. Dy dyshekë dhe dymbëdhjetë jorganë i kishim vetë dhe pesë të tjerë i huazuam nga komshinjtë dhe kështu gjithë nata thuajse deri afër mëngjesit ishte gëzim dhe festë. Ata flisnin dhe tregonin e unë dëgjova e dëgjova sa ëndrra më shtiu në dorë një palë gërshërë. Me to në dorën e djathtë bëja një herë nga e majta dhe një herë nga e djathta. Trupi im nuk mund të kapte drejtimin e duhur të një xhakete aq të bukur që ishte varur në pasnajën e derës së dhomës së madhe. Xhaketa ishte plotë me kopsa. E kopsat më sillnin një dritë verbuese në fytyrë. Hapa gërshërët dhe menjëherë ndjeva një rymë gjaku të shpërthente nga gishtat e mi. Bëra më tej dhe më tej dhe nga pas ndjeva një shpullë të fortë. Sytë u mbushën me lotë. Ndjeva një dhimbje të vërtetë. Pastaj gati u shkula i tëri nga vendi dhe kur hapa sytë në mëngjes të gjithë kishin ikur. Ishte e diel dhe ishte muaji nëntor, ndaj dhe gjumi të gllabëronte. U ngrita dhe u ndjeva keq që nuk i pashë përsëri ata mysafirë të veçantë. Bëra nga dritarja dhe aty pashë një letër. Poshtë saj ishin shtatëmbëdhjetë kopsa. Letra kishte vetëm këtë fjali: „Të gjitha ato netë pa gjumë, po japin rezultat, sepse keni arritur rezultatet që prisni.“

Gjyshi dhe gjyshja po shakatonin në oborr të shtëpisë. Unë ashtu me torbthin e vogël tashmë shtrëngoja nën grykë të tij tridhjetë e tetë kopsat, si tridhjetë e tetë engjëj, që më bënin tashmë kampion të padiskutueshëm të asaj loje fëminore me kopsa…

75 views5 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page