top of page

Tri tregime të Kadaresë që...


Ismail Kadare

Tri tregime të Kadaresë që shënuan vlerat në rritje, por që zbulojnë edhe “heshtjen”


Dr Fatmir Terziu


Shpeshherë është folur dhe flitet për krijimtarinë e shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare. Është vështruar krijimtaria e tij nga kënde të ndryshme. Në poezi është vlerësuar nga kritika vendase dhe ajo e huajme notat më sublime. Në prozën e gjatë ka tashmë vendin e tij kulmor në këndin e krijimtarisë botërore. Mjaft studiues shqiptarë (Xhaxhiu, 1980; Bulo; 1981; Kallulli, 1982; Gjokutaj, 1983, Bejko, 1995) kanë thënë që herët rreth veçorive të kësaj krijimtarie. Kohët e fundit hapësira vlerësuese ka kaluar kufijtë. Akademikë, kërkues, studiues dhe analistë kanë vënë në rend të ditës këtë sprovë tejet didakte për lëminë e letrave. Por tek rruga kadareane, ndoshta ndalesa mbetet larg. A thua kjo mbetet vetëm për kërkuesit, studentët, analistët?

Vetë Kadare rrugën e krijimtarisë letrare e nisi me tregimin e shkurtër, por si poet që në vitet e gjimnazit mori ‘guximin e botimit’, kur u bë i njohur me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal, rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980).

E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Dimri i madh” (1977). Veprat më të mira të Ismail Kadaresë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.

Por në një plan tjetër në tërë këtë larmi vlerash shpeshherë duket se gjithmonë mungon një e pathënë e madhe, një vlerë që në prozën e shkurtër ka vlera të papërsëritshme. Është fjala për tregimin e shkurtër të Kadaresë. I lëvruar që herët, madje si një sfidë për kohën kur poezia kërkohej në plan të parë. Në këtë sfidë ishte Kadareja, me frymëzimin djaloshar që i ngjitej një maje kokëforte me sistemin mes ideve tërheqëse, duke botuar tregimin e tij të parë, që zgjoi vëmendje.

Por edhe pse ende s’dihet pse tregimi i parë i Kadaresë, nuk përmendet, viti 1984 do të sillte në skenë tre tregime të veçanta dhe brilante të Kadaresë. Tre tregime që në fakt bënë emër menjëherë, por që në syrin e kritikës së asaj kohe u lanë disi pas dore. Tregimet “Një ndryshim në tragjedinë “Hamlet”; “Ndërtimi i aeroportit civil” dhe “Sjellësi i fatkeqësive” u botuan në revistën e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike “Nëntori”, numër 4 të vitit 1984 dhe zunë një vend në faqet 106-165. Kolegjiumi i redaksisë së asaj kohe i përbërë nga Eglantina Mandia, Fatmir Gjata, Jorgo Bulo, Odhise Paskali, Simon Gjoni, Sterjo Spasse, Viktor Gjika, Xhevahir Spahiudhe sekretar kolegjiumi, Zef Gurakuqisipas disa burimeve të sigurta që i referohen fakteve mësohet se kishin mbetur të mahnitur, por edhe të shokuar nga guximi i penës dhe stili i këtij shkrimtari shqiptar. Nga vetë mënyra e vendit të caktuar për këto tre tregime në këtë revistë shihet qartë vlerësimi i ‘heshtur’ i kolegjiumit.

Pastaj ishin ‘Frymëzimet djaloshare’, ndoshta ato poezi që vunë në garë mjaft të rrinj e të reja, pse jo edhe Elenën, me të cilën tashmë prej vitesh e vitesh kalo vitet e jetës së tij.

Teksa tregimi i shkurtër vinte si një alternativë kundër ideve të ‘realizmit socialist të fuqizuar nga vargu që i këndonte jetës së re’ ishte në fakt vetë kuadrati metafizik që përcillte stili i Kadaresë.

Vjedhja e gjumit mbretëror” përfshin disa tregime, si: “Vdekja e gruas ruse”, që trajton temën e gruas ruse, që ka mbetur në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike; “Lamtumira e së keqes” shpall dhe përgatit tërheqjen e osmanëve jashtë kufijve të tokave shqiptare; “Muri i madh”, që është shkruar gjatë dimrit të vitit 1993, në kronologjinë e veprës vjen “Piramida”, një tjetër ngrehinë mitike në gur; “Kisha e Shën Sofisë” të kujton dysinë e atyre zonave të takimit midis kulturave. Ky tregim është shkruar në pranverën e vitit 1994 në Shqipëri, ku, meqë ateizmi zyrtar është braktisur, fetarët kërkojnë t’i dyfishojnë shpirtrat; “Vjedhja e gjumit mbretëror”, ka një pjesë të lidhur me “Pallatin e Ëndrrave”. Nëse ky tregim u shkrua në pranverë të vitit 1995, ideja zë fill para nja dhjetë vjetësh, në çastin kur pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia kishte hipur në fronin e Shqipërisë etj.


222 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page