top of page

TREGIMTARI QË MEDITON PËR NJERËZIT DHE NGJARJET


SHPENDI TOPOLLAJ


VLADIMIR MUÇA, TREGIMTARI QË MEDITON PËR NJERËZIT DHE

NGJARJET

(Rreth librit me tregime “Ankth pritjesh”)

Po t`i hedhësh një sy krijimtarisë letrare të Vladimir Muçës, do të vësh re se ai në të gjashtëmbëdhjetë librat e tij, ka lëvruar thuajse të gjitha gjinitë; pra, poezinë, tregimin, romanin dhe kritikën letrare. Këto vërtetë janë të ndryshme nga njëra - tjetra, por kanë një të përbashkët shumë domethënëse: talentin, kulturën dhe sidomos dashurinë e këtij autori për të tjerët dhe respektin e vlerësimin për krijimtarinë e tyre. Vladimiri vjen nga radhët e ushtarakëve. Kur ai ka qenë oficer trupe, ne kemi shërbyer bashkë në të njëjtin repart, dhe të zhytur në kokëçarjet dhe rutinën e punëve pa mbarim, as që e kishim kohën për të shkruar apo diskutuar rreth letërsisë. Sapo na jepej mundësia, ne suleshim te librat për t`i lexuar apo më mirë për t`i përpirë ato. Ashtu sikurse unë, edhe Vladimiri filloi të shkruante dhe botonte vonë, kryesisht në kohën e demokracisë (duke mos llogaritur ato sprovat e zakonshme të çdo gjimnazisti), pra kur jo vetëm sekush ishte i lirë të krijonte pa drojë, por edhe kur temat, shpesh nga më të çuditshmet e më të pabesueshmet ishin me shumicë. Njeri i punës, i thjeshtë dhe përherë i qeshur, me një pamje ku binte në sy çkujdesja për t`u dukur, madje duke ruajtur diçka nga fshati ku kishte lindur, ai ishte krejt i natyrshëm. Dhe po kaq natyrshëm, ai hyri edhe në fushën e letërsisë, sikurse edhe ka shpjeguar tek eseja e tij “Mes krijuesish”, përfshirë te libri me tregime i botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese ADA, me titullin “Ankth pritjesh”. Si la rroben e oficerit, mori furçën dhe pompën e gëlqeres për të lyer shtëpitë, pra për të jetuar me nder, pa ditur se ç`përshtypje do të linte te të tjerët. Dhe me të njëjtën lehtësi mori dhe penën për të shkruar, jo për të ndryshuar botën, por për ta bërë atë të lëvizë sadopak - sikurse shrehet vetë. Bota sipas tij është në vetvete pafund e përsosur e për rrjedhojë edhe pa masë e bukur. Ajo që do ndrequr është këndvështrimi ynë për të. Dhe ky këndvështrim varet nga gjendja jonë shpirtërore. Kur jemi të plotësuar brenda vetes, pra kur na pushton mirësia, optimizmi, entuziazmi e euforia, pa tjetër që e shohim atë me ngjyra të ndezura marramendëse. Prej saj përftojmë kënaqësinë, emocionet dhe ngazëllimin që edhe neve na bëjnë të ndihemi më të mirë. Në ekstazë e sipër, njeriu, e sidomos poetit, edhe ai lumi i zakonshëm i qytetit të tij, Erzeni, i duket se “Asnjë vend si këtu, / Si nëpër këtë lumë, / Ku çdo histori shndërrohet në magji, / Nuk më josh më shumë, / Më ngop me poezi”. Aq frymëzim ndjen shkrimtari, sa edhe kur shkruan tregime (si një nga llojet e letërsisë epike narrative me fjalë të kursyera), nuk përshkruan thjesht ngjarje, por derdh atë gjendjen e tij që kërkon ta ndajë me të tjerët. Edhe kur përshkruan “Monologun e një qeni”, “Ankimet e një kali” apo “Një dialog i vështirë” i maçokut, ai duket se nuk flet për kafshë. Edhe ata na i përshkruan sikur të ishin njerëz të vërtetë, me gëzimet, e hidhërimet e tyre, me krenarinë dhe keqardhjen për mundimet e tyre, pasi edhe ata si njerëzit, i lodh e i poshtëron diskriminimi, paçka se rrjedhin nga Buqefali besnik i Aleksandrit të Maqedonisë që dikur derdhi lot për vdekjen e papritur të të zotit. Paçka, se edhe kali shprehet se dëshiron “të bëj dashuri dhe unë me femrën time… Atje nën hijen e vidhit, të putheshim e të bënim dashuri të përkorë… Eh!... sa e mrekulluar do ish skena erotike… Ç`pasion, ç`devocion, ç`delikatesë përkëdhelëse mbi jele,.. jo si një gravurë, por e shndritur si një pikturë e Shagalit”. Ja pse edhe një “Fundvjeshtë” atij i bëhet aq e madhërishme, sa deklaron te tregimi i tij “Fundvjeshtë”: “Ndoshta dhe ne njerëzit, më së miri është t`u ngjajmë zogjve të erërave të fëmijërisë në këtë fundvjeshte të trishtë, t`u përngjajmë avujve të këtij dheu që ngjall bisqet e lisave me frymën e Panit që në lashtësi, me gjithë mirësitë”. Ja sa gjetje e mençur kjo e Panit, perëndisë arkadike të pyjeve, barinjve e gjahtarëve, i cili kur ishte i ri, teksa ndiqte pas Siringën e bukur, ndërhynë hyjneshat dhe e shndërruan nimfën në kallam, prej të cilit ai zëmadhi bëri atë fyellin e tij të famshëm. Shprehja e njohur “Vdiq Pani i madh” që në letërsi përdoret kur duam të lajmërojmë se vdiq një njeri i shquar apo një epokë, nga ana e Vladimir Muçës, në këtë moment magjie të natyrës, merr kuptimin e kundërt, atë të mrekullisë së jetës, rilindjes e gjallërimit të saj. Dhe ai i mëshon kësaj ideje, si në prozën e tij poetike ashtu edhe në poezinë prozaike: “Hëna pjalmoi mbi Rivierë, / Çfarë ndriçimi boreal mbi det! / Nëpër vezullimin e prerë horizontit / Çdo ditë rikthen tjetër jetë.” Shpesh herë, njeriu nuk e kupton; është në botën reale apo lodron në ëndërrime. Ja si pyet ky autor: “A është e vërtetë apo bukuria është iluzion i syrit?” Po ja që pikërisht midis këtij dyzimi, gjendet ajo bukuria sublime, e cila buron nga gjendja subkonshiente e vetë njeriut. Duke e ditur këtë, Vladimiri depërton në thellësi të kësaj subkonshience, duke u munduar sa mundet ta ndriçojë atë, duke larguar terrin prej saj. Por sikurse thamë, kur flet për njeriun, ai nuk na jep ndodhi kronologjike. Ai merret me gjendje, perceptime që ne i njohim si meditime. Duke marrë shkas nga një e tillë, ai fut në rol Unin e tij. Dhe patjetër që ky Uni i tij është më superior sesa ai i personazhit që shkrimtari ka zgjedhur. Dhe pavarësisht prirjes së përgjithshme të tij drejt së mirës, ai e di se në jetë, ashtu siç e kemi ndërtuar ne vetë atë, ka ca fenomene që të dëshpërojnë. Prandaj i qan hallin lulishtarit që kujton erën dehëse të luleve pasi ja betonuan lulishten, të divorcuarës që varfëria e ka detyruar të prostituojë apo rënia morale deri në zvetënim e të papunit. Ka dhe një meritë V. Muça në kujdesin për të përdorur fjalë të sajuara, nga të cilat disa edhe mund të mbesin. E parë nga kjo anë, duhej bërë prej tij më shumë kujdes, me ortografinë. Ashtu sikurse janë shkruar jo saktë disa të tilla si p.sh. Post Mortum për Post Mortem, apo Shpata e Demokleut për Shpata e Damokleut etj. Në mbyllje, dua ta përgëzoj atë për kritikat e tij jo vetëm profesionale por edhe shumë dashamirëse të cilat i manifeston në çdo veprimtari letrare, si këtu edhe jashtë vendit, për autorë të ndryshëm dhe t`i them se prej tij priten ende libra të tjerë, pasi edhe vetë ai e pranon se : “Ndoshta në rremba gjaku ngrin / Por zemra rreh e papërtuar; / Dashuri fal ngado pa përtim. / Ndonëse e plakur dhe e trishtuar”. Se është po ai, veprimtari i palodhur që ka thënë: “U futa në mesin tuaj, se doja të ndaja me ju, çdo prekje të ajrit, të thyeja pancirin e shpirtit tim. Miq të mi, arti që mendoni të krijojmë me dhuntinë e fjalës, kur bëhet me sinqeritet dhe çiltërsi, është i përjetshëm!” Vladimir Muça, ende ka për të na dhënë nga ky sinqeritet dhe kjo çiltërsi.

81 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page