top of page

TRE MËSUES, TRE VËNDE, TRE SHOKË, TRE NXËNËS


TRE MËSUES, TRE VËNDE, TRE SHOKË, TRE NXËNËS.

Nga Mentor Serjani

Nga vitet e shkollës së mesme njeriu ka shumë kujtime, mbresa, çaste të hidhura, të gëzuara, etj. Nga Bregdeti në shkollën e Vergoit, ishim: unë, Sevo Roshi dhe Arta Kërkeshi nga Shënvasia, ndërsa si mësues ishin: Spiro Mënguli e Orest Papagjika nga Nivica. Spirua kishte ardhur nga Delvina, na jepte Mekanikën Bujqësore, shumë i përgatitur. U largua si përgjegjës sektori në Borsh, kur unë isha në vitin e tretë. Ka ndihmuar shumë edhe vëllanë tonë, për të punuar edhe bërë këndet e emulacionit të brigadave, për t'iu shmangur, brigadjerit, por edhe për të ushtruar profesionin e tij si piktor-dekorator. Spirua ishte një mësues që, me mënyrën e tij të natyrshme, të impononte të mësoje. Kur u largua më tha:- Doja të isha dhe këtë vit, të të nxirrnim dhe ty! Edhe më pas, si specialist në komunën e Lukovës, është shquar për kompetencë profesionale dhe korrektesë shtetërore në administrimin e dokumenteve

Oresti, na jepte Histori dhe Njohuri të Marksizëm- Lenimizmit, ishte disi më i komunikueshëm dhe liberal, e kisha mësues kujdestar. Njeherë, sëbashku me një shokun tim, vajtëm ( nuk e mbaj mënd sepse) në dhomën e tij, por ajo që mbaj mënd është se unë dhe shoku im Alqi Jorgji nga Senica, i pimë një gjysmë kile raki që kishte aty, për të cilën nuk na tha gjë, thjesht na i përmendi me humorin që e karakterizonte. Me Orestin, kur iknim të shtunave, ktheheshim ndonjëherë edhe në baxhon e Vaut të Dafinës, apo stanet e kuçiotëve në fushën e Prapanicëc, kështu quhej kullota.

Unë isha pak zgjedhës, por sidoqoftë shijen e atyre gjërave, edhe pse haja pak, e mbaj mënd mirë dhe sot them: - Ah, ku ti gjej edhe një herë! Ato ushqime (djath i njomë, gjalpë, kos, qumësht, dhallë) jo vetëm që ishin '’xhaba’’, por ishin biologjike, te shijëshme dhe të shëndetshme. Me Orestin kaluam mirë edhe kur ai ishte përgjegjës kulture në NB Lukovë, kurse unë brigadjer. Në ansambllin artistik te Ndërmarrjes dhe në grupin polifonik te fshatit mori pjesë Jakovi, vëllai ynë. Filip Anastasi ishte nga Kostari i Delvinës, por banonte në Lukovë. Ky më jepte stërvitje ushtarake (në të mesmen), kurse në 8-vjeçare jepte Histori-Gjeografi, për të cilat ishte diplomuar. Ishte shumë i komunikueshëm. Shumë herë të hënave udhëtonim bashkë, deri në Shënvasil me Faik Ahmatin, i cili atëherë punonte me të burgosurit që i shpinte dhe i binte nga Fronti i punës. Pasi qerasnim Faikun, pinte edhe Filipi ndonjë kafe-konjak e sipas rastit ndonjëherë edhe unë. Pastaj niste marrshimi më këmbë për në zonën e Vergoit, duke kaluar lumin e kalasës me këmbë, i cili një herë na rrezikoi, se na erdhi afër grykës. Por Filipi më dha kurajo, ishim kapur të dy bashkë dhe kaluam një kalim shumë i rrezikshëm, që nuk kam për ta harruar gjithë jetën. Dhe tani që e pershkruaj rrënqethem. Me të tre mësuesit, përveç raporteve që kishim si bregdetas dhe shokë, kishim edhe raportin mësues-nxënës, nuk i kalonim, si të thuash ato «vijat e kuqe». Por, njëherë, si i ri që isha, nuk isha qethur; Duke përfituar nga shoqëria me mësuesit e kisha neglizhuar, «hë sot, hë nesër».

Filipi më nxorri nga ora e mësimit, jo me urrejtje, jo për dënim; Thjeshtë për t'u qethur dhe për të kaluar orën; Kishim tri orë mësim rrjesht me të. Shkova dhe u qetha. Arta Kërkeshi ishte një vajzë shumë e mirë dhe e komunikueshme. Kam vite, që nga mbarimi i shkollës, që nuk e kam «as parë e as takuar», megjithatë ruaj një respekt e konsideratë për të,ashtu edhe për Sevo Roshin, me te cilët ndënja plot një vit, pasi këta ishin tre vjet para meje. Arta rrinte tek ca njerëz të saj në Senicë, ndërsa Sevua në një dhomë me mësuesit. Sevo Roshi, një shok i mirë profesionist, i përkushtuar për të ndihmuar. Me Sevon bashkëpunuam edhe kur ai ishte në postin e sekretarit të Komunës në Lukovë. E pra këta ishin TRE mësuesit e shkollës së Vergoit nga Bregdeti, TRE nxënësit po nga Bregdeti, këto ishin dhe TRE vendet e tyre: shkolla, Bregdeti dhe Rrëzoma; TRE vendlindjet e tyre: Sasaji, Shëvasili dhe Nivica; TRE shokë dhe mësues; Spiro, Orest, Filip; TRE nxënës, shokë dhe vëllezër: Sevo, Arta dhe Mentor! Në një trinom, te tillë, asnjë faktor nuk mund të ndahet nga tjetri! Dhe kështu do te mbetemi, si në shkollë dhe në jetë: miq, shokë, nxënës, vëllezër!...

Këto ''radhë'' i hodha në një 7-Mars ,se njeriu, në rrugëtimin e tij drejt dijes, ecën dhe rritet pa fund, nxë shumë gjatë jetës, por asnjëra nuk është aq e madhe, sa mësimet që merr nga nga mësuesit e tu. Duhet të skalitësh tek edukata jote atë të të qënit NJERI, i drejtë dhe i lumtur në thjeshtësinë e lumturinë tënde, mirëdashës ndaj dijes dhe miqve dhe shërbëtor i denjë i tyre.

66 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page