top of page

TOREADORI


TOREADORI Nga Fiqri Shahinllari

Pas shpërbërjes së sistemit komunist në Evropën Lindore, mija e mija emigrantë morën rrugën e Evropës Perëndimore, me shpresën e një jete më të mirë, qoftë edhe duke zëne një punë dosido. Kështu bënë edhe dy shokë, miq të vjetër e për kokë me njeri-tjetrin. Këtë miqësi ata e kishin farkëtuar dhe ushqyer Në ditë të mira e në momente të këqija. Në kërkim të një vendi pune nëpër Evropë, ata kaluan mjaft peripeci e vështirësi të shumta e të rënda. Por s’ke ç’bën. Kur të zë halli duhet t’i thuash derrit dai! Autori i këtyre radhëve u lutet dhe kërkon ndjesë lexuesve sepse nuk e mori vesh saktë vendorigjinën e dy protagonisteve të përrallëzës, le ta quajmë kështu këtë histori të shkurtër, pasi e dëgjoi si shkarazi në aeroplan duke udhëtuar për në Amerikë. Nga cili shtet ishin këta dy emigrantë? Ata mund te ishin ruse, polake, rumune, serbë, bullgarë, po mund të ishin edhe shqiptarë, kush e di?! Dhe, me qenë se autori që ka marrë përsipër të ritregojë këtë histori të vogël është shqiptar, le të biem dakord për t’i quajtur edhe dy emigrantët sikur kane qenë shqiptarë. Sepse kështu do të kapet më mirë nga lexuesi. Se, më mirë t’i quajmë njërin Zeqo e tjetrin Maqo se sa Vollodja apo Popesku e ku di unë se ç’farë tjetër… Të dy miqtë, pra ishin duke udhëtuar nëpër Evropën Perëndimore. Me vete mbanin secili nga një çantë meshini me ushqime dhe me ndonjë pije alkoolike. Kishin edhe lugë e Zequa kishte marrë nga shtëpia thikën e madhe të bukës se, nuk i dihej, mund të hasnin ndonjë egërsire rrugës kur kalonin nëpër male. Ec e ec, ec e ec, kaluan male e fusha, lumenj e përrenj dhe, pa pritur e pa kujtuar, na u ndodhen një ditë të bukur në mes të një qyteti të madh e të zhurmshëm. Kishte qenë ditë e diel. Në një kryqëzim rruge u ndalën. Vunë re një varg të madh njerëzish që shpejtonin hapat me ngut. Zequa me Maqon kujtuan se ishin njerëz që kërkonin punë në ndonjë zyrë aty afër. U bashkuan me rrymën e turmës. Dëgjonin bisedat që bënin njerëzit e turmës me njeri tjetrin po nuk i binin në të, se në cilën gjuhë flisnin. Maqua “kapi” ca fjale që atij iu duken si italisht. I tha Zeqos se mbase kishin sosur në Italinë e Veriut. U bë kureshtar edhe Zequa por atij nuk i shëmbëllyen si gjuhë italiane fjalët në turmë. I ngjanin asaj, por nuk ishin tamam-tamam italisht. Pas pak i ranë në të. Foli Zequa: -Maqo vëllai, më duket se paskemi ardhur në Spanjë! -Ashtu me ngjan edhe mua-u përgjigj tjetri. Dhe vazhdonin të ecnin tok me vargun e njerëzve të tjerë. Sosën përballe një ndërtese të madhe një katesh të rrumbullakët po të lartë. Kishin parë ndërtesa të tilla në televizor. Ishte stadium i madh. Po ku vallë? Në Madrid, Barcelonë apo Valencia? Jemi ç’jemi thanë, le të shikojmë ndonjë ndeshje. Bileta nuk kishin. Ku t’i gjenin ne ato çaste? Kishin ymyz se do t’i rrëmbente turma dhe do të përfitonin të futeshin pa biletë. Presioni i spektatoreve ishte aq i madh sa, sa hap e mbyll sytë, dy miqtë u ndanë dhe humbën në mizërinë e njerëzve ku edhe britmat e policëve, sirenave të makinave të policisë, thirrjet e njerëzve të shurdhonin e ata nuk dëgjuan më njeri –tjetrin. Maqon e rrëmbeu turma dhe e ngjiti nëpër shkallë ku shkonin shumica. Zequa i hutuar mbeti për ca çaste si hu gardhi në mes të sheshit, ku nuk kishte njerëz të shumtë. Kujtoi se edhe Maqua do të ishte shmangur nga turma dhe, mbase, ka shkuar drejt derës ku ishin të pakët njerëzit që futeshin atje. U drejtua Zeqo ziu te dera dhe u fut brenda duke shtrënguar pas vetes çante prej meshini ku kishte edhe ca tesha. U pa puna. Humbën njeri-tjetrin! Maqoja e pa veten tek shkallët e stadiumit mbushur plot e përplot me njerëz, meshkuj e femra. Thërriste sa majtas djathtas duke venë pëllëmbët e të dy duarve para gojës: “O Zeqo! O Zeqooo, ku jeeee! Ishte e kote. Ku të linin zilet e shumta të dëgjohej këmbora vetmitare? Zequ nga ana e tij, i hutuar krejt, me çantën prej meshini varur supit, ecte drejt dhe u çudit kur e “gjeti veten” në mes të fushës së stadiumit. Para, pas, majtas, djathtas tij nëpër shkallët e stadiumit po shikonte mizërinë e spektatorëve. E mblodhi veten. Diku atje, në ndonjë shkallë do të ishte me siguri edhe Maqua i tij i dashur! U mat të thërriste. Ndërroi mendje. Vetëm bënte shenja me këmbë e me dore duke u rrotulluar në të katër anët e horizontit. Kishte ymyz se do ta shikonte miku i tij. Maqua thërriste: “këtu, këtu jam dhe kërcente lart-poshtë që ta shikonte Zequa. Mirëpo ndërsa Maqua e shikonte Zeqon ky nuk e shikonte Maqon. U mërzit shumë. Në fushë pa ca njerëz me veshje të çuditshme të cilët mbanin një si flamur të kuq në dorë, kapele të gjera dhe ndonjë tjetër, disa shtiza në dorë. Nxori nga çanta shallin e madh të kuq me të cilin mbështillte qafën dhe mbulonte fytyrën kur flinte jashtë. Me shallin e kuq fshiu djersët që i kullonin çurke nga sikleti dhe e futi atë në xhepin e pasmë. Ca nga hutimi e ca nga mërzitja shallin nuk e futi të terin në xhep. Gjysma mbeti jashtë. Befas, Zequa dëgjoi, pas trupi të tij, trokun e rendë e të shpejtë të një kafshe. Sapo kishte hedhur krahaqafë çantën kur u lemeris tek pa se në drejtim të tij po sulej një dem i madh, i zi me kokë të madhe e me brirë të mëdhenj si dy biga! E kuptoi menjëherë se ishte në mes të fushës ku njerëzit luftonin me demat. Ishte shndërruar papritmas në toreador! U tremb për vdekje. Si i shtyre nga ndonjë sustë, kërceu përpjete dhe ia dha vrapit. Ai ik e demi ndiq. Frynte fllad i lehtë që valëvitet paksa gjysmën e shallit të kuq e të hollë pas xhepit të pasmë. Ngjyra e kuqe e shallit xhindosi dhe e tërboi më tepër demin. Zequa ik, demi ndiq, Zequa ik e demi ndiq nëpër fushë. Mijat e spektatorëve po mbanin frymën. Ata nuk e njihnin këtë farë toreadori, nuk e kishin parë po as kishin dëgjuar për të. Uauu! Toreador pa uniformen karakteristike, pa shtizat! Ç’bëhet kështu xhanëm? Në shkallët e stadiumit qetësi e madhe, ankth i madh! Maqos gati po i binte të fikët. Asnjeri nuk po i a varte atij. Kush kishte nge të shikonte një njeri që po alivanosej? Zequa ikte e dredhonte, dredhonte e vraponte me link, me shpejtësi të jashtëzakonshme për njeriun. Ne ato momente mund të kishte thyer rekordin botëror të garës së vrapimit njëqind metrash. Spektatoret, kaluan nga hutimi ne admirim për toreadorin e çuditshme, për guximtarin që nuk i gjendet shoku në Spanjë. Duartrokisnin frenetikisht. Vetëm Maqua kishte mbetur me gojë hapur, si guhak. Me zemër të ngrirë priste momentin fatal kur brirët e mprehtë të demit të shponin tej për tej trupin e mikut të tij të shkretë...Mendonte këto duke u dridhur, si në kllapi. E shurdhuan duartrokitjet frenetike të spektatorëve. E sollën në vete. Lufta për mbijetesë e njeriut me demin po arrinte kulmin. Demi iu afrua aq shumë Zeqos sa u duk se për një-dy sekonda do ta rrëmbente me brirë dhe do ta shtrydhte e përplaste atje, në murin e brendshëm te stadiumit, duke i nxjerre zorrët jashtë njeriut… Ankthi i spektatoreve u shndërrua në heshtje të thellë... Befas u bë një zhurmë tjetër, që prishi ritmin e trokut të demit. Ktheu kokën me frikë të llahtarshme Zequa dhe, ç’të shohë? Demi ishte shtrirë sa gjatë e gjerë, me këmbët përpjetë, tre hapa larg tij. Mendja i flakëriu e i punoi me shpejtësi rrufeje Zeqos. Instinkti i vetëmbrojtjes ia çoi dorën te trasta prej nga nxori vetëtimthi thikën e mprehte të bukës dhe me të në dorë, nuk e beri të gjatë. Iu sul demit që mundohej të ngrihej dhe ia nguli thikën thellë në zemër, pa mëshirë. Gjaku pizgë i përflaku fytyrë e trup. Demi dha shpirt atje në arenën e luftës se toreadorëve me demat e famshëm… Thirrje habie: Bravo! Bravo toreador trim me fletë!-bërtiste e emocionuar dhe e ekzaltuar masa shume mijëshe e spektatoreve. Lot gëzimi te pjesa femërore e kësaj mase. Ovacione, ovacione. Thirrjet bravo, bravo nuk kishin të pushuar për këtë trim toreador të pazbuluar deri në atë moment. Peshqeshet me tufat lulesh hedhur nga spektatoret mbushën fushën. Ndërkohe Zequa, dyllë i verdhe në fytyre , pastronte thikën nga gjaku duke e fshirë me shallin e kuq. As lulet nuk i shikonte, as britmat nuk i dëgjonte. Nuk e kishte mbledhur veten akoma se çfarë kishte ngjarë. Pastaj filloi të ecte si somnambul. I shkoi mendje te Maqua: Ku të jetë xhanëm? Si u ngatërruam kështu dhe humbëm njeri-tjetrin? Ulur kokën nuk po vinte re se drejt tij po vraponin djem e vajza. E përqafonin, i dhuronin lule. Pastaj e morën hopa, në krahë, një tufë djelmoshash dhe po e hidhnin përpjete. Zequa bërtiste: “Mos kështu, mos more të uruar, mosni kështu. Lëshomëni në kini perëndi!” Djemtë e morën dhe e çuan në një dhomë të stadiumit ku Zequa pa gazetarë që e verbuan me blicet e aparateve fotografike dhe ata të televizioneve po e bombardonin me pyetje. Disa vajza të reja shtyheshin kush e kush të siguronte e para autografe nga toreadori. Pas pak, u dha Maqua, në derën e dhomës speciale të shtypit. Ai ishte i dyzuar në ndjenja karshi shokut të vet. Nga njëra anë u gëzua që u ritakuan, nga ana tjetër dukej si qejfprishur për “pabesinë” e Zeqos që nuk i kishte treguar, atij mikut dhe shokut më të ngushte të jetës, se paske qenë toreador dhe shkuar toreadorit! Boboo, sa i fshehtë paska qenë! -thoshte me vete në fragmente sekondash Maqua. Në momentin që Zequa kishte parë Maqon, u shkëput nga lukunia e gazetarëve dhe e fansave. U sul duke hapur krahët të përqafonte Maqon. Edhe ky beri të njëjtin veprim. U përqafuan, u puthen në faqe. Pastaj krah për krah u nisen ku? Diku për të ngrëne buke, qoftë restorant qoftë lëndinë e ndonjë lulishteje a parku të qytetit. Maqon po e grinte nga brenda si molje kureshtja këmbëngulëse për të mësuar diçka nga e fshehta e mikut te tij. Por më parë i tha: -Dëgjo o Zeqo. Të lumtë dora e fortë, këmba e shpejtë dhe mendja e zhdërvjelltë! E vrave që e vrave demin. Bravo të qoftë. Trim u tregove. Të them të drejtën, po të kisha qenë unë në vendin tënd, vallahi do të më kishte shpëtuar nga frika m… e sh…. në pantallona e do të isha bërë helaq." Zequa nuk i fshihte gjë prej gjeje Maqos. E dëgjoi me kujdes tjetrin, pa majtas- djathtas se mos e dëgjonin gazetaret dhe fansat që e ndiqnin pas dhe nuk i ndaheshin e iu përgjigj serbes- serbes Maqos: -Po pse o Maqo vëllai, ku kujton ti se rrëshqiti demi? Nga frika mua më shpëtoi m… e sh…. bashkë duke më bërë helaq, jo vetëm pantallonat, po edhe fushën e stadiumit. Pikërisht në vendin që më shpëtoi m… e sh…. nga frika për vdekje, rrëshqitën këmbët e demit të cilin e vrava sa hap e mbyll sytë. Nuk i thonë kot: Çdo e keqe ka një të mirë…E shikon si i kam pantallonat tërë qull. Shyqyr gjeta një banje aty në sallë dhe u lava ca, se isha bërë ibreti alem. Nuk dihet se si shpëtuan nga gazetarët dhe nga presidenti i skuadrës së toreadorëve të dy miqtë. E sigurte është se gazetat mbushën faqe të tëra dhe emisionet televizive orë të shumta me ngjarjen emocionuese dhe të paharrueshme për spektatorët.

Fiqri Shahinllari

141 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page