Topat prej lecke
Fatmir Terziu
Sa fjalë prodhojmë, sa fjalë
kur kujtojmë topin prej lecke
mungojnë në Fjalorin e madh
i kemi strukur ndër vete…
Brenda shpirtit të tyre duhet gërmuar. Qilizëm
për të gjetur rrënjët
e për të thyer mitet,
për të njohur forcën e gjërave të djeshme,
ndonjëherë duhet t'i rizgjojmë ato dhe sot,
e për të gjithë ëndërrat e tretura të brendshme
gjithmonë duhet t'i kujtojmë me lotë.
Sa zënka kanë prodhuar këmbët tona,
kur hynë me topa lecke në garë,
kur rrënkonim në orët e vona,
sa miq i quajtëm gënjeshtarë?
Duke u argëtuar me këmbët plagë,
topi prej lecke u shpik të luajmë
dhe kërkonim në heshtjen tonë nga larg,
pse kishim humbur „miqtë“ e huaj.
Sa lecka kemi tejpërdorur përtej kufirit të tyre?
Duke zbuluar atë kufi, gjetëm keqardhje.
Kufinj u kishim vënë dhe syve
topat prej lecke ishin kryelojë fëmije.
Tani e dimë pse tejpërdorëm leckat
dëshira për një lojë të imituar me zell
përtej një dite të tillë vetëm festat
kurrë nuk thekën buzëqeshjen e thellë.
Buzët zbuten me lotin që atëhere fshihej
sytë ende i ndjejmë si mure të lotojnë
kur miti i tyre përditë e më shumë shprishej,
mure që do të qëndrojnë në këmbë, edhe kur i rrëzojmë.
Diçka e shkuar që, kur kujtohet, me dhimbje vishet
bota një top i madh që rrotullohet mes nesh
një fjalë që çmend ngadalë të gjitha mitet
një produkt fjalësh që çbendet vesh më vesh.
Sa fjalë prodhojmë, sa fjalë
kur kujtojmë topat prej lecke
mungojnë në Fjalorin e madh
i kishim shkruar vetëm për vete?
Comments