Vullnet Mato
TOKA JONË E BEKUAR
(Poemë)
Toka, më e shtrenjta,
nga të gjitha pasuritë,
meriton më të madhen,
nga të gjitha dashuritë.
Tokën tonë, të pjerrët,
oaz mes shkëmbinjve,
kemi medaljon floriri,
në zemër, mes gjinjve.
Toka, qëkur lindim,
syve na përkundet,
toka na shfaqet e para,
na shuhet e fundit.
Tokën tonë, pushtuesit
na mbollën me hekur,
erdhën të na vdisnin,
toka i la të vdekur.
Dhe ka ndodhur shpesh,
nga kohët më të lashta,
bëmë plugje, parmenda,
heshtat e tyre e shpatat.
Prapë kjo tok’ e shenjtë,
tanket e vendit të huaj,
bën traktor e kombajna,
plugje, për qe’ dhe buaj.
Kur toka vesh ngjyrat
për mbjelljet, në maj,
duket nuse e stolisur,
për dasmën e saj.
Qielli tund shamitë,
me re të bardha lart,
shiu hedh kokrra orizi,
dielli, dritën e artë.
Vetëtima djeg shamitë,
përqark oshtijnë male,
Feston gjithë natyra,
ushton hareja e madhe,
Toka, nuse e begatë,
shtatzënë gjithë jetën,
pjellorinë e saj, s’e bën,
asnjë nuse tjetër.
Në barkun e dheut,
ajo rrit gjelbërimin,
dhe kur bëhet nënë,
për njerëzit lind gëzimin.
Toka jonë, shpirtmadhe,
frymon porsi i gjalli,
rrudhat e çdo brazde,
na bën kurorë, te balli.
Piqet misri dhe gruri,
era flladit kallinjtë,
në shtëpitë e bardha,
bëhen gati drapërinjtë.
Toka gjallon njerëzit
gjallon krejt bagëtinë,
na shëron sëmundjet,
gjithë vuajtjet e urinë.
Dhe kur ne kemi halle,
apo dëshpërim të madh,
gjithë helmin idhnak
toka e kthen në mjaltë.
Po e lamë krejt djerrinë,
ajo rrit barishte, ferra
për t’u zgjatur jetën,
gjallesave të tjera.
Kur bujku s’e mbjell
për gra dhe çiliminj,
toka mbjell vetveten,
me breshka e zhapinj.
Pastaj dhe dielli e shiu
humbin gjithë vlerën,
po nuk i thithi toka,
t’i bëj’ bukë për njerëz.
Toka thërret njerëzit,
në kurbet ku shkuan
të punojnë këtu tokën,
jo dheun e huaj.
Të mos lënë këtë tokë,
si vejushe të urtë,
për të jetuar diku larg,
me toka mantenutë;
Të mos lënë shterpë,
tokën te shtëpia,
sa t’i zënë frymën,
barishtet e këqija,
Se mbulohen varret
me ferra dhe gjemba,
s’kanë ku vënë lule,
motrat tona e nënat.
Për kufijtë e kësaj toke,
nëpër shekuj u shuam,
prapë nga toka lindëm,
nga toka u trimëruam.
Të gjallët, tek lastarët,
të rënët, flenë te rrënjët,
bashkë mbjellim zemrat,
drithërojmë këngët.
Prandaj, o djema, jeta,
është këtu ku keni tokën.
Në tokën tuaj keni nderin,
te kjo tokë, keni botën.
Sepse dhe vetë Anteu,
kur u shkëput prej tokës,
humbi madhështinë,
krenarinë dhe forcën.
Toka na jep ne emrin,
na rrit e na bën pjekjen,
aty ne kemi jetën,
aty kemi dhe vdekjen.
Kthehuni, o shqiptarë,
se toka, po iu lutet,
me shalle ylberesh,
t’i mbështillni supet.
Me makineri të reja
t’i bëni tualetin,
toka jonë të bëhet,
miss e kontinentit.
Mos braktisni tokën
dhuratën e bekuar,
që vet Zoti i madh
ne na ka dhuruar!
Mos braktisni tokën,
me ujë të kulluar,
me ajër që të shëron
me delli të praruar;
Po braktisët këtë tokë,
do pendoheni patjetër,
se pjellën tuaj, do lini,
emigrant të përjetshëm!
Comments