top of page

Tjetër …Vend. Tjetër … Kohë......


Nexhip Ejupi, poet

Tjetër …Vend. Tjetër … Kohë......

(Ndërsa ndalon, shkruan dhe uron poetin Nexhip Ejupi për ditëlindje!)


Fatmir Terziu


Lidhja e shpirtit nuk është një lidhje e thjeshtë, por një mesazh i sinqertë, i padukshëm, por i ndjeshëm, i pakapshëm, por i fortë. Shumë vite më parë, vend tjetër, një herë tjetër, rrahjet e zemrës sate, e përcaktuan këtë lidhje dhe këtë ritëm të fortë, ndërsa mjedisi mësimdhënës i shkollës më me emër të viteve 60-të do të bënte rrokadë në kohë tjetër me nxënësit që do të bëheshin mësues të asaj shkolle. E ndërsa mjaft të tillë u bënë arsye e fortë e zellit të tyre, shkollimit dhe rezultateve të larta, për njërin prej tyre shkolla „Qemal Stafa“ do të hapte dyert trefish për ish nxënësin e saj, mësuesin e ri dhe poetin me emër në Elbasanin e asaj kohe. Ai ngjiste shkallët ngadalë dhe kolegët e nxënësit e tij recitonin me zë të lehtë e në mendje poezitë e tij:


„Eh qershi qershia ime,

Miturakja fëminore,

Seç m’i çele ca kujtime

Porsi lulet bardhullore!


Eh, qershi, qershia e verës,

Mike moj, e vogëlisë!

Ti më ishe kënga e erës,

Kënga e parë e dashurisë...“ (N. Ejupi: „Eh, qershi, qershia ime“)


Ai hynte në atë shkollë jo më ish-nxënës, ku i vendoeshin hartimet dhe krijimet në këndin e letrarëve, por tashmë si mësues dhe poet në një datë të tillë, si e sotmja, duke rrahur bashkë me ritmin e zemrës atë dashuri që kishte hershëm për mësimdhënien, nxënësit, shkollën, poezinë dhe qytetin. E kështu, duke hyrë në atë mjedis diku në thellësi të korridorit të gjatë ai u duk se përhumbi, ndërsa psherëtima nuk ishte enigmë, por një zë që bëhej korr … „erdhi mësues në shkollën „Qemal Stafa“ ish-nxënësi i saj, Nexhip Ejupi.


Në kohë tjetër ishte viti 1961. Në shkallët afër, aty ku ende shënohet si „Stadiumi i Vjetër“, pikërisht aty ku ndodhej shkolla „Qemal Stafa“ mësuesit emërmirë të asaj shkolle Josif Shuteriqi (violinë), Hysen Shehu (violinë), Rifat Çaushi (violinë) dhe Selaudin Simiçiu do të pozonin, jo pa qëllim ndoshta, mes atyre që sot mungojnë, apo dhe atyre që do të shënonin brezin tjetër në rrugën e arsimit, pra të mësuesisë. E kështu lidhja e shpirtit sjell bardhë e zi në fotografi, por me një kuptim të sinqertë e obligativ të domethënies së madhe Nexhip Ejupin, poetin e mirëfilltë elbasanas, në këtë risi memoriale me ata që shfaqen e që dallohen mirë nga miq e shokë të tyre si Dhurata Vyshka, Iris Pengili, Tatjana Baholli (e ndjera), Kostanca Kalefi... Durim Arapi, Irini Leka Kokalari, Suzana Qorri, Iliriana Sulkuqi, Elida Shehu, Xhevahir Qafa, Ardian Cani, Tatjana Boholli, Shpresa Shkalla, Bardhyl Myhyrdari, Ilir Shuteriqi, Faik Kila, Ismail Graceni etj.

Nga ajo kohë, ndoshta nga ajo ditë kishin kaluar ditë e javë të tjera, kur rastësisht, por jo fare rastëisht do të takohesha për herë të parë nga afër me Nexhip Ejupin, mësuesin e dy vëllezërve të mi, tashmë pas rikthimit të tij në qytet nga rrethinat e Elbasanit, ku koha e kishte përcaktuar lidhjen e hershme të shpirtit të tij me mësimdhënien dhe poezinë si fat të jetëudhës. I qetë, i thjeshtë, me një të folur ndjesëdhënëse u përpoq të mbetej së pari Njeri, pastaj mësuesi i lëndës së tij e aq më shumë dhe më pak dhe mësuesi kujdestar i njërit prej vëllezërve të mi të dashur. Buqëqeshi lehtë, dhe më shtrëngoi dorën. Pastaj kërkoi instiktivisht diçka në xhepa dhe më pas foli sikur donte të më shpjegonte tërë jetën e tij…, duke më thënë se jo të gjithë njerëzit janë të ngjashëm, jo të gjithë kanë udhë të njëjta…Dhe vërtet aty nënkuptova atë thënien e madhe lapidare se jeta është ajo që na ndodh ta kuptojmë, ndërsa ne po bëjmë plane të tjera. Dhe këto plane në poezinë e tij jetike, natyrshëm ishin vetëm mirëfillje lirike.

Mirëfillje lirike që mbarten thuajse me një sigël, me personalitetin e tij, me vlerën e tij poetike, tek të gjithë botimet e tij në vite: „Pesha e duarve“ (1978), Shtëpia Botuese Naim Frashëri; „Shqetësimet e pranverës“ (1990, Krijimtaria popullore, Elbasan); „Drithërima ere“, (1991, Krijimtaria popullore, Elbasan); „Lirika Elbasani“ (Shtëpia Botuese "Silver", Elbasan); „Hëna e vllehëve“ (Shtëpia Botuese "EGNATIA", Elbasan); „Ma mori era kapelen“ ( Krijimtaria popullore-Elbasan); „Psherëtima të mërguara“ (2004, Shtëpia Botuese "Geer", Tiranë); „Vetëtin një vetull reje“ ( 2007, Shtëpia Botuese "Geer", Tiranë); „Brenda meje rrjedh një lumë“ ( 2008, Shtëpia Botuese "Kuvendi", Lezhë); „Fjala ka shpirt“ ( 2009, Shtëpia Botuese "Geer", Tiranë; „Bora qan me njëmijë sy“ (2010 ) e në mjaft dorëshkrime të tjera të shumta që presin dritën e botimeve.

Diku në një poezi të kushtuar këtij poeti lirik, këtij poeti mjaft fisnik, e mjaft të ndjeshëm në shpirt, duke parë dritën që buronte nga mirësia e tij, kam shkruar:

„Drita e yjeve

mbi ujë të trazuar kërkon Shkumbinin,

daljeve, drithmave, hyrjeve,

shkëlqimin

e hënës së plotë,

të kujton,

melodinë

e melodisë së një ëndrre

rrjedh lirike në ketë e atë Botë.


Aromat e Magnolias,

ndjesia e butë e „Baladës së syve të pagjumë,

dashurinë që u thirr enigmë prej kohës,

lumturi e vërtetë e përjetshme

që sytë e Alfredit dhe të Manolës

të bredhin e të lexohen Ejupiançe

rreth Botës....“ (Frymëzuar nga poezia e Nexip Ejupit: „Balada e syve të pagjumë“).


E kështu Nexhip Ejupi dhe lirikat e tij tashmë lexohen gjithandej. Lexohen dhe në SHBA, ku ai jeton e punon prej vitesh. Mes tyre është përshpirtja dhe pëshpëritja. Pëshpëritja e melodive të flladit, zgjohet me të çdo mëngjes. Në këtë zgjim është edhe dashuria e tij njerëzore, e fortë dhe e vërtetë, përgjithmonë me një lirikë të rilindur. Dashuria e tij me lirikën do të qëndrojë përgjithmonë, me të asnjë kohë nuk mund të zhbëhet, edhe në velin e vdekjes, ajo është e lexueshme dhe do të lexohet përgjithmonë.

Dhe brezat do të shkruajnë që të rikujtojnë një ditë të tillë të shënuar lindjeje të poetit Nexhip Ejupi, duke lexuar shumë vite më parë, vend tjetër, një herë tjetër, rrahjet e zemrës së poetit ishin brenda kësaj lirike, dhe duke rrahur së bashku zemrat e brezave me lirikën e tij të veçantë, diskursive, semantike, logjike dhe mjaft filozofike vetëm do të urojnë: Gëzuar Nexhip Ejupi, gëzuar njeriu dhe poeti i formës më të bukur lirike. E kështu do të hapen mijëra e mijëra fletë për këtë e atë botë…Tjetër …Vend. Tjetër … Kohë......

„E, hu, ha,

Sa nënshtetësi

Ka dielli i planetit tonë!


Sipër ballkonit tim

Ka kombësine time...“ (Poezi pa titull e poetit Nexip Ejupi).


Pra, duke përfunduar dhe një herë Gëzuar! Gëzuar lirikisht … Nexhip Ejupi! Tjetër …Vend. Tjetër … Kohë......

95 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page