Tjetërsim


Prof Dr Fatmir Terziu


Para pak ditësh në rrjetin tim social “Facebook” për habi më erdhën brenda një dite tetëmbëdhjetë kërkesa për miqësi. Të gjitha, këto kërkesa “miqësie”, kishin ardhur natën për gjithë natën, deri në të gdhirë të datës 27 qershor 2020-të. Të gjitha ishin në pritje. “Të gjitha” e dinin, ose e kishin kuptuar se normativi i caktuar pesëmijë miq nga “Facebook” ishte i plotë. Por kërkesat prisnin, si tezgat në tregun e lirë që presin dikë në të gdhirë, që të afrohet, të fusë dorën në xhep dhe…të mendohet, të blejë apo mos të blejë?! Këto kërkesa nuk ishin në fakt, kërkesa nga ato që hyjnë, në atë që Adorno i quan “shoqëri të thjeshta”. Ishin ndoshta nga ato kërkesa që padashje hyjnë në kategorinë e shoqërive nga më të ndërlikuarat, më interesantet, më të zgjuarat, nga më të tjetërsuarat.

Në të tillat trokitje sociale, larg atyre që mbesin shoqëri të thjeshta, kur numrat dhe arsyet hyjnë në procesin e një metafore të kuptueshme lehtë, natyrshëm e ndjen se trokitja e gati e vdekur, e harruar, e zvetënuar, ndodh si një paramendim, si një tjetërsim këtë herë. Njësoj si ardhja e një kufome në derë. Është e njëta gjë sikurse në rastet kur domosdoshmëritë i detyrojnë familjet dhe komunitetet të hyjnë me dashje, ose pa dashje në procesin e sigurimit të “miqësive”, që hera-herës bëhen komente të sarkazmuara si në komedinë “Pallati 176”. Ky është tashmë një treg. Një treg ku hyjnë vlerat dhe idetë, sikurse në një treg ku hyjnë mallrat dhe produktet që mbesin faktor i sigurimit të nevojave të njohura lokale dhe për realizimin dhe mbajtjen e një mënyre tradicionale të jetës. Po pse ndodh kështu? Sepse koha e kërkon tashmë vendin tënd në mesin e tyre, e do emrin tënd në krah të “miqve”, e do një numër të klikimeve, njësoj si në një treg të hapur ku një individ mund të shohë procesin e jetës së komunitetit të tij ose të saj të pasqyruar në mallrat e prodhuara. Në këtë rast në atë që ai parashtron si “ide” në murin e tij social. Pra, kjo është një metaforë e tjetërsimit të atij trokitësi social, me shumë pak fjalë. Pse nuk trokiti për gjithë këto vite me radhë? Apo ndoshta tashti u ringjall?

Ndërsa një tenxhere ose një tepsi në një shoqëri të tillë nuk do të duket në vetëdije si një gjë e shkëputur nga marrëdhëniet shoqërore të përfshira në prodhimin e saj, por ato marrëdhënie, pos atyre trokitjeve figurative në rrjetin social, qofshin letrare, historike, estetike, politike dhe fetare, si dhe instrumentale, do të plotësonin objekte të ngjashme me tjetërsimin e tyre qëllimor, më saktë si thelbi i tyre shpirtëror i qasjes në këto trokitje.

Në analizën mes termave “respekt”, “sot u njoftova”, “mirë që u gjetëm”, “më mirë vonë se sa kurrë”, etj., të gjitha ngjajnë pikësëpari dhe duken apriori si objektet e “prodhuara” që vihen në dukje të menjëhershme e të debatueshme që janë apo s’janë mall. Ndërsa këto nuk janë rezultat i ndonjë procesi të tillë ‘organik’ shoqëror, dhe pse ato nuk janë shprehje apo realizim i procesit jetësor të ‘komuniteteve’ origjinale, as të procesit të jetës së punëtorit individual, fuqia e të cilit dedikohet për prodhimin e tyre, këta të fundit ia kalojnë Marksit në përcaktimin e shoqërisë, kur nga ana tjetër pretendojnë se i përkasin sfidave të demokracisë.

Këto shfaqje të atomizuara bëhen grimcat elementare të një shoqërie, që ende mendon se njeriu i komunitetit mund të përdoret si vegja e çelësit. Me plot kuptim kjo metaforë “miqësie” është vetëm tjetërsim.

0 views

Shkrimet e fundit