top of page

TJETËRBËRJA E SHQIPTARËVE


Letërore

TJETËRBËRJA E SHQIPTARËVE

ALI ALIU

"Nuk e di pse bashkohem me ata që janë të trishtuar se Njeriu është duke u bërë përditë e më i vogël..."

(Faruk Myrtaj: "Markezë shqiptarë", Tiranë 2002)

Faruk Myrtaj është natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi e brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën, njësoj si guximi intelektual për t'i emërtuar gjërat vetëm me emrin e vet.

Autor i njohur i romaneve, tregimeve, eseve, Faruk Myrtaj në librin më të ri "Markezë shqiptarë" sjell reflekse eseistike që zateten, fërkohen me figura dhe figurantë nga përditshmëria shqiptare sot, me personalitete dhe bufonë, me elitë dhe fundërinë politike, kulturore, letrare, morale. Zëri, perspektiva nga e cila i artikulon ai observimet e veta, rrezaton intelektualin që është larg ngasjeve për zhurmë e pikanteri, larg etjes për të qënë i pranishëm e për t'u rënë në qafë të tjerëve. Është zë, përkundrazi, i pranishëm në përditshmërinë shqiptare përmes segmenteve më përmbajtësore, më shqetësuese për egzistencën e shoqërisë shqiptare.

Eshtë zë që shquhet për parim të paluhatshëm, për paanësi absolute dhe, që është e veçanta e madhe e tij, për mirësinë rrezatuese, për buzagazin e dlirë edhe atëhere kur ta shqipton cenin më të madh të mundshëm, më të shëmtuar.

Si e arrin këtë të pamundshme Faruk Myrtaj, siç ndodh edhe me rastin e librit "Markezë shqiptarë"?

Dialog me fenomenet

Më kujtohet një detaj, këtu e dy vjet të shkuara një dialog mes intelektualëve në Tetovë, ku R.Q. artikuloi "gabimin më të rëndë të popullit të vetë" dhe, aty për aty, Faruku, ashtu qetë e butë i shtroi atij tri pyetje:

"Me respektin për ju dhe veprën tuaj, dëshëroj të di: para do kohe shteti shqiptar dhe kryetari i saj Mejdani u lauroi me çmimin "Nderi i kombit". Në zgjedhjet e fundit, gjysma e kombit (Kosova) nuk ua miratoi këtë nder si figurë politike. Si do të bëni: do të prisni të ndryshojë mendimin votuesi? Do të ndërroni popull? Apo do të hiqni dorë nga politika?"

Dhe paskësaj erdhi përgjigja e R.Qosjes: "Edhe gjysma e kombit një ditë do mbushet mend!"

Duke dalë nga salla, korridoreve atje, Faruku, si për vete dhe trishtueshëm, komentoi: “Ky lloj njeriu nuk arrin ta doj dot popullin e vet."

Sikur ta kishte lexuar, dy vjet më parë librin pamflet "I ringjalluri i penduar" të individit në fjalë...

E solla këtë detaj, në fillim të këtij shkrimi për librin "Markezë shqiptarë", për të theksuar natyrën e veçantë të këtij autori që reflekton mirësi e dëshpërim të thellë përballë veseve dhe ceneve, gatshmëri për t'i mirëkuptuar edhe ato.

Nga kjo ngasje, Faruku e ka dëshiruar, pritur përgjigjen nga personi për të cilin ka konsideratë - ka pritur ndihmën e tij për mbështetje mirëkuptimi.

Rrezatimi i tillë i brendshëm i Faruk Myrtajt për asnjë çast, prandaj, nuk bën firë edhe atëherë kur shtron dilema dhe pyetje nga më të rëndat të mundshme, për të e për ata të cilëve u drejtohet...

Veçohet po ashtu për pozicion të qartë, i shkarkuar nga kalkulimet, zilitë, inatet, hakmarrjet, e qoftëlarg - urrejtjet. Gjatë dialogut që bën me palët, me fenomenet, përherë priret të kërkojë, të gjejë rrethana lehtësuese për mëkatet e bëra, por ama, pasi tërheq qartë e rreptë vijën mes së bardhës dhe së zezës, në parim.

Ai synon davaritjen e mjegullës, e cila lejon shpërdorim të fakteve, të së vërtetës nga manipulatorët dhe mafiozët e jetës shqiptare sot.




Ali Aliu lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet uni­versitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatë­sisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.

Përsiatjet përgjithësuese

Personazh kryesor i refleksioneve të Faruk Myrtajt në librin "Markezë shqiptarë" është letrari shqiptar, dje dhe sot, i përthyer dhe sfiduar sprovash të rënda dhe të lehta, sjellja, qëndrimi dhe qëndresa e tij, sidomos në gjysmëshekullin që kaloi.

Mbresat më shpesh trishtuese me të cilat ngarkohet nga realiteti shqiptar, në momente rezultojnë me përsiatje përgjithësuese, lidhur me natyrën, esencën e njeriut, me dilemën nëse ai, njeriu, krahas transformimit të jashtëm, bëhet më njeri apo më pak njeri. Njeriu që nga filli është i prirur që ligësinë përherë ta gjejë te tjetri, e të kundërtën te vetja, përsiat Faruku.

E trishton fakti që sot është anakronizëm të shqiptosh fjalën moral - rëndësi ka sa fiton: "A s'është kjo provë se njeriu po varfërohet?!" Letërsia, artet, e kanë zhbiruar njeriun deri në ndjesinë e fijes së flokut, por s'e bëri që s'e bëri dot më të mirë.

E megjthatë, ajo, letërsia, arti, s'heq dot dorë nga ky iluzion.

Pikërisht për këtë besim të papërmirësueshëm, ajo, poezia, mbetet e padëshërueshme për pushtetet, prandaj ajo është dëbuar gjatë shekujve, që nga Platoni prej poliseve; prandaj ajo shkakton mrolje e buzëqeshje të hidhur tek pushtetarët, prandaj është aq e margjinalizuar sot nga pushtetet me prirje dhune dhe grykësie mafiozësh.

Eshtë e trishtueshme për Faruk Myrtajn, kur këtë margjinalizim të Artit e bëjnë edhe shkrimtarët-aparatçikë, profesorucët e Akademisë së Heshtjes së Shkencës, nga që

"Akademia shqiptare kurrë nuk ka "shkuar" mirë me shkrimtarët tanë të mirë. Përgjithësisht e zotëruar prej individësh të molepsur ose që kishin detyrime të heshtura historiko-politike, mjediset e saj kurrë nuk janë shqetësuar për fatet e gjuhës e të kulturës shqiptare, për fatet, jetët dhe as për burgjet e elitarëve tragjikë shqiptarë, të vdekur e të gjallë", do të konstatojë autori i librit.

Paralelizma dhe krahasime

Gjatë gjithë tekstit në fjalë, tërhiqet e pranishme prirja për përqasje, për paralelizëm, për të vënë pranë e pranë "Markezët shqiptarë", bie fjala, me Markes-in kolumbian. Ky i dyti, edhe për prirjet majtiste, ka qëndruar pranë, ka patur miq "Njësha" të pushteteve politike, por kurrë nuk ka pranuar poste të larta të ofruara nga ata. Për më shumë, janë të njohura ndërhyrjet e tij, me sukses, te Kastro, në përkrahje të krijuesve...

Nga këto perspektiva përsiatëse, tërthorazi sqarohen dhe dalin më të qarta veprimet e "markezëve" tanë...

Përqasjet e tilla në këtë vepër arrijnë mprehtësi dramatike në momente. Gjithnjë në funksion të saktësisë sa më të lexueshme të pozitës margjinale, thuajse mjeruese të vlerave në sferën shpirtërore shqiptare, Faruk Myrtaj ofron edhe kësi paralelizmash:

Bëni krahasim, do të thotë ai, mes kryetarit të parë të Lidhjes së Shkrimtarëve (Sejfulla Maleshova) dhe të tanishmin (Limoz Dizdari), në mes kryetarit të parë të Shqipërisë (Ismail Qemali) dhe të tanishmit... Mes Ministrit të parë të Kulturës (Luigj Gurakuqi) e të tanishmit... e kështu me radhë, që lexuesi, sidomos ky në Kosovë, të vazhdojë në heshtje me këto krahasime: mes kryetarit të parë të Shoqatës (Esat Mekuli) dhe... mes rektorëve të parë (Rozhaja - Zajmi) dhe të tanishmin, që të mos ndalet duke bredhur që nga botuesi "Rilindja", Teatri, apo fakulteti i parë i Universitetit të Prishtinës, me Ajetin, Hadrin, Aganin... në krye dhe katandimin mjerues aktual të tij, etj. Katandisje e tillë e vlerave është rrjedhim i gjendjes ku "në fasadën e jetës shqiptare është pikërisht vulgariteti, etja për fitime të egra, ideja se që të ngjitesh, duhet të dish të tjetërbëhesh, të korruptohesh. Letrat, krijimtaria, sidomos poezia, ashtu si edhe pushtetet e tjera, gjithnjë e më shumë po shihen si punë të tilla..."

Një qasje e veçantë

Në këto refkese përqasëse të librit "Markezë shqiptarë", emrat më të zënë ngoje janë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, Rexhep Qosja e Shuteriqi e të tjerë.

 Lufta e egër dhe shpesh joparimore që nis e nxitur nga vepra, nga jeta krijuese dhe politike e tyre, në shkrimet e këtij libri ndriçohet qetë e shtruar, pa ngarkesa hakmarrjeje dhe zemërime primitive, që e karakterizojnë atmosferën shqiptare krijuese sot.

Mënyra si i qaset Faruku, bie fjala, sherrit që krisi lidhur me "Pashallarët e kuq" të Kadaresë, është qasje fare ndryshe, në përputhje me natyrën e autorit që zumë ngoje më sipër.

Të themi në fund se si edhe në rastet e tjera, siç është botimi i tregimeve të Faruk Myrtajt që janë ndryshe, të papërsëritshme në letrat tona, edhe ky libër, vjen qetë, pa bujë, pa pretendime për t'u shpallur kryevepër.

Ndërkaq, është një libër që duhet ta kenë, sidomos krijuesit shqiptarë, e po ashtu edhe politikanët, edhe pse fatkeqësisht, këta aktualët, shumica qëndrojnë në anën e injorancës.

 12 kORRIK 2002 Ali Aliu



12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page