Fatmir Terziu
Riti i sakrificës njerëzore duket se nuk është thjesht një „thirrje“ brenda ndjesisë dhe njohurive të studiuesit të apasionuar shqiptar, Timo Mërkuri, por dhe një qasje me një kënd të ri vëzhgimi. Ky kënd i ri i shtrimit të aspekteve kulturologjike e ka bërë murimin të vij tek lexuesi jo thjesht si një baladë, por si një hapësirë kulturologjike, ku këndi i vëzhgimit i ngjan atyre këndeve të diamantit, me të cilat gjithnjë drita dhe detajet e saj pasqyrohen ndryshe nën sy e në vëzhgim të syrit. Pikërisht këtu merr këndvështrimin e vet „Balada shqiptare e murimit dhe marrëdhëniet me variantet e vendeve fqinje“ si një sprovë.
Duke ditur se Kënga e Murimit është një nga këngët më të njohura të poezisë popullore legjendare, që këndohet pothuajse në të gjithë vendin, hapësira që shtron dhe gjeografie e trajtesës së mërkurit tek sprova e tij studimore është me një fytyrë të plotë ballkanike, ku skedari i fqinjësisë bëhet më i plotë në transkulturalizimin e tij, por aq dhe në formatin e vjetër e të ri të domosdoshmërisë së njësimit traditë-kulturë.
Mërkuri që në hyrje sqaron: „Në rrafshin shqiptar kjo baladë jo vetëm që ekziston në të gjithë hapësirën gjeografik të banuar me shqipfolës, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar, por ka një unitet në tërësinë strukturore…“ Prandaj kjo ekzistencë e lashtë dhe e gjerë, me kohë ka marë simbole të ndryshme, duke u zëvendësuar me elemëntë që simbolizojnë njeriun, apo me spërkatjen e themeleve me gjakun e një kafshe të therur. Ndaj dhe studiuesi e sheh si gjetje që dhe pse një gjeografi e vogël shqiptare, versionet e qasjes së murimit janë të ndryshme.
Objekti ku lokalizohet riti i murimit në hapësirën shqiptare ndryshon sipas krahinave. Në krahun veriperëndimor Shkodër, Dukagjin, Pukë, Mirditë dhe pjesërisht Krujë, Durrës, Elbasan balada është e fokusuar në murimin në kala, ku faktet folkloristike japin detaje për kalanë e Shkodrës, të Drishtit, të Elbasanit dhe Durrësit. Në krahun verilindor, në Malësi të Gjakovës, Kosovës, Lumës, Dibrës dhe në krejt Jugun objekti përqëndrohet për murimin në urë, si përshembull në Urën e Fshajt midis Gjakovës dhe Prizrenit, të Spiljes në Dibër të Madhe, të Artës në Jug, në ndonjë fshat të Pogradecit dhe të Korçës objekti shkon tek murimi në Manastir.
Me syrin dhe këndin e vëzhgimit të Mërkurit risia e sakrificës së murimit shkon përtej në hapësirën e Ballkanit dhe rrëmon të pasqyrojë elementët e një diskursi të gjerë. Objektet e murimit gjenden për murimin në urë, si tek Ura e Artës në Greqi, të Strumës në Bullgari, apo dhe për murimin në manastir tek Manastiri i Arxheshit në Rumani. Në studimin e Timo Mërkurit referencat dhe gjetjet janë më të gjera, ku ai është bazuar dhe në kërkime të tjera, të reja dhe në ato që vijnë nga forma të ndryshme të shkrimiit dhe të kërkimit shkencor.
Në këtë aspekt diskursi rreket të trajtojë më thellë legjendën rreth themelimit të Kalasë së Rozafatit, për të cilën Barleti flet që në vitin 1504 tek „Rrethimi i Shkodrës“. Kjo legjendë, sado që nuk ka ndonjë gjë të përbashkët me atë të subjektit të këngës për këtë rit sakrifice, është një dëshmi me interes për ekzistencën e një tradite të tillë. Duhet theksuar se një këngë e tillë nuk gjendet te Arbëreshët e Italisë, sikurse gjenden baladat e tjera të vëllait të vdekur, të rinjohjes etj. Humbja tek Arbëreshët e Italisë mund të shpjegohet me kushtet e reja ku ata u vendosën, me mungesën e objekteve kala dhe ura rreth të cilave ato patën jetuar dikur në vendin e tyre të origjinës.
Në Ballkan më shumë për këtë risi flitet për Kalanë e Shkodrës dhe Urën e Artës. Timo Mërkuri në studimin. Etij tipologjik „sprovë“ merr dhe formën e një zgjerimi të njohurive të prura më parë nga mjaft autorë, ku Shuteriqi, Sako dhe mjaft të tjerë shihen edhe si një bazë e formatimit të ri të domosdoshmërisë njohëse dhe zgjeruese. Gjithashtu nga „Visaret e Kombit“ ajo që është shtjelluar tregon për gjerësinë e materialit në hapësirë, kohë dhe vend.
Duke përfunduar mund të themi se ashtu sikurse ndjejmë një atmosferë të mallëngjyeshme me personazhet kryesore të baladave, me ritin e sakrificës dhe me murimin në tërësi, ashu ndjejmë edhe me leximin e kësaj sprove të këndshme e të ndjeshme të Mërkurit. Me këtë sprovë autori ka bërë një ngritje të ndjeshme të „cros-culturalizmit“ ose të atyre gjërave kulturore që kanë të bëjnë me kultura të ndryshme ose sikurse njihet si krahasimi midis tyre. Thuajse tashmë Mërkuri me këtë studim që vjen nga fusha e komunikimit ndërkulturor, e njohur edhe si komunikim ndërkulturor, na jep qartë se edhe në këtë pikë është zhvilluar thellimi i njohjes së risisë së sakrificës së murimit si një zbatim i shquar i paradigmës ndërkulturore, në përgjigje të presioneve të globalizimit që prodhuan një kërkesë për trajnim ndër-kulturor të ndërgjegjësimit në komerciale të ndryshme sektorësh.
Përshëndetje prof. Fatmiri. U njoha me komentin tuaj lidhur me trajtimin e 'murosjes" nga. Z. Merkuri.
Nuk ndalem tek trajtimi sepse janë thënë tê vërtetat. Traditën e "murosjes" e kam trajtuar para disa vitesh në një nga librat e botuara. Sot, mbasi u njoha me shkrimin, mendoj se duhet thelluar më tepër. Ka shumë mendime që kjo traditë është tek popujt e Ballkanit. Nëse z. Timo e ka trajtuar si kulturë e popujve të Ballkanit. (them "nëse" mbasi nuk e kam lexuar librin e tij), nisur dhe nga shtetet që ju profesor përmendni, them se kjo traditë është vetëm shqiptare. Ky konkluzion të shpie vetvetiu këtu, mbasi vendet që përmenden janë troje të Shqipërisë natyrore dhe me banorë autokt…