top of page

THREE BOYS


Tre çuna në Amerikë - libër për fëmijë i K. P. Traboinit

Fëmijët e shqiptarëve që lindin në Amerikë e kanë një problem që ata vetë nuk e ndjejnë, a mbase do ta ndjejnë kur të rriten e të vinë në vendlindjen e prindërve të tyre ku, do ta kenë të vështirë të komunikojnë me rrethin familjar, kushërinjtë apo dhe të tjerë që do t’i takojnë. Ata fëmijë janë amerikanë, por janë edhe shqiptarë se, siç thoshin të moçmit, “gjaku ujë nuk bëhet”. De Rada i madh, i lindur e vdekur në Itali, por që aq shumë bëri për shqiptarinë, thoshte gjaku ynë i shprishur e sytë i mbante nga deti, ku i dukej se shihte brigjet e Atdheut të lashtë, atëherë në robëri. Kësisoj kushdo që ka nipër e mbesa në Amerikë, por edhe gjetkë në vende të tjera, e kanë këtë merak dhe kur bëhen bashkë në familje, përpiqen t’u mësojnë fëmijëve shqiptaro-amerikanë ndonjë fjalë e shprehje shqipe. Po sa kohë do t’i ruajnë pasardhësit e shqiptarëve në Amerikë ato fjalë e ato shprehje, fjalën bukë e fjalën ujë, fjalën nënë e fjalën babë? Ka aq shumë shqiptarë në Amerikë, disa prej të cilëve janë harruar e nuk dinë asgjë për prejardhjen e tyre. E kush nuk e ka këtë merak. E për më tepër të gjithë fëmijët e fëmijëve kur takohen me gjyshërit e tyre, gjëja e parë që thonë, anglisht qoftë apo dhe shqip, çfarë na solle gjysh, çfarë na solle gjyshe. Se gjyshërit gjithherë, në traditën tonë shqiptare, i kanë pasur duart plot për fëmijët e fëmijëve, apo siç thotë populli “mjalti i mjaltit”. Ja do ti çosh ndonjë veshje sportive të ekipit kombëtar ku shkruhet Albania, e qëndisur kjo me shqiponjën e zezë dykrenore. Por prapë meraku në të folurin qëndron. Të ndërrosh një llaf si në Shqipëri me kolopuçët e vegjël. Autori i këtij libri, K. P. Traboini, prej dekadash me shtetësi të dyfishtë shqiptaro- amerikane, e ka dhe ai merakun e vet për çunat e fëmijëve në Boston e në Washington DC. Dhe vendosi t’u bëjë një dhuratë, por jo si dhuratat e tjera. Diçka që t’u lerë mbresë e çunat ta kenë si një nxitje për të mësuar fjalët e bukura të gjuhës shqipe. Kësisoj, kapur pas kësaj ideje ai krijoi një cikël me 8 poemza për fëmijë ku tre çuna shqiptaro-amerikanë janë personazhe. Bëmat e botës së tyre fëminore përbëjnë lëndën e formësuar në vargje në gjuhën shqipe dhe pranë tyre, e kjo si të thuash përbën vlerën e veçantë të këtij libri, po këto vjersha në gjuhën anglishte. Kësisoj duke i lexuar në anglisht fëmijët do të përpiqen t’i lexojnë edhe shqip dhe në kujtesën e tyre do të nguliten fjalë e shprehje në gjuhën e vendlindjes së prindërve. Përkthimet e poemzave “Tre çuna në Amerikë (Three boys)”, “Në Boston në pranverë (In Boston in spring)”, “Bufi (The owl)”, “Krimb, o krimb drurët mos i ha(Worm, o worm, don’t eat the trees)”, “Paolo ka një tren të kuq (Paolo has a red toy train)”, “Tomi nga Washingtoni (Tom from Washington)”, “Kapelja e lumtur (Happy hat)”, “Matteo do të bëhet shkrimtar (Matteo with be writer)”, janë bërë nga përkthyesja Ermira Çela. A është ky botim një libër familjar? Padyshim. Por mund të lexohet me kënaqësi edhe nga fëmijë e prindër të tjerë shqiptaro-amerikan gjithnjë nën nxitjen që të bëjnë kujdes që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Gjithashtu të kërkojnë forma sa më interesante që fjalët e bukura të shqipes të shoqërohen me disa detaje mbresëlënëse në jetën e vogëlushëve. Në këtë rast autori i librit me 8 poemza shqip-anglisht, si ilustrim nuk ka përdorur vizatime, siç rëndom përdoren në botimet për fëmijë, por fotografitë që ai u ka bërë tre çunave shqiptaro-amerikanë. A do këtë lexues të vegjël të shumtë ky libër i ri i K. P. Traboinit? Mbetet për tu parë, por një gjë është e sigurt, tre çunat në Amerikë, Paolo, Tom dhe Matteo, do ta lexojnë dhe do ta ruajnë në kujtesë për tërë jetën librin ku ata janë personazhe dhe me këtë rast do të ruajnë edhe fjalët e bukura në gjuhën shqipe të ngulitura në kujtesën fëminore. Thonë, e kjo mendojmë se është e vërtetë, që kujtimet e fëminisë nuk harrohen kurrë. Poeti nobelist Odisea Elitis jo më kot kujtonte se gjyshja e tij e dashur dilte në derë dhe e thërriste nipin e vet me këto fjalë shqipe “Eja të hash bukë”. Nobelisti Elitis këto fjalë nuk i harroi kurrë. E ky është një mësim i madh për të gjitha ata prindër shqiptarë që jetojnë larg vendlindjes e nuk duan që gjaku i tyre i shprishur të harrohet përgjithmonë.

SAZAN GOLIKU 16 mars 2022

20 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page