top of page

THESARE ARKEOLOGJIKE



Personalitete të njohura akademike të fushës së arkeologjisë vlerësojnë punën kërkimore-shkencore të historianit, arkeologut dhe etnologut matjan

 

THESARE ARKEOLOGJIKE DHE ETNOKULTURORE TË MATIT

NË TRE LIBRA TË DILAVER KURTIT

 

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

·      Prof. Dr. Muzafer Korkuti, arkeolog (ish - Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH): “Nderi dhe kontributi që ka dhënë Dilaver Kurti në fushën e zbulimeve të kulturës ilire të gërmimeve në tumat e Burrelit, të Komsisë, të Suçit, etj, ka një vlerë kombëtare sepse nëpërmjet dhjetra tumave e qindra varreve u grumbullua një inventar shumë i pasur i cili zgjeroi shumë njohjen tonë për kulturën e Matit”

 

Krahina e Matit është e njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë Shqipërisë, si një krahinë arkeologjike e rëndësishme me vlera të veçanta, sidomos për gjurmimin e studimin e kulturës ilire. Ai që iu dha dimensionin e duhur shkencor këtyre gjurmimeve është historiani, arkeologu dhe etnologu i mirënjohur matjan Dilaver Kurti. Me zellin e papërshkruar dhe njohuritë shkencore, në harkun kohor të tri dekadave (1952-1984), fillimisht si autodikakt dhe pas disa kërkimeve e zbulimeve me vlera të rralla, edhe si bashkëpunëtor shkencor i Instituteve përkatëse të Akademisë së Shkencave, Dilaver Kurti bëri gërmime në dhjetra tuma të luginës së Matit, një pjesë e të cilave ishin mjaftë të dëmtuara nga punimet bujqësore. Rezultatet e këtyre gërmimeve ai i ka bërë të njohura dhe i ka botuar në revistat shkencore të kohës.

Tre librat e tij: “Trashëgime iliro-arbërore” (1999); “Shënime etnografike nëpër Mat” (2004) dhe “Folklor nga Mati” (2014) janë testament i thesareve arkeologjike dhe etnokulturrore që bart rrethi i Matit. Madje, siç shkruan Rakib Lasku, një emër i njohur në fushën e letrave, në parathënien e librit “Trashëgime iliro-arbërore” (1999): “Dilaver Kurti, si etnograf gjurmoi shumë dukuri etnografike, sigurisht brenda kornizave të mjedisit shoqëror e gjeografik të krahinës së Matit. Materiali i grumbulluar është shumë i bollshëm, po që veç një pjesë e tij është interpretuar, megjithatë edhe ashtu siç është ka vlera të padiskutueshme dhe Dilaver Kurti ka meritën e madhe që e mblodhi me aq kujdes e përkushtim, duke mos e lënë të mbulohet nga pluhuri i kobshëm i harresës”.

Rëndësia e këtij produkti kërkimor shkencor parasëgjithash konsiston në faktin se nga 35 tumat ilire të gërmuara të kësaj krahine u fituan të dhëna të reja lidhur me kufijtë kronologjikë të ngritjes e të përdorimit të tumave në krahinën e Matit dhe u grumbullua një lëndë arkeologjike e pasur e me vlerë që ndihmon për të krijuar një kuadër më të plotë mbi kulturën ilire të Matit si dhe për lidhjet e saj me kulturat bashkëkohëse të krahimave të tjera brenda e jashtë vendit.

Në shënimet e tij në dorëshkrim, të botuara tashmë në librin “Trashëgime iliro-arbërore”, studjuesit e kësaj fushe mund të gjejnë përshkrime të hollësishme për  Tumën e Karicës, qytetin ilir të Xibrit, gjurmë të hershme vendbanimi në Burrel e Baz, etj, etj.

Në studimet e thelluara të këtij historiani, arkeologju e etnologu gjejmë të dhëna të reja mbi kulturën ilire të tumave të Matit. Ato bazohen mbi gërmimet e kryera në 35 tuma ilire gjatë viteve 1952-1960 në luginën e mesme të lumit Mat, të cilat dhanë një material të pasur dhe me vlerë të madhe shkencore për studimin e kulturës materiale të banorëve të lashtë të kësaj treve.

Në vitin 1971 ky arkeolog i përqëndroi gërmimet në një tumë në afërsi të qytetit të Burrelit. Përdorimin më të madh tuma e Burrelit e pati në shek. VI-V p.e.s. Në këtë kohë ajo u pajis me unazë të ndërtuar nga një ose dy rradhë gurësh të vendosur në tabanin e tokës dhe me mbulesë gurësh, e cila pjesërisht ishte e dëmtuar, më sa duket, gjatë varrimeve të vona që janë bërë në të. Në këtë tumë u zbuluan gjithsej 79 varre, (54 me inventar dhe 25 pa inventar) që sipas arkelolugut Kurti i përkasin gjysmës së dytë të periudhës së parë të hekurit, shek. VIII-V p.e.sonë.

Në këtë mënyrë, në punimet e këtij arkeologu gjejmë profilet e tumave, tipet e varreve, ritet e varrimit, ndërkohë që ai bën edhe analizën shkencore të gjetjeve. Kjo analizë, ndër të tjera iu përket objekteve të gjetura gjatë gërmimeve që ka kryer si:  qeramikës, enëve metalike, veglave të punës dhe armëve, stolive, si dhe datimit të tumave dhe varreve.

Si askush tjetër, ky dishepull i dijes dhe ikonë e kulturës sonë kombëtare, sjell jo vetëm zbulimet e tij mbi Tumat e Burrelit, varrezat e Burgajetit, për kodërvarrezën ilire të Komsisë e një mbishkrim latin në Mat, por edhe argumente e konkluzione, bazuar në metodat shkencore të kërkimeve e zbulimeve arkeologjike mbi Stelushin - Qytet i Skënderbeut në Mat si dhe për zejen e prodhimit të barotit po në këtë krahinë.

Zbulimet arkeologjike të Dilaver Kurtit, me vlera të mirëfillta kërkimore shkencore kanë marrë ekspertizën dhe vlerësimin e dhjetra personaliteve akademike të fushës së arkeologjisë, si të: Prof. dr. Muzafer Korkutit, Prof. as. dr. Aferdita Onuzit, Prof. as. dr. Zhaneta Andreas, Prof. dr. Bep Jubanit, Prof. dr. Mark Trirtës, prof. Selim Islamit, prof. Frano Prendit etj.

Prof. Dr. Muzafer Korkuti, arkeolog (ish - Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH) vlerëson se “Nderi dhe kontributi që ka dhënë Dilaver Kurti në fushën e zbulimeve të kulturës ilire të gërmimeve në tumat e Burrelit, të Komsisë, të Suçit, etj, ka një vlerë kombëtare sepse nëpërmjet dhjetra tumave e qindra varreve u grumbullua një inventar shumë i pasur i cili zgjeroi shumë njohjen tonë për kulturën e Matit”.

 

TESTAMENT I THESAREVE ARKEOLOGJIKE

DHE ETNOKLUTURORE TË MATIT

 

Mati, përveçse një nga trevat lavdiplote të luftrave kundër pushtuesve turq, serbë e bullgarë është i njohur edhe për thesaret e kulturës sonë popullore. Disa studjues të Matit dhe institucioneve qëndrore shkencore, madje dhe ekspedita kërkimore shkencore komplekse kanë studjuar e hulumtuar rreth këtyre vlerave të pallogaritshme që përbëjnë pasurinë shpirtërore të popullit tonë, por Ai që i la si trashëgimi është padyshim historiani, arkelologu dhe etnologu matjan Dilaver Kurti. Tre librat e tij: “Trashëgime iliro-arbërore” (1999); “Shënime etnografike nëpër Mat” (2004) dhe “Folklor nga Mati” (2014) janë testament i thesareve arkeologjike dhe etnokulturrore që bart rrethi i Matit. Është ky një libër me vlera të pallogaritshme kërkimore shkencore sepse hedh dritë mbi gjetjet arkeologjike në Mat, ndërsa sjell të dhëna të reja mbi kulturën ilire të tumave të Matit. Po ashtu në përmbajtjen lëndore të kësaj vepre madhore gjejmë: “Gjurmë të kulturës së herëshme shqiptare në Mat”, si dhe kulturën e vonë antike të Matit si hallkë ndërlidhëse të kulturës iliro-shqiptare.

Pjesë e përmbajtjes së pasur lëndore të kësaj vepre janë gjithashtu: “Shqiponja në motivin e gunës shqiptare”, “Veshja gurabardhase”; “Kulla e Matit”, “Toponimet e poemës ‘Kënga e sprapsme e Balës”, “Andrea Stopan i Arbërit”, “Shën Trinia e Matit” dhe studimi i thelluar për prejardhjen e Kastriotëve.

 

Bashkëpunëtor i famshëm i tre institucioneve kërkimore shkencore

Dilaver Kurti është afirmuar si historian qysh në fillim të viteve ’70, duke u bërë njëkohësisht bashkëpunëtor i famshëm i tre institucioneve kërkimore shkencore, që kishte arritur jo vetëm të takohej me personalitete të shkencave historike shqiptare, si me Aleks Budën e Eqerem Çabejin por edhe të vlerësohej prej tyre për produktin kërkimor shkencor të zbulimit dhe evidentimit të thesareve etnokluturore të Matit.

Më të hollësishëm e gjejmë këtë produkt në librin e tij të dytë “Shënime etnografike nëpër Mat”, ku përshkruhen gjer në detaje, jo vetëm gërmimet arkeologjike, por edhe të dhënat gojore nga bashkëkohës në 62 fshatra të Matit, që nga Macukulli, Laçi, Bruçi, Uraka, Dukagjini,  Bushkashi, Shkopeti, Batra, Martaneshi, Muzhaka, Gurra e Madhe e Gurra e Vogël, etj.

Dhe siç vlerëson Rakib Lasku në: “Kushdo që ka rrënjët në Mat, qysh nga grykët e thikta të Shkopetit dhe deri në Martanesh, nga Qafë Murra në Qafë Shtamë, prej Qafës së Buallit në Qafën e Murrizës, do të gjejë në këtë libër vetveten ose të paktën një pjesë të vetvetes dhe sigurisht për atë, që është krenar për origjinën e vet, kjo nuk është pak”.

Për rëndësinë e kësaj vepre flet qoftë dhe vetëm studimi i Dilaver Kurtit “Rrugë karvanesh në Mat në shek. XIX-XX” (referuar shumë personave), ku ndërsa përshkruan me hollësi fillimin, përshkimin dhe mbarimin e tyre, arrin në konkluzionin se “Këto rrugë kryqëzonin krahinën e Matit, duke kaluar nëpër katër pazaret e saj: Në Derjan për zonën e Prellit, në Lis për Tematen, në Komsi deri më 1928 e më vonë në Burrel për Rranxën dhe në Stragj (Klos-Pazari ke Ura) për zonën e Krematës”.

Në vlerësim të këtij produkti voluminoz dhe cilësor në fushën e zbulimeve arkeologjike dhe stududimeve etnokulturore, Prof. as. Dr. Aferdita Onuzi, shprehet se: “Dilaver Kurti insistonte për të njohur deri në detaje çdo fenomen, jo vetëm në gërmimet në terren, por edhe në njohjen e literaturës. Ishte i interesuar për çdo gjë që botohej”.  Parë nga ky vështrim, etnologia e mirënjohur Onuzi e konsideron ndarjen nga jeta të Dilaverit (para 25 vitesh, më 27 nëntor 1998) një humbje e madhe për shkencën shqiptare, por kjo humbje, sipas saj, minimizohet në kuptimin se Dilaveri nuk ka ikur pa lënë gjurmë, pasi kemi shumë punë të tij të botuara, ndërkohë që ka lënë dhe shumë materiale e punime shkencore në familjen e tij.

 



Përgjigje e denjë për një punë “të munguar”

 

Po. Prof. dr. Agron Xhangolli ka të drejtë që e vlerëson të tillë kontributin e Dilaver Kurtit. Se vërtetë ishte punë e munguar ajo që bëri studjuesi i zellshëm, arkeologu e etnografi shembullor Dilaver Kurti, që si bir i lindur në truallin e tokës së Matit, në gjirin e popullit të kësaj krahine, i brumosur me ndjenjat dhe kulturën e tij, vuri në shërbim të tij një punë sa voluminoze aq dhe të një rëndësie të pallogaritshme në fushën e studimeve kërkimore shkencore të dimensioneve mbarëkombëtare. Këtë e gjejmë të sintetizuar qoftë dhe në shënimin e tij të para 40 viteve (Burrel, 15 shtator 1983) ku ndër të tjera shkruan se: “Tradita foklorike ka shtrirje të gjerë në hapësirë dhe në kohë. Ajo ngërthen ngjarje të vetë trevës së Matit, trevave përrreth tij dhe të mbarë trojeve shqiptare. Duke e parë në këtë vështrim, brenda truallit shqiptar topografia e tij rrezaton deri në Janinë, Delvinë, Vlorë, Berat, Elbasan, Durrës, Kavajë, Peqin, Manastir, Gostivar, Ohër, Shkup, Prizren, Prishtinë, Nish, Pejë, Gjakovë, Ulqin, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Lumë etj. Por kjo topografi  i shpërthen kufijtë e vendit e del jashtë deri në Rusi (Moskov), Austri (Nemca), Turqi, Greqi (Junani), Serbi, Mal të Zi (Karadaku), Egjipt (Misir), me të cilët lidhen ngjarjet apo tematikat folklorike”.

Ky parashtrim shëmbëllen botëkuptimin e gjerë të Dilaver Kurtit në studimet e gjurmimet e tij folklorike, jo vetëm nga Mati, por në gjithë trevat shqipfolëse, brenda e jashtë kufijve tanë tokësorë. Dhe këtë e bën mjaf mirë në librin “Folklor nga Mati” me një lëndë mjaftë të pasur, në gjashtë kapituj (me 315 faqe) ku përfshihen: Balada; Këngë kreshnikësh; Këngë historike; Lirika familjare; Lirika shoqërore (gjithsej 268 tituj këngësh) dhe proza pollore (me 12 tituj përrallash e 3 anektoda) që reflektojnë bardin popullor si krijues, interpretues dhe instrumentist. Këtë e pasqyron më së miri prof. dr. Agron Xhangolli, sipas të cilit: “Puna e realizuar për regjistrimin e krijimeve të ndryshyme folklorike nga Dilaver Kurti ka qenë e shtrirë në kohë…Në krahina të ndryshme etnografike të Matit, në fshatra jo të pakta, ka shënuar tekste të këngëve të ndryshme, si tekste baladash, ndonjë tekst nga këngët e kreshnikëve, tekste këngësh historike, këngë lirike të llojeve të ndryshme, si ninulla, këngë dasme, synetie, vajtime, dashurie, nizami etj”. Po ashtu prof. Xhangolli evidenton edhe krijime të mirëfillta të Dilaver Kurtit nga proza popullore, të tilla si përralla, anektoda, proverba dhe gjëegjëza. 

 

DILAVER KURTI – KRIJUESI DHE DREJTORI KOMPETENT

I MUZUT TË BURRELIT

 

Vepra shumëdimensionale e Dilaver Kurtit vlerësohet edhe nga Esat Ruka, i nderuar e vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, laureat i festivaleve folklorike, “Qytetar Nderi” i Matit dhe Ambasador i paqes. Në librin e tij “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese”, Ruka e vlerëson Dilaver Kurtin si arkeologun dhe etnologun e mirënjohur matjan. Kjo sipas tij, për faktin se Dilaver Kurti, pinjoll i fisit Kola të Burrelit qe nga ato personalitete që rrëmoi me pasion e përkushtim në sektorin e historisë, specifikisht në arkeologji e etnografi. Pasi evidenton linçimin e Dilaverit (si të dhjetra personaliteteve matjane) nga sistemi i diktaturës, sepse i ati i tij kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare, Esat Ruka ndër të tjera shkruan se: “Gjithsesi, puna e tij titanike bëri që ai ta rrëmbejë mbështetjen, duke ngritur njërin nga muzetë historikë më të mirë në shallë vendi”.

Dilaver Kurti u lind të Burrel më 19 tetor të vitit 1934 dhe ndërroi jetë më 27 nëntor 1998. Që në rini, jetën e tij e vuri në shërbim të zellshëm të gjurmimit, mbledhjes dhe studimit të trashëgimisë historike dhe etnokulturore në trevën e Matit, fillimisht autodidakt e më pas i diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dega Histori-Gjeografi.

Pas punës vetjake për grumbullimin e materialeve të shumta arkeologjike, etnografike etj, në vitin 1969 u bë nisiatori i krijimit të Muzeut të parë në Mat. Ishte drejtues i Muzeut Historik të Matit deri në fillim të viteve ’90, si dhe i ekspeditave të gërmimeve arkeologjike të kryera nëpër Mat në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar.

Gjatë viteve ’60 (shek.XX) e në vazhdim ishte bashkëpunëtor i jashtëm i instituteve kërkimore - shkencore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa produktin e punës gjurmuese dhe studimore e botoi në revistat e tyre periodike shkencore “Studime Historike”, “Iliria”, “Etnografia shqiptare”, “Monumentet” etj, si dhe në shtypin kombëtar e lokal të kohës.

Në gjurmët dhe sipas shembullit e përvojës së tij, ecën edhe i biri, Artan D.Kurti, - autori i librit “Matja në gur e në dru”, i cili me largimin nga jeta të të atit (studjuesit Dilaver Kurti) u mor me sistemimin dhe botimin e materialeve të tij, kryesisht të papublikuara.

Po ashtu dhe e bija Mimoza, mësuese talentuar e letërsisë, që prej vitesh banon e punon në SHBA, i është përkushtuar arkeologjisë, duke vijuar thuajse prej vitesh gjurmime të atyre vendburimeve ku studjoi i ati, Dilaveri.

Ndaj dhe Esat Ruka e vlerëson veprën e Dilaver Kurtit si apel për intelektualët, që të kthejnë sytë edhe nga sektori i kulturës si pjesë e rëndësishme e identitetit tonë. Apeli i tij është se në kohëra do të kemi nevojë për të tjerë “Dilaver Kurtë”.  Madje Z. Ruka shprehet se “Ky vlerësim dhe respekt për të paharruarin Dilaver Kurti, matjanin zemërbardhë, e si një dhëndër i lashtësisë, është përjetësuar me një këngë të bukur. Kënga ka marrë në hapësirat e saj poetike polenin e mjaltuar të vargjeve të poetit Gjokë Beci dhe muzikë e interpretim të kantautorit Esat Ruka që në vitin 1999”.



27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page