top of page

Themelet e fesë...

Updated: Sep 12, 2022



Themelet e fesë myslimane



Fjala “Islam” në arabisht ka kuptimin “nënshtrim me dëshirë para një Zoti të vetëm dhe universal” dhe karakterizon qëndrimin që duhet të mbajë besimtari mysliman ndaj Allahut, Zotit të vetëm.


Islami është një fe që mbështetet në tekstet që përfshihen në Kuran dhe në summa. Këto përmbajnë një tërësi rregullash, të quajtura “ligji islamik” ose “sheriat”, që organizojnë jetën e përditshme.


Kurani dhe sunna


Në arabisht “kuran” do të thotë “lexim”, “libër” ose “recitim”. Në të vërtetë, kur ia bën të njohura Muhametit fjalët e Zotit, ëngjëlli Gabriel (Xhebrail), e porosit t’i përsëritë e i thotë: “Recitoji”. Muhameti i mësoi përmendësh ato tekste dhe ua diktoi shokëve të tij, të cilët i shkruan në gjethe hurmash, në copa lëkure ose në shpatullat e gamileve. Pas vdekjes së Profetit, kalifi Oman e përfundoi grumbullimin e këtyre teksteve, të cilat do të bëheshin Kurani. Ky i fundit përmban 6226 versete, të ndara në 114 surate ose kapituj. Kurani është shkruar në arabisht, gjuha në të cilën i është folur Muhametit. Libri i shënjtë i Islamit u plotësua me një përmbledhje tjetër - sunna (në arabisht “zakon”, “traditë”). Sunna përfshin fjalët, bëmat dhe arsyetimet e Muhametit. Është fjala për “haditin” ose “fjalët e Profetit”, që u mblodhën nga shokët e tij. Kurani dhe sunna përbëjnë themelin e besimit dhe ligjin që drejton jetën e çdo besimtari.


Mesazhi i Kuranit


Kurani përsërit me këmbëngulje që nuk ekziston përveçse një Zot, Allahu, Krijuesi dhe Shpëtimtari i Universit. Ai është i paarritshëm dhe nuk mund të paraqitet me figura. Ky Zot, thekson Kurani, ua ka kumtuar fjalën dhe ligjin e vet Profetëve, si: Abrahami (Ibrahimi), Moisiu, Jezusi dhe Muhameti. Por asnjë shfaqje tjetër hyjnore nuk mund të ketë pas asaj që mori Muhameti, sepse kjo i përfshin dhe i tejkalon të gjitha të mëparshmet.


Pesë shtyllat e Islamit


Pesë detyrat themelore të çdo myslimani, të quajtura “pesë shtyllat e Islamit”, janë:


-profesioni i besimit i besimtarit, që quhet “shahada”, shprehet në këtë formulë: “Nuk ekziston tjetër Zot përveç Allahut, ndërsa Muhameti është shërbyesi dhe Profeti i tij”. Kjo shpallet 5 herë në ditë nga maja e minaresë, kur hoxha bën thirrje për lutje.


-lutja rituale duhet kryer nga besimtari 5 herë në ditë, në të gdhirë, në mesditë, në mes të pasdites, kur perëndon dielli dhe kur bje nata.


-mëshira e ligjëruar, e quajtur “sadaka” (“zekat”), është një taksë fetare që myslimani duhet ta japë vetë nga rroga ose nga të korrat e tij për t’i ndihmuar të varfërit.


-gjatë muajit të Ramazanit burrat duhet të mos pinë, as të mos hanë, as të mos tymosin dhe as të mos kenë marrëdhënie seksuale, që kur lind e gjer kur perëndon dielli. Në mbrëmje çdo familje “e ndërpret agjërimin” dhe mblidhet për t’u lutur e për të ngrënë.


-Pelegrinazhi (haxhillëku) i madh në Mekë është një udhëtim të cilin çdo mysliman duhet ta bëjë të paktën një herë në jetë nëqoftëse ka fuqinë dhe mjetet e nevojshme, që të tregojë besimin.


Xhihadi është “lufta për një kauzë të drejtë”, por shpesh herë përkthehet në mënyrë të gabuar si “luftë e shënjtë”. Xhihadi nuk bën pjesë në “shtyllat e Islamit”. Megjithatë, shpesh konsiderohet si një detyrim fetar.


Ligji islamik ose sheriati


Ligji islamik ose sheriati përmbahet në Kuran e në sunna. Ai bashkërendon jetën shoqërore dhe familjare përmes përcaktimit të riteve që nga lindja deri në vdekje. Rregullat e sheriatit nuk zbatohen njëlloj në të gjitha vendet myslimane: në disa shtete sheriati është i vetmi burim i ligjeve dhe i rregullave. Këto shpesh herë janë tepër të rrepta: fajtorët mund të ndëshkohen trupërisht.


Në shtete të ndryshme specialistët e Islamit bëjnë hulumtime që myslimanët t’u përshtaten realiteteve moderne, duke u mbetur njëkohësisht besnikë mësimeve të Kuranit. Cilidoqoftë qëndrimi i tyre ndaj traditave myslimane, të gjithë besimtarët e Islamit i kremtojnë njëlloj momentet e rëndësishme të jetës. Djemtë myslimanë duhet të bëhen synet, në përputhje me një traditë të hershme të Islamit. Edukimi fetar i fëmijëve fillon me leximin e Kuranit në shkollën kuranike. Martesa është një ceremoni më shumë familjare se sa fetare.


Kur varroset, i ndjeri shtrihet me kokën të kthyer nga Meka. Sheriati përmban edhe receta ushqimore. Myslimani nuk duhet të hajë mish nëqoftëse kafsha nuk është therur pas recitimit të një formule rituale dhe as mish derri apo alkool.


Femra myslimane


Ligji islamik, që doli në fillim të Mesjetës, ka ruajtur veçoritë e asaj kohe. Si rrjedhojë, sipas këtij ligji, femrat duhet të sillen në mënyrë të atillë që të mos i shtyjnë burrat të gabojnë. Meqënëse në Mesjetë nuk pranohej të tregonin flokët, femrat në disa vende myslimane, pra jo në të gjitha, morën zakonin të mbanin një vello (çador në Iran, hixhab në Afrikën e Veriut). Kurani u garanton grave mbrojtjen, që nuk e patën gëzuar më parë. Ai thekson: “Ai që rrit dy vajza, shkon në Parajsë”. Kurani i detyron burrat t’i trajtojnë mirë gratë; lejon poligaminë deri në katër gra me kusht që të kenë miratimin e grave të tjera dhe t’i sigurojë secilës të njëjtin nivel jetese.

Dy degët kryesore të Islamit


Qysh nga vdekja e Profetit, u shfaqën mosmarrëveshje lidhur me pasardhësin e tij. Më 632 shumica e besimtarëve mendonin se, për ta zëvendësuar, duhej zgjedhur më i devotshmi i

myslimanëve. Sytë u përqëndruan tek miku i Muhametit, Abu Bakr. Ky u bë kalifi i parë, pra kreu politik dhe fetar i bashkësisë. Pasuan dy kalifë të tjerë, Omari dhe Otmani. Por disa menduan se kalifati i takonte njërit prej pjesëtarëve të familjes së Profetit. Prandaj, kalifi i katërt u bë Aliu, dhëndrri i Muhametit. Ndërkaq pati edhe besimtarë që thanë se më e rëndësishme është të jesh mysliman i mirë se sa farefis i Profetit. Guvernatori i Damaskut, Muavijja (Mavija), përfitoi nga kjo mosmarrëveshje dhe shpërtheu luftë civile, që përfundoi me vrasjen e Aliut në vitin 661.

Kësisoj u formuan dy prirje të mëdha të botës islamike: sunitët, që janë shumica dhe përfaqësojnë “njerëzit e bashkësisë dhe të traditës” (në arabisht “sunna”) dhe shiitët, sipas të cilëve pasardhësit e Aliut janë më të aftët për të udhëhequr bashkësinë. Pakica shiite sot përbën vetëm12% të myslimanëve, të tjerët, pra 88%, janë sunitë.

Shiitët (“partizanët” në arabisht) janë përkrahësit e Aliut, dhëndrrit të Muhametit. Ata u qëndrojnë besnikë Aliut dhe të birit, Hysenit. Shiitët mendojnë se udhëheqësit më të mirë të botës islamike janë imamët, që rrjedhin nga Aliu dhe nga Hyseni, pra nga Profeti.

Gjatë kohërave, shiitët u ndanë në rryma të ndryshme, në disa vende të Lindjes së Mesme. Janë shumicë në Iran, por janë të shumtë edhe në Irak, Pakistan e Liban. Nexhefi e Qerbelaja - qytetet ku janë vrarë Aliu dhe Hyseni, janë viset e shënjta të shiitëve. Në Iran kleri shiit formon një grup autonom të përbërë nga mullahë dhe ajatollahë të mëdhenj. Këta të fundit interpretojnë ligjin fetar dhe drejtojnë shoqërinë.

Në fund të shekullit XX, Islami numuronte mbi një miliard besimtarë të shpërndarë në mbarë botën. Vendet që qarkojnë Arabinë (Egjipti, Magrebi, Siria, Iraku...) mbeten zemra historike dhe fetare e Islamit. Por arabët përfaqësojnë vetëm 20% të botës myslimane. Shumica e besimtarëve myslimanë gjenden në Azi (Indonezi, Indi, Pakistan, Bangladesh...); një numur shumë i madh myslimanësh gjendet në Afrikën e Zezë. Megjithatë, gjuha arabe, në të cilën Kurani i është shfaqur Muhametit, ka mbetur gjuha e shënjtë e Islamit, në të cilën të gjithë myslimanët duhet t’i lexojnë lutjet.

Ekspansioni i Islamit

Qysh nga vdekja e Muhametit (viti 632 i erës sonë), myslimanët, të ekzaltuar nga besimi i tyre, ndërmorën veprime për ta përhapur fenë e re. Me anë të betejave dhe konvertimeve, Islami u përhap nga Arabia në vende më të largta: Afrika e Veriut, Siria, Irani, Egjipti, Spanja dhe Portugalia.

Në fund të shekullit VIII, myslimanët zotëronin një perandori gjigante, që shtrihej nga Atlantiku deri në kufi me Kinën. Kjo perandori pati shumë shpejt në gjirin e vet shumë shtete, kryeqytetet kryesorë të të cilëve ishin Bagdadi, Damasku dhe Kordoba. Në shekujt X-XV Islami arriti të përhapet në Indinë Veriore, në Kinë dhe në Azinë Qëndrore. Kryeqytetet e rinj të botës myslimane u bënë Samarkandi, Stambolli dhe Delhi.


Praktikat dhe kremtimet në fenë islame


Ceremonitë e fesë myslimane zhvillohen kryesisht në xhami. Është fjala për lutjen solemne të së premtes (ditë lutjeje, por jo edhe ditë pushimi e detyrueshme) dhe për të kremtet fetare të kalendarit mysliman. Për më tepër, besimtarët duhet të falen pesë herë në ditë, pavarësisht nga vendi në të cilin ndodhen.

Udhërrëfyesit fetarë

Islami nuk pranon ndërmjetës midis njeriut dhe Zotit. Shërbesa fetare drejtohet nga një pjesëtar i bashkësisë, i respektuar prej saj dhe i instruktuar përsa i përket besimit mysliman. Shpesh herë ky besimtar, që ngarkohet me drejtimin e lutjes, është imam - fjalë arabe që do të thotë “udhërrëfyes”. Imami pra është myslimani, nën drejtimin e të cilit, të premten pasdite besimtarët mblidhen për t’u lutur e për të dëgjuar një predikim.

Në Islamin shiit termi “imam” ka kuptim specifik. Ai quan kësisoj, për shëmbull, pasardhësit e Profetit, të cilët kanë qënë udhërrëfyesit e epërm të krejt bashkësisë së besimtarëve. Udhërrëfyesi i parë pas Muhametit ka qënë Aliu.

Disa funksione u besohen në fenë islame specialistëve të Kuranit dhe të ligjit islamik, siç janë ulematë dhe myftinjtë. Në botën myslimane nuk ekziston ndonjë autoritet qëndror që të prononcohet për problemet e besimit.

Xhamia

Xhamia është godina ku besimtarët myslimanë mblidhen posaçërisht për t’u lutur. Ajo shpesh herë zbukurohet me versete të Kuranit, të vizatuara ose të gdhendura në gur, por pa asnjë paraqitje figurative, sepse në fenë myslimane Zoti nuk mund të paraqitet. Vetëm fjalët e Tij mund të ilustrohen.

Në xhami hyhet në përgjithësi nga një oborr i madh, ku gjendet baseni për abdes. Në fakt çdo besimtar duhet të marrë abdes, pra të spërkatë me ujë duart, krahët, fytyrën, kokën e këmbët, që të pastrohet para se të shkojë për t’u lutur.

Mihrabi është një kthinë e vogël, shpesh herë e zbukuruar më së miri, e hapur në murin në fund të xhamisë. Ajo tregon kahun drejt Mekës, qyteti i parë i shënjtë i myslimanëve. Gjatë shërbesës fetare, besimtarët rrinë në radhë njëri prapa tjetrit dhe luten me fytyrën drejt Mihrabit. Para fillimit të lutjes besimtari duhet të pastrohet me ujë dhe të heqë këpucët. Kjo është shënjë respekti ndaj Zotit. Katër pozicione përdoren nga besimtari gjatë lutjes: qëndron më këmbë, përkulet deri përdhe (për të dëshmuar nënshtrimin ndaj vullnetit të Zotit). Në fund besimtari ulet dhe reciton formulat që shprehin të vërtetat themelore të Islamit.

Kremtimet e myslimanëve

Praktikat rituale, të kremtet, madje edhe jeta civile e Islamit, pra të gjitha janë të rregulluara sipas një kalendari të ndryshëm nga ai i vendeve të traditës së krishterë. Kalendari islam ka pikënisje vitin 622 të kalendarit të krishterë, datë që përkon me hexhirën, migrimin e Muhametit drejt qytetit Medinë.

Festat myslimane vazhdojnë njëra pas tjetrës gjatë dymbëdhjetë muajve të kalendarit dhe kanë, me përkëmbim, nga 29 dhe 30 ditë. Në kohën e muajit të Ramazanit kremtohet Nata e Fatit, Lailat-al-Kadr, që sjell në kujtesë Zbulimin e Kuranit, që e ka marrë Muhameti. E kremtja Id al-Fitr ose “Festa e Vogël” e mbyll me hare agjërimin e Ramazanit. Atë ditë njerëzit mblidhen në xhami për t’u lutur. Është një festë e gëzueshme dhe në çdo shtëpi ndahen ëmbëlsira e bëhen dhurata. Në fund të pelegrinazhit (haxhit) në Mekë zhvillohet “Festa e Deles”.

Pelegrinazhi (Haxhillëku) në Mekë

Muaji i fundit i vitit mysliman i kushtohet Pelegrinazhit në Mekë. Ky është Dhu l-Hixha ose muaji i Haxhillëkut. Siç e thamë, Meka është qyteti i parë i shënjtë i Islamit. Dy të tjerët janë Medina dhe Jerusalemi (i cili nga myslimanët quhet Al Kuds, “qyteti i shënjtë”). Në qëndër të qytetit Mekë gjendet Kaaba (Qabeja), ngrehina e vogël kubike, që është vendi më i shënjtë i Islamit.

Sipas disave, Guri i Zi që mban brenda Qabeja është sjellë nga Parajsa prej Adamit (Ademit) dhe është vendosur në sanktuar nga Ibrahimi (Abrahami) e nga i biri, Ismaili. Sot Qabeja, e mbuluar nga pëlhura të zeza, është qëndra e Pelegrinazhit. Para se të nisë Pelegrinazhi (njëri nga pesë detyrimet e çdo myslimani), besimtari duhet të vishet me dy copa prej stofe të bardhë të paqepura. Riti kryesor është rrethrrotullimi shtatë herë i Qabesë, duke u nisur nga Guri i Zi dhe duke vazhduar djathtas. Sa herë kalojnë para gurit të shënjtë, besimtarët e puthin, e prekin ose e përshëndesin me dorë. Pelegrinazhi u jep rastin myslimanëve të të gjitha vendeve të botës që të luten së bashku.

Ai mbyllet me “Festën e Madhe” Id-al-adha (në vendet e Magrebit Aid-el-Kebir), e cila quhet edhe “E Kremtja e Flijimeve” ose “E Kremtja e Deles”.

Ndërkohë që në Mekë zhvillohet Pelegrinazhi, myslimanët e kremtojnë këtë ditë në vise të tjera të botës. Çdo familje ther një kafshë, në përgjithësi dele, në kujtim të kafshës që Abrahami (Ibrahimi) e flijoi në vend të të birit. Mishi duhet të ndahet në pjesëtarët e familjes, në fqinjët dhe në të varfërit.


15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page