top of page

THASHETHEME TË VËRTETA


Vullnet Mato

THASHETHEME TË VËRTETA

Tregim

Amela ishte një mësuese simpatike, topolake dhe buzagaze, që po u afrohej të tridhjetave. Kishte kaluar një adoleshencë dhe rini me plot variacione argëtuese, e shoqëruar me shumë djem të shkollës së mesme të kulturës, ku njihej me epitetin “Beci i befotrofit.” Liria e pakufizuar, nga mungesa e familjes, kishte bërë që dy vitet e fundit të shkollës, ajo të kolaudonte kalibrat e disa djemve çapkënë. Në fund i mbeti në duar Seferit të asaj shkolle, që u detyrua të martohej me të e ta sillte në këtë qytet. Tani Amela lodhej mjaft me nxënësit e fillores dhe bënte një jetë të mbyllur shkollë-shtëpi. Duke përballuar edhe kujdesjet për dy fëmijët e vegjël. Por atë që bën nganjëherë rastësia shpëtimtare, nuk e bën asnjë përkrahje emancipuese për gruan. Gratë e mprehta, kanë nga natyra një shqisë të përsosur, për të dalluar burrat feministë. S’dihet se si asaj i kishte rënë në sy, që shoku Milto i kishte qejf gratë e bukura. Ndoshta diku vështrimi i tij kishte ngecur mbi të, më tepër se zakonisht. Amela me trurin prej femre me trille të guximshme, modeloi një mendim aventuror: Do të bënte një përçapje, për t’i kërkuar zgjerim shtëpie. Shkoi zuri radhë te paradhoma e sekretarit të shokut Milto, ditën e pritjes. Te kolltuku ku ishte ulur, kaloi dorën disa herë te flokët e krehur bukur e të llakuar në pjesët e shtruara. Drejtoi gjinjtë e rrumbullt brenda reçipetit. Tërhoqi çorapet e xhamit në këmbët e mbushura e të zbuluara deri sipër gjurit dhe drejtoi tegelat. Dhe ja, radha i erdhi shpejt. Trokiti dhe hyri në zyrë, me një buzagaz, të dridhshëm, sikur të shihte aty princin e të gjitha ëndrrave të saj të parealizuara. Dhe jo një burrë që i kishte lënë të pesëdhjetat, një kockëdalë në xigomatikë e në kyçet e duarve. Të cilit, i kishte ndritur fati në jetë, por i qe plakur gruaja para kohë nga poliartriti. -Urdhëroni, uluni! -i tha shoku Milto, duke ia ngjitur sytë në ato buzët e saj, që çuditërisht nuk reshtnin së përhapuri ëndje gazmore. -Oh, shumë faleminderit! – ngazëlleu Amela duke e mbajtur gjithnjë të mbërthyer me shigjetat e mprehta, që lëshonte pareshtur nga sytë e buzët. Ajo u ul fare pranë, përballë, duke i lënë dy gjunjët e rrumbullt pakëz të hapur, si dy pragje mermeri para derës së një thesari. Pastaj u përkul paksa, për të krijuar lirshmërinë e dekoltesë, të shquhej thellësia e gjinjve të saj, si dy mollë të bardha. -Po hë, ç’hall të detyroi të vish deri tek unë? -e pyeti ai, duke u ndjerë paksa i eksituar, jo vetëm nga paraqitja marramendëse e kësaj gruaje të re, por edhe nga parfumi i saj që e godiste direkt në flegrat e hundës duke i shpeshtuar frymëmarrjen. -Shoku Milto, po ju shprehem me shumë sinqeritet, se ndjej respektin më të thellë për ju dhe mezi e kam pritur këtë takim… - ia nisi ajo duke sajuar një zë femëror dridhmues, që dukej sikur vinte direkt nga parajsa. -Kisha përgatitur një kërkesë, nga ato që ju i keni dëgjuar shpesh. Por tani, duke parë respektin me të cilin më pritët, me thënë të drejtën, më vjen shumë rëndë t’ju marr kohën, aq të shtrenjtë, për problemet e mëdha të këtij rrethi… -Nga jeni ju? –kureshti shoku Milto. -Nga Memaliaj … -E, pra, se po më bëni përshtypje me këtë druajtje, kur disa të tjera, vijnë e qajnë këtu, aq sa bëhen të mërzitshme. Po hë, ma thoni problemin! – e nxiti ai dhe sytë e tij gri, me vizime të errëta, si dy vezë laraske, ranë befas në folenë midis gjinjve të saj. Këtë hutim të tij mbi gjoksin e saj, ajo e vuri re dhe bëri me shpinat e duarve një ngritje të gjinjve lart. -Faleminderit, njëqind herë faleminderit, por sot më vjen shumë zor. Do të vij një ditë tjetër! –tha me zë nanuritës, finokja e karremit për peshkimin e burrave dhe u bë gati të çohej. –Jo, jo, ma thuaj sot, se herë tjetër s’dihet kur bëj pritje, mund të lëviz!.. -Do ta gjej unë rastin! –tha ajo e ngritur në këmbë. Dhe instinktivisht hodhi një vështrim mbi divanin përballë, që mbanin në zyrë titullarët e që kthehej shpejt në shtrat. -Ulu e ma thuaj, se me këtë përjashtim që bën ti nga të tjerat, po nxitem të merrem posaçërisht me çështjen tënde! -ngulmoi shoku Milto. Amela i hodhi një vështrim përthithës, sikur drejtoi furçën e fshesës së korrentit në fytyrën e tij me plehurina pleqërie. -Mirë, atëherë dhe ju lutem të më falni, që e shtroj këtë kërkesë tek ju, kur e di që me strehimin merret komiteti i qytetit. Jam me një dhomë e kuzhinë të ngushtë. Mbase mund të bëhet gjë, për një dhomë zgjerim... Shoku Milto u step një grimë. E kundroi sërish me mjaft ngrohtësi gruan e re, që ishte dhënë shpirtërisht aq shpejt para tij. Dhe iu kujtua thënia, se kur një grua të shikon me sy të ndezur, të ka përgatitur edhe urën për të kaluar në pronat e saj. - Para se të gjej një zgjidhje për ju, më thoni cili është yt shoq?... -Seferi, që i bie fizarmonikës në shtëpinë e pionierit…- pohoi Amela me një druajtje të lehtë... Shoku Milto u mendua sërish. Fillimisht rrudhi pakëz buzët, mandej i lëshoi deri në zgjerim të plotë, sikur të kishte zbuluar diçka tepër të rëndësishme. -Më lindi një ide ! -tha ai befas. -Por realizimi i saj varet kryesisht prej teje… -Jam e gatshme për çdo gjë që thoni ju, shoku Milto. Sepse sot që u pashë nga afër, krijova një besim të shkëlqyer dhe simpati të veçantë… Tashmë u kuptua qartë, se një grua që i flet me këtë gjuhë një burri të huaj, tregon se hapi i parë është bërë prej saj. Shoku Milto u ndie tejet i kënaqur dhe lëshoi mbi të një vështrim mjaft përkëdhelës. -Shko sot dhe do të të thërres shpejt, pasi ta kem vënë punën në vijë!… Amela u ngrit, i dha dorën më të butë se pambuku, duke u përkulur në të dy anët e fytyrës së tij, me një përqafim erëkëndshëm. Faqet e saj të mëndafshta u mbështetën tërësisht mbi faqet e tij si lëvore lisi. Pastaj u kthye me një ecje të lehtë, gjatë së cilës, takat e holla krijonin vrima të përkohshme mbi moketin e trashë. Duke kundruar lëvizjet ritmike të vitheve të saj vogëlane, në beben e syrit larosh të shokut Milto u ndez tani një vështrim i paduruar, plot epsh. Shkulmi i gjakut që zemra i çoi atë çast në tru, e bëri të mendojë shumë gjëra. Por kryesorja ishte, se kjo grua e çuditshme e kishte eksituar si asnjë tjetër. Dhe mendoi se nuk do të kërkonte prej saj një kënaqësi të vogël në zyrën e rrezikuar. Duhej bërë diçka që të siguronte afrimit të saj tërësisht në krahët e tij. U mendua një copë herë dhe së fundi e gjeti. Do t’i jepte hyrjen përballë tij, për ta pasur gruan numër dy… Mirëpo kjo do të krijonte dyshime përgojimi në opinionin e qytetit… Ç’kërkonte aty një mësuese filloreje, sidomos e re dhe e bukur?… Atëherë, për të arritur deri aty, ajo topolake me sytë prush, së pari duhej ngritur në një nivel barazimi. Dhe vendosi që me anën e levave të veta, ta bënte kryetare të komitetit ekzekutiv të qytetit. Të vinte më pas në hyrjen përballë, si titullare, që duhej të banonte në apartamentin e kuadrove drejtues. Kjo ishte një zgjidhje ideale, e shkëlqyer dhe e mrekullueshme… Të nesërmen, ai e thirri Amelën në zyrë. Çastet e takimit të dytë ishin përfytyruar plot fantazi nga të dy. Sapo ajo la derën e mbështjellë me sfungjer pas krahëve të saj, shoku Milto doli nga vendi i zakonshëm. Dhe i priti me të dy duart të zgjatura, ato duart e saj vogëlane, që humbën mes panxhave të tij. Por krejt ndryshe nga ç’e mendonte ai, dora e saj e shtrëngoi fort dorën e tij të djathtë dhe me një dridhje të pazakonshme e afroi me dashuri mbi gjoksin e saj. Ky gjest femëror e bëri më të sigurt ecjen e mëtejshme të tij në rrugën e nisur... -Të thashë që do të të thërres sapo të vë punën në vijë. Po më përpara dua të marr edhe mendimin tënd. –ia nisi ai tejet i trazuar në ndjesitë e veta. -Kam menduar që përpara se ti të marrësh shtëpinë në apartamentin përballë meje, të emërohesh kryetare e komitetit ekzekutiv të qytetit. Kjo do të bëhet brenda javës së ardhshme, që është mbledhja e byrosë, ku do të vendosim për ty. Por të lutem, asnjë fjalë deri atë ditë! Di të mbash sekret ti?... -Fjalët e tua vdesin bashkë me mua! – u shpreh Amela e emocionuar dhe e puthi me afsh në të dy faqet... Atëherë ai i ktheu puthjen në faqe e më pas fare pranë buzëve. Por ajo i afroi vet buzët tek të tijat. Dhe për pak çaste, ata u thithën me pasion të shfrenuar. Sidomos shoku Milto po e rrufiste me një dridhje të ethshme, sikur do ta kapërdinte të tërën brenda vetes. Por sakaq, duke parë divanin aty pranë, ajo i tha me zë çuçuritës: -Të lutem jo këtu te divani, jo këtu!… -Jo, jo në asnjë mënyrë, -e përmblodhi veten ai, duke u shkëputur me keqardhje dhe nxori shaminë nga xhepi për të fshirë laparosjen nga buzëkuqi... Shoku Milto krejt i skuqur në fytyrë, u ndje atë çast nënvete i forcuar çuditërisht. Dhe shkoi u ul te kolltuku i tij, duke e vështruar Amelën ngultaz, me sy të skuqur nga epshi përvëlues.... Ditët erdhën shpejt dhe punët u mbaruan po aq shpejt. Komshiut veteran përballë, i dhanë shtëpi me tri dhoma në pallat të ri dhe shoqja Amela katapultoi në sfera ëndrrash. Kësisoj shoku Milto u bë me një grua të dytë, mjaft të këndshme dhe shumë trazimtare për dëshirat e tij të riaktivizuara me sukses, pas avarive me të shoqen. Nuk u besonte dot syve, kur filloi të mbante ngjitur te prehri, një topçe të vogël lakuriq, me të cilën nuk ndjente të ngopur. Në prani të saj, ai po rinohej. I uritur prej vitesh dhe me dëshirën për ta pasur Amelën topolake vetëm për vete, ai vendosi që Seferin e saj, ta çonte për një vit në Tiranë. Në kursin njëvjeçar të shkollës së partisë. Dhe ashtu u bë. Tani Seferi vinte në shtëpi një herë në dy javë të shtunave dhe ikte të hënën në mëngjes herët. Gjithë javën shoku Milto hapte derën përballë me çelësin e tij dhe lëshohej mbi Amelën si mbi mallin e vet, me eliksirin aq epshndjellës. Duke menduar padashur se po shkelte të gjitha rregullat për të shfrytëzuar trupin e kësaj “vogëlushje” të popullit në atë farë feje, për një çast ekuilibri i brendshëm i tij u trondit… Po fundja, ai s’kishte ardhur në këtë botë për të mbajtur vetëm peshën e rëndë të halleve të rrethit, por edhe peshën e saj të lehtë. E përse duhej të sprapsej prej saj? Për të vdekur përfundimisht si burrë?!... Në këta mijëra njerëz, nën urdhrat e tij, duhet të kishte edhe nga ato që viheshin nën dëshirat e tij prej burri. Sakaq e zbrazi kokën paksa nga brerjet e ndërgjegjes. Kështu pak nga pak ai e vuri plotësisht nën sundimin e vet. Por edhe ajo e vuri pothuaj tërësisht nën pushtetin e saj. Shoku Milto firmoste herë pas here emërimet, strehimet dhe ngritjet në përgjegjësi që i diktonte ajo... Por, duke vënë re afrimet e shpeshta të tyre, filloi të qarkullonte murmurima, se punët shkonin për dreq, për shkak se partia ia hipte pushtetit si pa të keq. Megjithatë, në vlerësim të fundit, këto fjalë merreshin, si thashetheme të një vendbanimi provincial... Por ndodhi një e papritur që i ktheu të gjitha hamendjet në të vërteta. Pikërisht një mesnatë fatkeqe, kur shoku Milto dhe shoqja Amela, zhgërryheshin në shtratin e martesës së Seferit, atij iu tek të vinte në shtëpi në mes të javës. Trokiti gjatë te dera. Thirri disa herë: “Amela, hape moj, hape se jam unë, Seferi!“ Por ata nuk mund ta hapnin kurrsesi… Kati i tretë ishte tejet i lartë dhe shoku Milto nuk ishte i stërvitur për kërcime akrobatike. Seferi doli jashtë dhe thirri në drejtim të dritares, sa u zgjuan disa nga komshinjtë. Ata diçka kuptuan, por nuk ua mbante të hynin në atë lojë nate, kur ajo bënte sikur s’dëgjonte. Më pas Seferi shkoi në hotel dhe zgjoi sportelistin. I habitur pa masë, ai e strehoi në një dhomë dhe të nesërmen u tregoi nën zë miqve të ngushtë “xhevahirin” e asaj nate. Lajmi sensacional shkoi gojë pas goje në të gjithë qytetin e vogël... Të nesërmen para dite shoku Milto dërgoi nëpunësin e paradhomës dhe e thirri Seferin në zyrë. -Pse vjen në mes të natës dhe ngre pallatin në këmbë, more njeri i çuditshëm, ç’borxh ta kemi? -e priti me këmbët e para... -Më fal shoku Milto, po u prish makina në Kërrabë dhe shoferi mezi e rregulloi… -Pavarësisht, ti duhej ta kishe gjetur që në fillim rrugën e hotelit, jo të trokisje aq vonë, sa të alarmohej i tërë qyteti... Shko tani dhe mos e përsërit herë tjetër!... -Si urdhëron, shoku Milto dhe ju lutem të më falni, kjo nuk do të ndodhë më kurrë… Për atë “gabim të pafalshëm”, që bëri burri butaforik i Amelës, kur mbaroi kursin, u caktua instruktor partie në zonën më të largët të rrethit, për t’u kthyer vetëm të shtunave në shtëpi. Ndërkohë, shoku Milto vijoi të shijonte kënaqësinë e madhe të thesarit të Amelës, pa bërë fare llogari, se çdo ditë humbte në mënyrë fatale vetveten, duke përfunduar në lolo. Aq sa njerëzve u dukej tani, si një gjel i rrjepur, me zë të ngjirur. Dhe thonë pastaj se në vendbanimet provinciale ka thashetheme!…

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page