top of page

THANAS GJIKA, SHKRIMTARI QË EDHE ATJE LARG, JETON ME HALLET E ATDHEUT TË TIJ


SHPENDI TOPOLLAJ


THANAS GJIKA, SHKRIMTARI QË EDHE ATJE LARG, JETON ME HALLET

E ATDHEUT TË TIJ


Në vitin 2000, në krye të një shkrimit tim te libri me kritika letrare të quajtur “Jemi vëllezër”, shkruaja: “Duke komentuar urdhrin që mori Oresti nga Hyu Apollon që të hakmerrej për vrasjen e të atit, Janis Benekos thotë: “Larja e krimit ishte një ligj i patundur te grekët e lashtë. Në se të liqtë mbeteshin pa u ndëshkuar, atëherë e keqja do të shumohej dhe shoqëria do të shkatërrohej”. Edhe pse mesazhi që dhanë rreth kësaj teme në tragjeditë e tyre Eskili, Sofokliu, Euripidi e deri Gëtja qe i qartë, duket se shoqëria njerëzore ende nuk ka nxjerrë mësime, e ca më shumë nga të gjithë, ne shqiptarët. Them ne shqiptarët, pasi këtu nuk qe problemi sentimental, te tradhtia e Klitemnestrës me Egjistin që vranë Agamemnonin dhe as te hakmarrja e djalit të tij, se fundja nuk qe asgjë më shumë se material për skenat teatrore, por ishte diçka shumë më makabre e më mizore; llahtari e mjerimi që komunizmi enverian i shkaktoi një populli të tërë.


Thanas Gjika

Dhe ç`është më e keqja, ai krim ka ndërruar formë dhe vazhdon edhe sot me kthimin nostalgjik në ato reminishenca që vetëm pena e mprehtë e Dante Aligerit mund t`i përshkruajë. Se nuk ka sesi shpjegohet tjetërsoj, heshtja dhe harrimi, për të mos thënë dhe tallja me gjoja ngritjen e furtunave në gotën e ujit me fushata spektakolare demaskimi krimesh, me çelje dosjesh apo me ndëshkime xhelatësh, derisa durimi të fashitet. Kjo situatë aspak e pëlqyeshme, shpërfaqet aktualisht në një pafundësi zhvillimesh të trishtuara, dhe e tillë paraqitet edhe te libri i Prof. Asc. Dr. Thanas Gjikës “Ecja drejt së djathtës dëshmi morale dhe mençurie”, botim i Sh. B. Jozef. Ajo që të bën përshtypje, është fakti se qysh nga viti 1996, ku autor, jeton në Amerikë dhe ndjek me mjaft interes ecurinë e ngjarjeve politike të atdheut tonë. Po ta shohësh nga një anë, gjithkush mund të pyesë: po ky korçari pse e mundon veten kaq shumë, kur familjarisht nuk i mungon gjë? Mirëpo, ai që ndjek krijimtarinë e tij letrare, kryesisht në puliçistikë, si letërsi shoqërore - politike dhe shkencore që trajton çështjet e jetës së shtetit dhe të shoqërisë, të përmbledhura në disa libra, do konstatojë se një intelektual i përgjegjshëm, edhe në hënë po të jetë, sytë e mendjes dhe të zemrës te vendlindja e tij do t`i ketë. Atdheu gjithmonë të ndjek pas si hije, fati i tij të preokupon; gëzohesh e ngazëllehesh nga të mirat dhe sukseset e tij, madje ndihesh dhe krenar, por dhe hidhërohesh pa masë, kur sheh se gjëra thelbësore, si ngritja e strukturës demokratike, nga mungesa e së cilës kemi vuajtur, shkon keq. Intelektuali dhe sidomos shkrimtari e historiani në analizat e tyre, pa tjetër që kërkojnë shkaqet e dukurive negative. Këndvështrimet mund të jenë të ndryshme, ashtu sikurse të gjithë mund të kenë të drejtë. Por ata gjithashtu mund të kenë mjaft pika takimi. Thanasi, mesa duket e gjen shkakun e mosrealizimit të pritshmërive tek ajo që përmenda pak më lart; pra, te mos ndëshkimi i krimit. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse ai është marrë gjatë e gjerë me këtë temë edhe te librat e mëparshëm të tij. Edhe pse ka një bosht të mirëmenduar, ky libër përfshin kujtime, kritika letrare, opinione rreth çështjes kombëtare, marrëdhëniet me të tjerët e deri studime serioze të karakterit mirëfilli religjioz e historik. Natyrisht, këto veç të tjerash, janë dhe tregues i formatit të plotë kulturor të tij, i një përvoje jo të vogël, sidomos i bindjeve të tij demokratike, por edhe i kurajës qytetare të tij. Qënia e tij në ShBA një nga vendet me liri dhe demokraci të konsoliduar, nga ana tjetër, i ka çelur atij horizonte të reja për një përfytyrim të drejtë të atyre që ai parashtron, dhe shoqëria jonë aspironte. Ai, në trajtesat e tij ka zgjedhur krijimtarinë dhe jetën e atyre që provuan tmerret e burgjeve komuniste si Sami Repishti, Jozef Lazër Radi, Visar Zhiti, Dini Martiko, Musine Kokolari, Shpëtim Pollozhanit etj. I sheh ata si përfaqsues nga më dinjitozët e të burgosurve politikë. Duke folur për burgologjinë e Zhitit të cilin me të drejtë e quan të denjë për çmimin Nobel, ai përsërit refrenin “Edhe sot dola gjallë”, si te libri i Varllam Shallamovit, dhe si paracaktim nga fati për letrat shqipe. Thanasi, ndien dhembje për atë që ngjau me ata. Shumë vite më parë, teksa shfaqja po këtë simpati për vlerat e mëdha artistike dhe njohëse të “Rrugët e ferrit”, pata shkruar: “Për nga krimet që bënë tiranët që përdhosën jetën e Visar Zhitit e shokëve të tij, duke mos i lënë gjë mangut Krum Hanit të Bullgarisë i cili me kafkën e larë në argjend të Nikeforosit të parë të Bizantit, ngrinte dolli me bojarët e tij, nuk duhet pritur që të kërkojnë falje për gjithë sa bënë. Dostojevski dikur ka thënë: “Njeriu dhe qytetari vdesin në qënien e tiranit, është krejt e pamundur që ky t`ia kthejë vetes dinjitetin njerëzor, pendesa nuk gjen strehë në shpirtin e tij”. Dhe pavarësisht kësaj, shkrimtari Thanas Gjika ka bindjen se diptiku i këtij autori është “vepër e barabitshme me të gjitha kryeveprat botërore”. Dhe si e tillë, ajo me stigmatat e saj vlen shumë më tepër se ç`do pendesë. E fundja ç`vlen pendesa, kur autori i nëntëdhjetë tragjedive antike thosh se: “gjithë ujët e lumenjve nuk do ta lante dot dorën e përgjakur të vrasësit”. I gjithë preokupimi i autorit të këtij libri është ajo që po ngjet sot dhe si do jetë perspektiva në të ardhmen. Ndaj ai e përshëndet jo vetëm ndërgjegjësimin e të burgosurve politikë nga leximi i kryeveprave botërore, por edhe nga që ata iu futën përkthimit të tyre, gjë që e panë “si mision për të ndihmuar në ringritjen morale e shpirtërore të popullit shqiptar”. Duke ruajtur arsyen e ftohtë, Thanasi shpreh mirënjohjen e tij edhe për ata shkrimtarë që tani kapërcyen mbi veten dhe krijuan vepra letrare me frymë demokratike dhe mjaft kritike ndaj diktaturës. Të tillë, ai e portretizon fjala vjen të nderuarin Luan Rama, autorin e mbi 50 librave. Dhe ndihet i lumtur teksa shkruan kujtimet e tij nga takimet, qofshin ato dhe rastësore, me poetin tonë të shquar Lasgush Poradecin, të cilin na e konfiguron me vërtetësi, deri tek ato kapriçiot e zakonet, si fjala vjen trokitja me shkop në derën e mikut, që s`ishin tjetër, veçse sfida ndaj sistemit që e kishte lënë këtë gjeni në hije. Në libër ai ka përfshirë shkurtimisht kujtimet, ku del respekti i pandryshuar për mësuesit e tij dhe mbi të gjitha dashuria e pamatë për Kosovën e Çamërinë, mirënjohja për gjithësa bëri NATO me SHBA në krye për shporrjen e kriminielëve timurlengas serbë. Lajtmotivi i tij është ai i profesorit shqiptar të burgosur në burgjet e Strugës, Ohrit, Idrizovës, e Kotorrit i cili thotë: “Ne shqiptarëve nuk na janë dashur dhe nuk na duhen disa atdhe, na është dashur dhe na duhet vetëm një atdhe dhe atë e kemi, Shqipërinë”. Kurse, përsa i përket shkrimit të gjatë “Kur, ku dhe kush e shkroi Dhiatën e re?” dhe lidhja që kanë pasur Pali (në Lisus) dhe Luka që vdiq në Tebë, me vendin tonë, duhet thënë se kemi të bëjmë me një studim të rrallëndeshur, ç`ka dëshmon erudicionin e këtij autori i cili fare mirë, me të mund të mbronte ç`do lloj disertacioni para ç`do trupe akademike. Ai aty nuk predikon, por duke bërë histori, pra duke deduktuar me fakte dhe të vërteta historike, i bën një shërbim të shquar edhe vetë krishterimit. Si për ta plotësuar tablonë e mozaikut të këtij libri, Thanasi ka përfshirë edhe letrat me njerëz të nderuar dhe shpesh me mendime të kundërta, por që dinë të polemizojnë me edukatë dhe të mbesin miq të mirë. I tillë është fjala vjen, gjykimi për Kadarenë dhe veprën e tij në letërkëmbimin me Lek Pervizin, ku ky i fundit, ka arsyet e veta ta quaj Nderin e Kombit, Kadarenë, shkrimtar që i shërbeu diktaturës. Gjithkush ka të drejtë të mendojë si do, por unë që e kam njohur herët, përsëris atë që e kam thënë edhe në ndonjë rast tjetër dhe sidomos te libri im “Kur qesh e qan Kadareja”, se ai asnjëherë nuk e ka dashur komunizmin, gjë që e konfirmon edhe Visari te burgologjia e tij, duke thënë se ne mezi e prisnim librin e ri të Ismailit për ta lexuar mes rreshtave, ku mësonim se ç`ngjiste jashtë. Edhe vendosja e vlerësimeve dhe konsideratave të intelektualëve të respektuar për vetë Thanasin dhe veprat e tij, është diçka e gjetur mirë. Është plotësisht e vërtetë kritika që bëhet se shteti ynë e sidomos MPJ nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve kudo që ata ndodhen, por ka një frazë në libër, te letra e datës 2 shtator 2017 ku thuhet: “Nuk e kuptoj, nëse largimi nga jeta i njerëzve të talentuar e të përkushtuar ndaj demokracisë si Teodor Keko, Sokol Olldashi, Atjon Zhiti, etj. është e rastësishme apo pasojë e një veprimi të ndërgjegjshëm të një force antishqiptare”, për të cilën them se mund të shmangej. Mund të shmangej, se sjell dyshime të kota, pasi sëmundje dhe aksidente ka pasur dhe do të ketë në jetë të jetëve, dhe për këto nuk mund të thuash se janë të kudisura. Se edhe po të ishin mes nesh të gjallë ata njerëz të mirë por fatkeqë dhe me vlera, përsëri Shqipëria dhe demokracia jonë, po kështu do të ishin. Për ne, rëndësi ka fakti që libra të tillë e ndihmojnë saktësimin e historisë, pasi është ashtu sikundër thotë Sauthgejti se “Një arsye që e studiojmë historinë është dhe bindja se ajo që ka ndodhur në të kaluarën, mund të ndodhë përsëri, që të njëjtat shkaqe, mund të japin po ato përfundime dhe se një njohje e ngjarjeve të së kaluarës, mund t`u shërbejë njerëzve pa përvojë të manovrojnë në problemet që mund t`u paraqesë e ardhmja”. Tani që po rishkruhet historia jonë, thuajse nga po ata autorë, me të drejtë kanë lindur shumë pikëpyetje, të cilat duken edhe te miku ynë Thanas Gjika, i cili patjetër e di atë përgjigjen e atij francezit të mençur që kur e pyetën se kush e ka ndryshuar më shumë historinë, Çezari apo Napoleoni, u përgjigj: historinë e kanë ndryshuar më shumë historianët. Urime i dashur Thanas, dhe ashtu siç e thotë edhe emri yt, të bëhesh i pavdekshëm me vepra të tjera në mbrojte të të drejtave njerëzore, të lirisë, demokracisë dhe interesit tonë kombëtar. Për një gjë të jesh i sigurtë: se Hyjneshat e Hakmarrjes, Erinitë një ditë do të lodhen duke ndjekur Orestin dhe do ta humbasin gjyqin me të, pasi aeropagu i shpagës popullore do zgjohet një herë nga marrëzia e letargjisë.

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page