top of page

Thanas Gjika: DËMET E MENTALITETIT ...



 

DËMET E MENTALITETIT BAJRAKTAR DHE KOMUNISTT

(Shenim)

         Në vitin 1992 mbi 75 përqind e popullit shqiptar ia dha votën partive opozitare. Ky rezultat  tregoi se populli ishte i pakënaqur nga jeta nën regjimin komunist dhe përkrahësit e Partisë Socialiste fituan më pak se 25 përqind, pra kjo parti në mars 1992 kishte si elektorat pakicën e popullit, vetëm ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që ishin përlyer me krime dhe kishin përfituar dukshëm prej ish-regjimit diktatorial.

         Mirëpo në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më pas ky raport ka ndërruar në mënyrë drastike kundër partive të së djathtës, të cilat nuk kanë marrë më shumë se 40 përqind të elektoratit. Thjesht dhe shkoqur, kjo do të thotë se partitë e së djathtës nuk kanë ditur të menazhojnë elektoratin e Shqipërisë.

         Udhëheqësit e partive të djathta që erdhën në pushtet në mars të vitit 1992 u vetëkënaqën, menduan se e kishin me vete një herë e përgjithmonë shumicën e popullit shqiptar. Nuk iu futën seriozisht punës për të konsoliduar elektoratin e tyre, nuk punuan për të brumosur veten dhe mbarë popullin me mentalitetin e ri demokratik. Duke qenë se shumica e udhëheqësve të partive të djathta, por dhe të partive të majta shqiptare, ishin bij të familjeve me origjinë fshatare provinciale, të lidhura para vitit 1992 me pushtetin komunist, në mentalitetin e tyre sundonin mendësitë e vjetra: bindmu dhe mbështetmë mua se unë të siguroj jetën, kush nuk mendon si unë është armiku im.

         Pushtetarët e së djathtës, të kënaqur nga fitorja e zgjedhjeve dhe duke pasur të tilla dobësi në mentalitetin e tyre, filluan të mos i zbatonin me rigorozitet ligjet e shtetit të ri, që krijuan, nuk jepnin sa e si duhej shembuj se çdo qeveritar ishte i barabartë përpara ligjit si çdo qytetat tjetër. Hatërllëku, akraballëku dhe rushfeti morën përmasa të papara.

         Në gazetat e së djathtës dhe në ato të së majtës u ushqye si më parë lufta e klasave. U mbush shtypi me sharje e fyerje. Gazetat “Rilindja Demokratike”, “Republika”, etj shanin e kritikonin me fakte e pa fakte anëtarët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste. Po ashtu gazeta “Zëri i Popollit” shante e fyente me të drejtë e pa të drejtë, madje dhe shpifte kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të Partive të së djathtës.

         Në këtë situatë jo demokratike, në këtë situatë lufte klasash, kuptohet se përfitoi Partia Socialiste për të mbledhur rreth vetes gjithë ish-anëtarët dhe simpatizantët e dikurshëm të Partisë së Punës. Shumë njerëz që kishin votuar për partitë e së djathtës u trembën nga kjo luftë. Gazeta “Zëri i Popullit” dhe agjitatorët e Partisë Socialiste filluan t'i trembin e tu thoshin: “Ju nuk e keni vendin tek elektorati i djathtë, atje sundojnë ballistët dhe kuislingët, kriminelët e Luftës Antifashiste. Ata ju duan sa për votë, një ditë do t'ju dënojnë, etj”.

         Nga ana tjetër partitë e së djathtës nuk krijuan ligje për dënimin e krimeve të komunizmit, nuk ua kthyen pronat pronarëve të vërtetë. Historianë, me përjashtime të pakta, nuk punuan seriozisht për të sqaruar me studime objektive se pse shumica e ballistëve u detyruan të gabonin, të lidheshin me pushtuaesin gjerman pasi Partia Komuniste nën presionin e Miladin Popovicit e Dusahn Mugoshës e mohoi Marrëveshjen e Mukjes (gusht 1943) dhe e shpalli Ballin tradhëtar. Po ashtu historianët nuk sqaruan se disa atdhetarë  të mirënjohur u detyruan të gabonin duke marrë pjesë në qeveritë shqiptare që krijuan pushtuesit italo-gjermanë jo se ishin tradhëtarë, por për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej në rrethanat e pushtimit, etj. Këto probleme ende nuk janë kthjelluar si duhet duke vënë interesat kombëtare mbi ato politike partiake. 

         Ndonjë historian me bindje komuniste vijon ende t'i fryjë luftës së klasave duke thirrur në Televizionin Shteteror Shqiptar se demokratët kërkojnë: “Tu pritet koka atyre që kanë jetuar në komunizëm”, shpifje monstruoze që nuk e ka thënë ose shkruar asnje demokrat. Ky historian harron se në vitet e tranzicionit nuk u ënua fare, madje nga profesor u emërua akademik...

         Natyrisht fajin kryesor e kanë udhëheqësit numër një të dy partive të mëdha, të cilët e ushqyen luftën e klasave dhe bajraktarizmin në radhët e anëtarëve të partive e të pushtetit dhe krijuan oligarkët, që sundojnë sot ekonominë dhe politikën e vendit.

         Për të mirën e kombit shqiptar, kjo situatë mentaliteti duhet shkatërruar sa më parë. Nga ana e saj opozita shqiptare duhet të riorganizohet duke bashkuar në gjirin e vet gjithë partitë e së djathtës, pavarësisht nga diferencat e nuancat. Partia demokratike e bashkuar ka për detyrë të bëjë brenda saj zgjedhje të reja dhe të dalë me një platformë të qartë ekonomike e politike ku mund të gjejë plotësimin e nevojave të veta shumica e popullit shqiptar. Po ashtu dhe Partia Socialiste ka nevojë për rigjenerim e jo thjesht për shtimin e radhëve me kuadër të ri, por pasurim me mentalitet të ri demokratik të anëtarëve të vet.

         Mentaliteti i luftës së klasave i kamufluar si luftë partike e ka shpënë popullin shqiptar në përcarje e amiqësi. Një shqiptar anëtar i Partisë Demokratike, ose simpatizant i saj, e shikon dhe e quan shqiptarin me bindje socialiste si armik të papajtueshëm. Po ashtu dhe një shqiptar anëtar i Partisë Socialiste ose simpatizant i saj e quan dhe e trajton si armik të vetin. Nuk pranojnë të bashkëpunojnë, të diskutojnë e as të pijnë kafe në një tavolinë. Me një fjalë janv ende provincialë, patriarkalë, vuajnë nga mentaliteti bajraktar e komunist, ndryshe nga qytatarët e botës sV zhvilluar demokratike.     Në vendet demokratike të botës euro-atlantike, ku jetoj prej 28 vjetësh, partitë, kryetarët dhe anëtarët e tyre nuk nxitin urrejtje ndaj partive, kryetarëve dhe anëtarëve të partive të tjera. Secili ecën sipas programit të partisë së vet. Gjatë votimit populli zgjedh këtë ose atë kandidat duke u nisur nga programi që ai përfaqëson dhe jo nga fakti se çfarë pasurie, çfarë shkollimi ka, a është miku im, etj.

         Në këtë fushë rol të rëndësishëm mund të luajnë gazetarët e opinionistët tanë, të cilët për fat të keq shumica deri sot i kanë shërbyer përcarjes që ushqenin partitë politike...

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page