
Esat Mekuli: Nexhmija është kjo – Bilbili i Kosovës, bilbili i këngës sonë.
Rexhep Munishi: Nexhmije Pagarusha për së gjalli po I përjeton dy jetë: atë derisa ishte në skenën e këngës dhe muzikës dhe atë pas ndërprerjes së këndimit aktiv. Ajo I përjetoi dy kënaqësi që janë privilegj i ruajtur vetëm për njerëzit e mëdhenj. Sa këndonte, e adhuruan! Kur pushoi së kënduari, nuk e harruan! Këngëtare si Nexhmija vështirë se do të përsëritet në skenat shqiptare. Vështirë të përsëritet një cilësi zëri e dhunti muzikore që ka ajo. Për të do të ketë gjithmonë shumëçka të themi. Për një gjysmë shekulli ishin të kënaqur të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e dëgjuan, ata që patën miqësi me të dhe të lumtur janë ata që i takuan kohës së saj, kohës së shënuar me zërin e Nexhmije Pagarushës.
Kristë Lekaj: E kemi quajtur “Bilbili i Kosovës”, por ajo në të vërtetë ishte Kosova vetë! I falënderohem Zotit që kam punuar me të, se prej saj kam mësuar shumë. Nexhmija është Nexhmije! Është këngëtare që lind vetëm një herë.
Avni Mula: Në Shqipëri la mbresë të jashtëzakonshme, jo vetëm pse këndoi mirë, po u tregoi edhe atyre artistëve tanë shqiptarë, të Tiranës, të Shkodrës dhe të gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë, u dha një mësim se si duhet të këndohet kënga popullore, si duhet të interpretohet kënga popullore, çfarë koloriti duhet të ketë kënga popullore. Ajo mbetet një ndër këngëtaret më të shkëlqyeshme të mbarë Shqipërisë jo vetëm të Kosovës.
Ardit Gjebrea: Është një ndër kujtimet më të bukura të jetës time dueti që kam kënduar me Nexhmijen. Po të mos jesh njeri i madh, nuk mund të jesh artiste e madhe. Them se janë pak ata artistë që janë vërtet artistë dhe që e meritojnë këtë fjalë. Nuk është thjesht artiste e skenës, është artiste njeri, është artiste në shpirt. Të gjithë ne shqiptarët duhet të jemi të lumtur që ekziston fenomeni Nexhmije Pagarusha.
Ymer Shkreli: Nexhmije Pagarusha është institucioni ynë i lartë muzikor, akademia jonë e vetme muzikore, opera jonë e vetme, muzeu ynë i vetëm etnografik, monumenti ynë i vetëm folklorik-e megjithatë nuk ishte dhe nuk është nën mbrojtjen e shoqërisë si disa kisha e xhami. Fundja, në mungesë të tempullit të kulturës e kemi Nexhmijen, në mungesë të filarmonisë e kemi Nexhmijen, në mungesë të galerisë e kemi Nexhmijen.
Lutfi Turkeshi: Ajo përmes dritës artistike ndriçoi brendshëm visarin e pashtershëm tradicional. Në mënyrë spontane Nexhmija bën përpjekje “orfeane” për të mishëruar këngën e vet me traditën gjithëshqiptare.
Naim Krasniqi: Kur bëhet fjalë për Nexhmije Pagarushën është shumë vështirë të gjenden fjalë dhe të themi atë që duam të themi. Posaçërisht kur sot fjalët kanë filluar ta humbin kuptimin e vet, me që shumë artistë shumë këngëtarë ,shumë prezantues prezantojnë vetveten dhe kolegët e tyre me fjalë shumë të mëdha pompoze siç janë : I madhi ky dhe e madhja ajo, i madhërishmi ky. Fjalët kuptim të njëmendët kanë vetëm atëherë kur flasim për Nexhmije Pagarushën. Ishte dhe do të mbetet bilbili i këngës shqipe. Një bilbil që zoti ia dhuroi zërin më të bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Unë për veten time kur kam dëgjuar këngët e Nexhmijës, kam qenë fare i vogël dhe jam rritur me këngën e saj. Tani kur merrem me muzikë në mënyrë profesionale, kur kam mundësi që të analizoj punën dhe veprën e Nexhmijës, mrekullohem me aftësitë e saja interpretuese, me shpirtin e saj artistik. Kam pasur kënaqësinë dhe nderin para 15 vjetësh të kompozoj një këngë. Ishte kjo një dhuratë e vogël të cilën unë kam mundë t’ia dhuroj Nexhmijes. Ka qenë kjo kënga “Nexhi” e kompozuar me tekst të Hivzi Krasniqit. Do të kalojnë edhe shumë vite e dekada që të lindë përsëri një këngëtare e kalibrit të Nexhmijes. Këngëtarët e kanë idol Nexhmijen dhe kënaqësia më e madhe për ta është kur dikush u thotë se po kënduake si Nexhmija. Kurse për ata që i japin vetes detyrë që të shkojnë rrugës së Nexhmijes do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë nivelin e saj. Kur dëgjojmë të provojë ta imitojë dikush Nexhmijen, dëgjojmë të thonë : Kjo këngëtare po mundohet të këndojë si Nexhmija, por nuk thonë se kënduaka si Nexhmija. Kjo, sepse Nexhmija është e pazëvendësueshme.
Ilir Shaqiri: E kam thënë edhe disa herë përpara se Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Hysni Zela etj. kanë qenë shkollë e pashmangshme për këngëtarët e gjeneratës time. Është kënaqësi për mua dhe gjeneratat që vijnë që kanë pasur një udhërrëfyes, një zë të mrekullueshëm prej të cilit në çdo kohë dhe në çdo moment njeriu mund të mësojë gjithçka në rrugën artistike që do ta ndjekë më pasur. Unë kam mësuar shumë nga Nexhmije Pagarusha dhe kam çka të mësoj akoma.
Fahredin Gunga
Pas Klithmës
(Nexhmije Pagarushës)
Kështu është krijuar bota:
Merre një zemër e hape
E sheh një copë diell e një tingull
E pastaj, le të lind një klithmë
Lere të qetë se ajo jeton vet
Që then dry e sy
Gjeje fundin e botës
Diku në mes klithmës e lutjes
Për çudi
Lindi i pastër si bulëz e dhimbjes
Si psherëtimë e lindjes
Vetëm për fundin e botës.
Kështu u krijua bota.
Din Mehmeti
KËNGËS I DOLËN FLATRAT
(Nexhmije Pagarushës)
këndoi e këndoi
derisa u shndërrua në këngë
dashuria për jetë
ia mori zërin
këndoi e këndoi
derisa shkundi shkrumbin
e shpirtit të vet
derisa bulëzuan pranverat
në zemrat e njerëzve
këngës i dolën flatrat
ajo tash fluturon
mbi të gjitha fatkeqësitë
vdekja s’ka c’ t’i bëjë...
Adem Istrefi
P A G A R U SH A
Këndona ti, këndona ti
Shpirt i kangës-Pagarusha!
Fiu-fiu fishkëllen era...
Në livadhin e gjelbër s’vallëzojnë lulet
Dhe shkunden gjethet,përtypen vjeshtat
Dhe thërret kanga ma zanin e saj:
“Digju,digju në shpirtin tim...”
e lehtë e si era rrëshqet kanga nëpër bar
dhe lahet bari në vesën e saj
dhe këndon era këngën e saj.
“S’ më lanë lotët djalë me të pa ty...”
tufa-tufa mblidhen cikat
tufa-tufa shpërndahen cikat.
Oj zhang-zhing kërkëllima e zingjirëve
Shkundet udhëve
Oj zhang-zhing zani i tyne lidhet nyje
Dhe digjet kanga në shpirtin e tyne.
(Atje,në qoshe të rrugës,të pështynë Nexhmije.
Atje në qoshe të rrugës,të gjuajtën me gurë.
Dhe re nën mjegull,nën shqelmat e zij. Mjekrra
E një hoxhe të rrinte mbi krye. Dora e tij të
Gjuente me gurë. E syni gjak lagej në shi.
E zani gjak klithte në shi:
Copa –copa do të këndoj.)
Kaq shi pikëllimi s’pat asnji re.
Udhëve me shi u rrit kjo këngë
Si lis në shkamb e gjethegjelbër.
Këndona ti,këndona ti
Shpirt i kangës Pagarusha!
“Digju, digju në shpirtin tim”
krejt u dogja në shpirtin tand.
Shpirt i kangës Pagarusha.
Mirko Gashi
VOX,
VOCIS
Plimi i bilbilave të fishkur
Lulëzon
Sirenat-harpitë
Kupin si kokrra e kripës
Në zjarr
Odiseu
Nga veshët heq dyllin
Me frymë
Bariu mbush fyellin
Enriko Karuzo e Zhyliet Greko
Heqin dorë nga koncertet e veta
Ima Sumak harron
Prejardhjen e vet mbretërore
E shikon
Fluturimin e kondorit
Në bebëzat e mia
Ngjallën
Ibis dhe papa avis
Në pyll
Klyshët e vet i harron arusha
Se ia thotë këngës
Nexhmije Pagarusha
Mevlyde Saraci
NEXHMIE PAGARUSHA
Bukuri
Që flen në shpirt
Mbretëreshë e këngës
Zëri yt i ëmbël
Zë bilbili
Ti je
Fllad’ i pranverës
Dashuri
Zë i rrallë
Në trojet tona
Këndo
Nexhmie
Siç të këndon zemra
Rrënjë lashtësie
Ti histori
E gjallë
Ti
Rreze dielli
Sy shqiponjë
Një jetë e tërë
Me mikrofon
Në dorë
Ti
Këndove
Me dashuri
Për t’i forcuar
Rrënjët
E lashtësisë
Edi Shukriu
BARESHA E THANËS
Nexhmije Pagarushës
1. (Erë e malit djepin përkundte)
Në mjegullirën e lartësive
Kreshtat e Pagarushës ndjenin
Në prehër një lindje mbanin
Erë e malit djepin përkundte
Pranë vatrës foshnja
Ninula vetes i këndonte
E
Në prag të njohjes
Mësuesi me shkronja në zemër
E peshë mbi supe
C’ është dashuria mësonte
Historinë e Pagarushës
Bilbilat e nisën
Këmbëzbathur shpatijeve
Me rritën e gërshetave
Zambakët e Prizrenit u gërshetuan
E kalaja jehonën
E zuri në gji
2.(Trete në ne)
këngë
trete në ne
nga ne vrujon jehonë
si
aromë dheu kosovar
ah flladitës në fushën mall
mbarsur
gurgullimë burimi që mikëlon thellësitë
dhe çon peshë shekujt
ngjitesh Bjeshkëve të Nemuna
me plakun që ruan kohët e kulçedrave
zbret në mriz me nënën
në pshtjellak fsheh ditët e urisë
ti je ajo “ani mori nuse”që
në heshtje i pëshpërit dashurisë
e zgjon mallëngjim në skajet e botës
Nexhat Halimi
Ç’po ndodh me zjarrin
Copëza e përgjakur e ballit ndez qiririn
Po sytë Nexhmijeme vjet verbuar
Njerëzit harruar mallet thinjur e fajkoi lart
Me zjarrin ç’po ndodh vaj me të gjeturat
Gjuhës plagët i përlcasin për fyell
Zogu I lashtë vjen mbi ëndërr
Këputur nga mishi im i mërguar
Hiri fluturone prap lind nga hiri
Sepse ti këndon mbi glob mbi shpatë,
Bashkë me trimat qëllon kafshën e zezë
Vetëtima në gemb shndërrohet
Nga kafka ime dhe vet Pagarusha
Gjeli fluturon mbi portën e vjetër
Unazat lëvizin
Zogjtë e zi në varre të reja dasmat mort
Daullet e pikëllimit
Mitit gjaku I rrjedh për veshë
E flakoi lart dhe njerëzit me male në zemër
Ti këndon në një gur Nexhmije vajton
Në një flamur
Mbi ëndërr zogu i lashtë fluturon
Sabri Hamiti
Nexhmije Pagarusha
Jeta nuk është këngë,
A fustan i qëndisur
Mish i gjallë e gjak.
Se kush do një copë bukuri,
Të fsheh huqet e veta…
Edhe qorri, edhe shurdhani.
E gjithkujt po si e kurrkujt:
Madhështitë e drunjta
Pijnë ujë në pusin e ëmbël.
Del në derë me sy të njomë,
Ndihet jehonë e Bareshës,
Raxha nën patkonj të Kalit.
Kënga s’ia çon bishtin kandarit!
Ankthi ngjitet në qiell.
Mish i gjallë e gjak.
(Trungu ilir,Prishtinë,1979)
Qerim Arifi
Plisat faqendritur marshuan
I
Ndalu për një moment. Këtu në këtë mëhallë
Fillon një madhështi. Tingujt rrënqethin barin, në fund
Det
Liqeni drishërin nga puhia e zërit të këngëtares,mbi
Kodra
Blerimi kaplon;mallet dalldisen në magjinë e toneve
Rrafshi i Dukagjinit vallëzoi me grunajet shtatë ditë e
Net
Ku mbaron dashuria fillon dashuria.”Në fillimin tim është fundi im”
Që nga kujtimet për Teutën
Dardanët kënduan,
Përpara portave krushqit hoqën vallen. Fshatrat pritën,
Përcollën pranverën me bilbil në duar-që diti t’ia thotë
Këngës për rrudhat e tyre në ballë. Për shuplaka të lëna
ndër ara.
Dallgë-dallgë valët nga eteri erdhën dhe mbetën në ne
Nga ajo na. Për të filluar diçka duhet të mbarojë.
Nexhmija e ju.
Dhe fshatarët me këngën për punën. Ju këndoni këngën
E tyre
Ata këngët tuaja-Koha mbaron tempuj e ruan tempuj.
Tempujt dhe tingujt tani përjashtojnë
Pamjen e tyre të sfiungosur!
II
“Kohë e tashme dhe kohë e ardhshme,janë ndoshta
prezentë në
kohën e kaluar”…Edhe pse pasur jetës do të mbeten gjurmë
jete. Edhe
pasur pranverës mbetën gjurmët. Kënga jehon
Çdo herë në lugaja…
Bilbili edhe shumë të tjerë këngën ua mësoi
Ata s’e harruan
Të parin e tyre
Anëmbanë, në çdo pore
Jehoi krenaria
Paepur…dëllinjat zgjatën degët e tyre duke
Pritur mirësinë,
Plisat faqendritur marrshuan shesheve, kejeve-
Me vegjëli!
Tëmtarët e fabrikave mësuan këngëtimin
Që në vete mbante magji!
Vaporet në të katër anët shpërndanë vetëm
Muzikë,lumturi…
Baletanet vallëzuan të ngashnjyera
Nëntë vite, pranë
Gurrës me ujë të ftohtë udhëtarët u
Freskuan nëntë herë
Kjo murosi shekujt më parë dhe shekujt
Pasur të palosur-
Liria diku në antikë zbukuroi për një
Orfe të Ri. Andaj përpara Lumit vashat rrijnë dhe janë duke pritur
Gondolat e fateve
Një këngë tënden dhe për ty do ta këndojmë,
Nexhmije.
Sevdije Rexhepi
MBRETËRESHË E KOSOVËS
(Nexhmije Pagarushës)
bashkë me ty
udhëtuam nëpër vite
na freskove zemrat
me këngët e tua mite
ashtu si zbardhin agimet
lindnin meloditë
vargjet merrnin rrugën
puthnin Prishtinën
përqafonin Strugën
me ushtimë tupanësh
dasma fillonte
zëri yt magjik
shpirtërat e fjetur zgjonte
seç ngacmoje
poetin,poeteshën
kur me atë zë të ëmbël
këndoje Bareshën
e madhërishmja jonë
motër e Teutës
mbretëreshë e Kosovës
Sejdi Berisha
NEXHI
Në skenë
Edhe në jetë zë përvëlues
Abetare
Tha njëri nuk di ç’ është kënga
Kërkova bilbilin
Më kaploi kënga deri sa më zuri gjumi
Me ty e Fletën i përqafuar u zgjova
Pranë oxhakut na rrëshket flaka
Rini e plakur
Ra perdja përgjithmonë
A thua Nexhi
Zgjodhe aromën e jetës
(1993)
Melek Raxhepi
Shtojzovallja e Pagarushës
Në gjirin e natyrës virgjëreshë
Enden bilbilat degë më degë
Gjelozojnë zërin kristalor të kanarinës
Mbeten të nemitur në vend
I lumtur bariu për bareshën
Jehun e zërit bjeshkëve kur dëgjon
E shtojzovalla e Pagarushës
Plot ëmbëlsi e dashuri këndon
Artin e këndimit përjetëson
Gëzueshëm shpërthejnë notat e melodisë
Anekënd trojeve shqiptare
Rrëmbejnë zemrat e njerëzisë
U shkrihet shpirti nga zëmjalta
Shpërndahet në fytyrë buzëqeshja
Ankthi e pikëllimi nuk kanë më vend.
Comments