Transformimi i vendlindjes në një terren fiksioni,në një univers letrar.
Tregimet e Nezhës, evokojnë në mënyrë korrekte mjedisin e vendlindjes ,peisazhet e larmishme reale ,prej nga ku fillojnë të gjitha motivet,zhvillohen historitë,ndërtohen personazhet ,zbërthehen sekretet e jetës së tyre.
Edhe në romanin ‘’Tri Tavernat’’ ashtu si në dy veprat e tjera,vendlindja e tij bëhet një personazh që frymon, që lëviz dhe autori Nezha mbledh fragmente jete, copëza kujtimesh,këngë e legjenda dhe i përzien në një amalgamë faqesh libri.Nuk shkon autori nëpër këto vende sa reale aq edhe imagjinare ,por personazhet e çojnë atje ku duhet,në rrugën Egnatia,buzë brigjeve të Shkumbinit, tek Bregu i Hijes,zabelet me dëllinja .Është libri i tretë i autorit dhe ende na mrekullon me këtë vend,sa i vërtetë aq dhe imagjinar.
Si mjeshtër i sjelljeve të motiveve popullore,legjendave e gojëdhënave ,duke sjellë dritëhijet e subkoshiencës njerëzore në vepër, ‘’Tri Tavernat’’ është një gërshetim i fantazisë e komplotit dhe artificit të realizmit magjik me një histori që ofron një vizion të mbledhur nga aktualiteti i asaj kohe.[Demiri rrëfen çka i ka treguar gjyshja,për të vdekurin që i binte katundit kryq e tërthor.]
Nga erdhi kjo histori,çfarë lloj kërkimi është bërë nga autori.
Si një prozator që në dy veprat e para ka lëvruar me sukses realizmin magjik me ‘’Tri Tavernat’’ Nezha dëshmon se fantastikja e gërshetuar me realizmin mund të përcjellë mesazhe edhe pse në mënyrë groteske ,duke sjellë realitetin shqiptar të periudhës totalitare.
Në roman Nezha sjell shumë gojëdhëna e rrëfenja ,narrativa e tyre ka nga një autor .Në fillim autori të orienton se kjo gëjëdhanë është dëgjuar nga ky person , ose edhe në këtë vend ,ku koha jepet konvencionalisht nga vetë rrëfyesi ose autori.Të gjitha teknikat që përdor Nezha në konstruksionine romanit, janë risi të postmodernitetit në letërsinë shqipe.për të shprehur simbolikisht hyrjen e shoqërisë dhe të njeriut shqiptar në një epokë të re, ashtu si dhe Mitrush Kuteli me rrëfimet dhe përrallat .[prof.Blerina Suta.]
Lexuesi e lexon romanin ‘’Tri Tavernat’’ nga tre këndvështrime
-Këndvështrimi strukturor
-Këndvështrimi teknik.
-këndvështrimi semantik .
Gjatë leximit lexuesi përballet me shumë pyetje .Kush është narratori në roman.
Në ‘’Tri Tavernat’’ narratori është i gjithëdijshëm ,ose ndryshe narratori me fokus zero.
.
Si formohet dhe kush është mardhënia historike e letërsisë së kaluar me atë të tashme .
Çfarë do të thotë kjo marrëdhënie për praktikat tona të leximit .
Karakteret në roman janë krijuar me kujdes në thelb,ku secili prej tyre ka karakteristikat e dallimet e tij dhe vëmendje më tepër i është dhënë fijeve ndërlidhëse mes tyre dhe instancave që ata përfaqësojnë.
Në ‘’Tri Tavernat ‘’Nezha nuk ndërton personazhe sipas skemës së letërsisë së realizmit socialist,ai transkripton zërat e njerëzve të asaj periudhe ,të cilët flasin, komunikojnë ,përplasen me pafytyrësinë e instancave shtetërore por më tepër pësojnë zvetënim shpirtëror.Kjo ishte fatale për njeriun e asaj kohe ,i cili kthehet në një fantazëm sa herë kthehej nga honet e vetvetes.
-Duhet të kesh jetuar nën diktaturën komunniste të kesh provuar e shijuar luftën e klasave,të kesh dijeni për dënimet me gjygje e pa gjygje,për shfarosjen e familjeve të tëra për shkak të dënimit të një njeriu.
-Shkrimtarët dhe poetët shqiptarë dhe të huaj nuk kanë qenë plotësisht të lirë ,megjithatë nga sipërfaqja e tokës ata zbritën në thellësi,Floberi me ‘’Salambonë’’, Malcolm Loëry me ‘’Nën vullkan’’,Kafka me ‘’ Procesi’’,Kadare me ‘’Piramida’’ ‘’......
Mençuria pa tru,për të dhunuar varret,vetvetiu shndërrohet në lajmotiv qëndror të ngjarjeve ..Behar Gjoka .Panorama ‘’Tri Tavernat’’ ndërkohësia e një romani postmodern.‘’
Në historinë e romanit në fjalë ka të papritura,çka do ti quaja ndryshime pse jo dhe lëvizje ,zhvillime të karaktereve,në kundërshtim me kritikën e Tabaku/Oseku në Gjeli .Info-kritikë pa frikë.Kritika gabon kur ngre pyetjen, se a duhej të ishin të gjitha gratë e vajzat e romanit viktima.
Po a janë vajzat dhe gratë në Tri tavernat të gjitha viktima .
Po a duhej Nezha të ngrinte himne për vajzat dhe gratë e asaj periudhe.Emancipimi nuk e çliroi gruan shkruan Emine Sadiku.
Irena kërkon të lidhet me Kleanthin ,por përballet me ndarjen.Ajo nuk ndoqi Kleanthin as nuk iu lut ta merte në Tiranë,vendos të qëndrojë mësuese në fshat.Kjo ishte zgjidhja brenda asaj shoqërie të asaj kohe, atij sistemi.A nuk do të ishte viktimë po të vraponte pas Kleanthit e të priste të futej me mik në Institutin e Arkeologjisë.
Çdo karakter është një mister ,çka e rrit kurreshtjen e lexuesit.
Arkeolog Kleanthi dëshiron të realizojë dy qëllimet e tij,të bëhet pedagog dhe të sjellë Irenën në Tiranë përmes njohjes e miqësisë ,punonjëse në Institutin e arkeologjisë .Irena, për mendimin tim, nuk është statike,as viktimë,përkundrazi është transkriptimi i zërit të atyre vajzave të asaj kohe që pranuan të përballen me vështirësitë e të qenit mësuese në fshat.Të gjithë në fshat dinin që Irena ishte e dashura e arkeologut,Kleanthit.Ajo e ‘’hëngri’’ turpin me bukë,nuk u largua nga sytë -këmbët nga fshati për mos t’u përfolur .Ajo vendosi të punojë mësuese duke u përballur me mentalitetin e njerzve të atij fshati.Në të kundërtën do të ikte një orë e më parë për mos u bërë objekt bisede në atë vend të vogël.Të dashuruarit e asaj kohe nuk induktoheshin përmes thyerjes së zemrës , sesa përmes një prirjeje për të ardhur keq ndaj intensitetit emocional , se çfarë dhe si do ta gjykojnë bota.
Digresioni është një strategji taktike për të dhënë një shtesë tjetër kohe brenda personazhit dhe veprës,është një ikje e vazhdueshme për t’i shpëtuar vdekjes.[P.Loli Drama e shprehjes].fq155.
Misteri se si rrodhi fati i Irenës e rrit kurreshtjen e lexuesit ,e ngërthen lexuesin mes rreshtave e faqeve të librit për të mësuar rreth jetës së saj .Për më tepër autori jo çdo gjë ua servis lexuesve ,por zgjeron kufijtë e fantazisë së lexuesve deri në fjalinë mbyllëse të romanit.
Kristina ,ekonomistja që kërkonte ndarjen , në fund, në seancën e gjyqit dëshiron bashkimin me Demirin, burrin e saj ,edhe pse ai u dënua me burgim.Ky fakt është një zhvillim për karakterin e Kristinës ,sepse ajo bëri një zgjidhje të vështirë, në kundërshtim me praktikat e asaj kohe,ajo vendosi ta presë të dalë nga burgu në një kohë kur jo vetëm shoqëria por sistemi i asaj kohe fajsonte, njolloste dhe bënte të vuanin dënimin dhe familjarët e armiqve të vendit e të partisë.Të vendosje të prisje të dilte bashkoshorti nga burgu i dënuar si armik nuk ishte e lehtë.[ishte si të lundroje mbi valë errësire në atë kohë.kritikë pa frikë ]
Të ndërtosh personazhe të asaj periudhe do të thotë të ndërtosh një botë reale të madhe, brenda të cilës lundrojnë botë të tjera që ende frymojnë.Qëllimi i çdo autori është që lexuesi të përjetojë,të shohë, të nuhasë,të ndjejë periudhën për të cilën shkruan.
Qëllimisht autori ka sjellë personazhin e Myrtezait ,partiakun e fshatit ,të njëjtë deri në fund ,për të treguar zvetnimin shpirtëror të njerzve .
...
Kadare me veprën e tij ka krijuar një reputacion të madh në shkrimtarët bashkëkohorë ,brenda dhe jashtë vendit edhe pse rregulli është pas një shekulli vlerësohet qëndrueshmëria e ndikimit të veprës së autorit .Vepra e tij bën përjashtim nga ky kanun dhe tashmë ai zotëron prestigjin ,rezonancën për të qenë i përfshirë në kurset universitare dhe përkujtim i vazhdueshën në diskursin e letërsisë. Në ‘Tri Tavernat’ duket ndikimi i veprës së Kadaresë, por ‘’Tri Tavernat’’ ka një ndryshim si në shtjellim ashtu dhe në ndërtimin .Tematika është e njëjtë.Në ‘’Pallati i ëndrrave’’ , Kadare ngre institucionin nga ku kontrollon çdo gjë, mbi dhe e nën dhe ,ku mijra nëpunës punojnë kokulur për të zgjidhur ëndrrën, enigmën e rrezikut që i kanosej Perandorisë.
Nezha në ‘’Tri tavernat’’ hap, gërmon e zhvarros varret për të treguar degradimin, vjedhjet,abuzimet që bëhen në shtetin totalitar.Ai gërmon thellë në kohë e hapësirë për të ngritur pyetjen se më mirë të jesh brenda atyre varreve i përqafuar me florinjtë , trofetë e luftës , apo jashtë varreve ,në ferrin e vërtetë ku mbizotëron frika dhe tmerri ,dënimi i pabazuar në ligj,frustrimi psikologjik.
Objekti i tematizuar është varri.
Koncepti i varrit ,imazhi i tij sugjeron konotacione polivalente,funksione , kuptime dhe simbolikë.Bëhet fjalë për varre të vjetër sa jeta, aludohet për perandori dhe qytetërime të cilat kanë varrosur jo vetëm trofetë e luftës por edhe njerzit bashkë me trofetë.
Mbi varre dhe çka gjendet brenda tyre Nezha eksploron konfliktet njerëzore,konfliktet shpirtërore,duke nxitur refleksione mbi kushtet,mënyrrën e ekzistencës së epokave njerëzore.
Duke sjellë mënyra të reja vështrimi të ngjarjeve e pritshmërie të lexuesve të sotëm e të ardhshëm për zgjedhjet që bëjnë personazhet në roman,Nezha i jep mundësinë lexuesit të zgjerojë kufijtë e fantazisë, në kahun e kundërt me metodën e realiznit socialist , ku çdo ngjarje apo fakt imponohej e bëhej i padiskutueshëm.
Raporti me mitin e vdekjes dhe varrosjen është një motiv që haset në prozën e Nezhës ,një kod tashmë në letërsi , ku zbërthehen mesazhet dhe memorizohen shumë tregues kohorë, luftra, sisteme të ndryshme, një regjistër me gojëdhëna të pashkruara dhe të shkruara,me mite,këngë rite e zakone të lashta aq sa nuk mbahen mend , të lashta sa vetë jeta. Me fjalën varre të përmendur shumë herë në roman bëhen lidhjet mes ngjarjeve, konfliktet mes njerzve dhe përfaqësuesve të rendit si dhe konfliktet shpirtërore të personazheve.
‘‘Bim Faku më tha se i kujtohej një gojëdhënë e gjyshit që e kishte treguar shpesh se këtej njëherë e një kohë paska kaluar një ushtri e madhe ...karvanë me florinj,plaçkë lufte ,por që e paska vrarë murtaja. Dhe ushtarët i paskan hedhur vetë në gropë shokët e tyre me gjithë plaçkën e trupit, kur kanë qenë ende në kllapi nga frika se mos sëmundja përhapej ‘’ Tri Tavernat .fq 9
‘’.....ata që gërmonin ,kishin rënë në thesarin e mbretëreshës Teutë,që pati marrë arratinë kur kishte humbur luftën kundër romakëve,....aq të ngarkuara kishin qenë kafshët me flori,sa kuajtnuk kishin rezistuar dot më, por qenë shembur nga lodhja dhe ushtarët e saj i patën varrosurtë ngarkuar me gjithë sëndukë për ti fshehur ,ngaqë nuk i merrnin dot me vet’‘Tri Tavernat .fq 23
‘’....Kleanth Trushi po mendonte se edhe ndikimi i Skënderbeut në këto anë duhej të qe i madh ,sepse ushtritë e mëdha osmane kishin ardhur rrugës së vjetër,ndaj varret mund të qenë edhe të ndonjë beteje të vogël të Skënderbeut që mund të kishte ndodhur’’Tri Tavernat .fq 27
‘’...kolegët turq i lidhnin varret me ushtritë turke që u përplasën me sopotarët e Gjergj Aranit Komnenit ..‘’fq 27
-Të gjitha këto fragmente të shkëputura nga romani Tri Taverna edhe pse në formën e gojëdhënave tregojnë se të gjitha epokat, sistemet ,perandoritë kanë pasur ferrin e tyre.
-Edhe pse vinë nga tregues kohorë e hapësinorë të pa përcaktuar ,nga historia e largët, këto gojëdhëna historike nuk ia humbin aspak vlerat romanit, përkundrazi rikthimi i tyre , në formën e kujtesës ,janë dizajne letrare ,që e pasurojnë gjuhën poetike .
Me ‘’Tri Tavernat ‘’ kemi atë lloj proze të letërsisë ku sinkrotizohen e ndërthuren gojëdhënat,motivet e trillit, pra imagjinata e realizmit magjik me imagjinatën e realizmit.
Ashtu si Kuteli ,Nezha sjell risi në kulturën e letërsisë shqiptare përmes risjelljes së rrëfimeve , gojëdhënave popullore.Është gjetje e spikatur e Nezhës paralelizimi i epokave, me anë të groteskut duke shkuar deri në gjenezën e rrëfimeve .Imagjinata e autorit sfidon ngjarjet reale,përmes rrëfimeve të personifikuara , apo edhe të hiperbolizuara.
Çfarë është ajo që e dallon gjuhën poetike në një vepër nga gjuha jo poetike.
Sipas Aristotelit është mënyra e të rrëfyerit ajo që e dallon dhe kjo mënyrë rrëfimi duhet të jetë mimetike, [imitim në relacionin art- realitet] .
Rrëfimi në ‘’Tri Tvernat’’ është mimetik,sepse Nezha nuk përshkruan ngjarje por ashtu sipas Aristotelit tek ‘’Poetika’’ rrëfen atë që do të mund të ndodhte.
Gjuha që përdor Nezha në romanin ‘’Tri Tavernat ‘’është gjuhë poetike sepse nuk merr përgjegjësi për një rrëfim të saktë të ngjarjeve në realitet,as nuk sjell dëshmi për të na bindur .
Romani ‘’Tri Tavernat’’ hap rrugën ,horizonte të reja qasjesh të stilit Kadarean tek prozatorët e ardhshëm nga ana strukturore, ashtu dhe në lëvizjen e poetikës së brendshme.Në roman ka hapësira boshe, të mëdhaja kohore,por ato janë teknika që përdor autori për të rritur kërshërinë e lexuesit.
Nezha ka bërë ndërthurjen midis tragjikes dhe groteskut duke shkruar në një terren të hapur ,të shkelur nga autorë të tjerë dhe u jep lirinë personazheve të bëjnë zgjedhjet e tyre.[Autorët në periudhën e tranzicionit kanë lirinë e fjalës ]
Tek ‘’Tri tavernat’’ janë dhënë të kuptueshme limitet hapësirë – kohë, [ vendlindja-periudha para dhe pas rrëzimit të sistemit.]Në ‘’Pallati i ëndrrave’’ Kadare nuk kemi limite të qarta , të drejtpërdrejta të kohës dhe hapësirës.
Çdo lexues e lexon romanin sipas mënyrës shijeve të veta ,duke i dhënë dimesione të reja qasjes interpretuese të tekstit letrar me psikikën e tij.Frojdi e sheh artistin si një ndërmjetës psikologjik midis ëndërrimtarit dhe nerotikut.Pas një leximi të kujdesshëm lexuesi priret të kujdeset të vëzhgojë dhe analizojë fjalët, dialogët .Kjo ndihmon për t’u thelluar në motivet që e çojnë krijuesin e romanit.
Nga një qasje psikoanalitike romani ka një strukturë metaforike dhe rrëfen atë që autori do të thotë me vetëdije .Po fjalët kanë dhe dimesione simbolike .Psikanaliza na vjen në ndihmë me lexueshmërinë e fjalëve sepse fasada e tekstit është me mjegull të hollë, pluhur dheu, rrjeta të padukshme, e maska fytyrash.Teksti letrar është modeli i një sipërfaqeje dhe thellësie që i referohet imazhit të një sipërfaqeje që fsheh diçka tjetër.Varret në ‘’Tri Tavernat’’ janë imazhe që mes tyre autori ka fshehur diçka tjetër për të thënë, pavetëdijen kolektive dhe jo vetëm,pavetëdijen e individit. Këtu qëndron fantazia e autorit i cili kthehet në arkitekt , mënyra se si e ndërton veprën.
-Aristoteli Praktika e mimesisit.Mbi artin poetik.334-330 para epokës sonë
- Lewis,P.2000.ModernismNacionalism and the novel.Cambridge University Press
Teuta SADIKU
Commentaires