Terren i pashkelur
Astrit Lulushi
Në këtë botë nuk ka asgjë të re; asnjë pëllëmbë tokë të pashkelur. Paraardhësit kanë kaluar në të gjithë terrenin e shtrirjes së jetës njerëzore, duke e prekur me të gjitha shqisat, majat e larta deri poshtë në lugina. Për të gjitha gjërat ata kanë thënë fjalën e tyre dhe janë kujdesur për ‘to, njësoj si njerëzit e sotëm.
Thuhet se Solomoni i mençur përcaktoi se si, ku, kur dhe sa larg njera tjetrës duhej të mbilleshin pemët për të qenë prodhuese. Priftërinjtë romakë patën vendosur se sa shpesh një fermer mund të shkonte në tokën e fqinjit për të mbledhur frytet që binin nga pemët, për të mos lejuar që ato të prisheshin a shkeleshin. Dhe fermeri largohej paprekur a dëmtuar pjesën që i përkiste fqinjit. Hipokrati madje ka lënë udhëzime se si njeriu duhet t’i presë thonjtë, as më të shkurtër e as më të gjatë, duke caktuar edhe skajet e gishtërinjve.
Të gjitha sa njeriu provon gjatë jetës - hidhërime, gëzime, urrejtje, dashuri, mendime - janë po aq të lashta sa njeriu i parë, dhe përsëriten; këto janë masa me të cilat është matur edhe gjendja e tij që nga kohët më të largta. Por, është aftësia e njeriut që kurrë nuk është matur. Po t’a dinin se si, me siguri të parët tanë do ta kishin matur, dhe ne sot do të dinim gjithashtu ta masnim - - është terreni i vetëm i pashkelur.
Kështu, njeriu nuk duhet gjykuar se çfarë mund të bëjë ose të mos bëjë, sepse kjo nuk është provuar ose nuk dihet. Cilat do qofshin dështimet e tua tani, mos u mërzit, sepse nuk ka njeri që është në gjendje të thotë se ke dështuar në atë që vetëm t’i e di se si dhe sa shumë ke punuar, je munduar me trup, zemër, mendje e papushim.
Comentarios