top of page

Tendenca


Prof Dr Fatmir Terziu


Formula që paraqet një fotografi arkivore ka një mesazh të qartë. Në të ka strukturë të koduar e të dekoduar. Struktura e dhënë para syve është imazhi që preket, shtjellohet, mendohet, hamendësohet. Shtjellimi, mendimi, hamendësimi janë thjesht tendencë. Tendenca në vetvete ka hapësirën e vet për domethënie, depozitim, lëvizje, prirje, rrymë, dominim. Të gjitha këto kanë si pikë kulmore këtë të fundit që përkon me dominimin. Dominimi nga kjo tendencë imazhi është një arsye më shumë për të përcaktuar, qëllimin, mesazhin, arsyen dhe pretekstin pse ky imazh është tashmë në sytë tanë, jo më si një arkivë e zverdhur. Ai është në sytë tanë tashmë, një prirje drejt një karakteristike të veçantë ose një lloj sjelljeje, pra është tendencë. Tendencë, në këtë rast nuk është thjesht një fjalë. Ajo është një qasje filozofike me Horkheimer në Dialektikën e Iluminizmit (1979). Aty është pakuptueshëm njeriu që shfrytëzohet nga njeriu. A nuk janë të tilla fotografitë e pozimet e kastave në kohë të ndryshme bardhë e zi?

I pari i fisit, i zgjedhuri me dhullë, burri me mustaqe në krye të grupit, dikatori, kubeja pranë tyre e deri në ditët tona kur “buzëqeshja” e detyruar i bënë politikanët, apo “të zgjedhurit” të vetëdetyruar të bëjnë rolin e shfrytëzuesit të momentit. Kjo e fundit nuk është e ndryshuar në zbatimin e saj në përshkrimet e spektrit shqiptar, por përdoret për të kategorizuar marrëdhëniet shoqërore të këtij spektri në mjedisin e kastës politike, sa herë që janë bashkë për festa (sidomos fetare) një gjë që u duhet për të riprodhuar arkivën bardhë e zi të traditës dhe për të treguar se qasje të tilla janë moderne, kapitaliste dhe madje populiste.

Formula që zgjon tendenca duket mjaft e thjeshtë. Natyra është përjetuar në përjetimin e buzqëqeshjes së dekoduar. Po aq e fuqishme është edhe pamja e kësaj natyre që “buzëqesh” dhe prapa saj njerëzimi si një faturë e papaguar e fotografisë, si një imazhëri e dobët. Këto janë tabela të programuara në syrin e të thjeshtit, edhe kur kjo imazheri është për produktin e lajmit. Edhe kur është në përpjekje për të fshehur antagonizmin e saj. Në përpjekje për të kthyer vëmendjen dhe për të mbizotëruar natyrën, ky spektër politik tregon mes tendencës, se organizohet si një instrument dominimi. E arrin këtë duke marrë parimin e sundimit në marrëdhëniet e saj të brendshme, dominimin e njeriut te njeriu. Këto marrëdhënie antagoniste manifestohen në një nivel ideologjik në mitologji dhe në art. Dominimi zë rrënjë në psikikën si autoritet i fetishizuar; ai është i ndërtuar në psikologjinë e njeriut që pret një firmë në ndonjë ndërrmarje të lidhur me kastën, që pret premtimin e punësimit, që pret ndihmën sociale, kafshatën e fëmijës, pra është kushtetuta intra-psikike e individit. Në përpjekjet e tij për të çliruar veten nga sundimi i kësaj tendence, njerëzimi përfundon si viktimë e ndjekjes së vetë-mjeshtërisë së tendencës.

Kuptimi i kësaj është shumë i plotë kur sheh afrimin e kërkesës për votën e anëtarit të kushtetutës intra-psikike. Atëherë është e mundur të ëndërrosh një organizim thjesht racional dhe teknik të individit të pastruar nga të gjithë faktorët jo racional. Edhe dëshirat dhe nevojat subjektive i yshten që t’i plotësohen, por vetëm kur asi futen brenda një rendi krejtësisht instrumental (ndarja e miellit, makaronat, premtimet për punë, paratë në këmbim të votës, një zgjidhje të ndonjë halli…etj). Në ekstrem, kërkohet pajtueshmëri nga të gjithë dhe secili individ jepet maksimalisht i varur dhe i nënshtruar. Inteligjenca, aftësia, iniciativa dhe kontrolli largohen nga jeta e lëndës dhe rishfaqen, transmutohen, në operacionet sterile të makinerive të gjera administrative që komandojnë si ditën e punës ashtu edhe natën e lëshuar. Të gjitha këto janë ingranazhet e tendencës, që udhëtojnë nga koha bardhë e zi në njërin sy, e mbaron në shekullin e njëzetë e një me po të njëjtën risi, por me zjarrin e padukshëm, që djeg përditë në të dy sytë. Ndryshe nuk do të kishte mbetur kaq e fuqishme edhe sot ky produkt që u ndez aty nga fillimi i shekullit të 17-të, nga tendenca mesjetare latine, e që buroi nga fjala e po kësaj gjuhe “tender” “për tu shtrirë”, pra për të shtrirë më tej e më shumë dominimin.

36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page