Nga Petrit Malushi
Telefoni
S’qëndrojnë më djemtë mbi trotuar.
Të lëshojnë sinjale me fërshëllimë.
Pas kolonave gjysmëmaskuar,
Në cep pallati, fshehur s’rrinë.
Me laps a stilograf me bojë
Nuk shkruajnë letërza dashurie.
Të tretë më nuk dërgojnë
Tek zemra që në gjumë s’po bie.
Vajzat nuk dalin më te ballkoni
Fshehur pas perdes, të mos shquhen...
Tani, lidhur mban telefoni
Zemrat që pëlqehen, duhen.
Ftesë për ditëlindje, nga shoqja ime.
Shkuan e pas nuk kthehen më vitet,
Por lënë shenja, brenga, kujtime,
Të këputurën ëndërr, që përtëritet.
I hershmi mall bëhet i ri,
Gëzimi noton mbi ngushëllim,
Zjarri i dikurshëm ndizet në gji,
E ftesëdërguesen s’e lë pa urim.
Vështrime – homazh
Në vjeshtë, në dimër, në prill a maj,
Strehëz, sa herë kaloj nuk ka të ngjarë
Të mos ngadalem, lehtëz hapat t’i mbaj
Ku, të dëshiruarat buzë takova herën e parë.
Homazh të dërgoj, tufëza me vështrime,
T’m’i fshehësh cepave, lart nën çati,
Pastaj t’m’i nxjerrësh të shmallen në takime,
Me vështrimet e buzëtakimit të parë tek ti.
Comments