top of page

TELASHET E NOTËS


-tregim-

NGA PANAJOT BOLI

Kur përmenda emrin e një nxënësi mbetës, një kolegu im që më rrinte pranë, më goditi lehtë me bërryl. -Ai është djali i Axhës. Je në terezi? U habita nga mënyra se si reagoi kolegu dhe ia ktheva pa mëdyshje. -E ç’ne që është djali i Axhës ? Më shikoi me keqardhje. – “Ti qofsh” Në zyrën e drejtorit ishte ngrohtë, kurse jashtë ishte freskët. E mora me mend. Xhamat e dritares ishin veshur me një tis të hollë avulli. Ndjeva zagushi dhe pa dashje hapa pak dritaren. Një erë e ftohtë më rrahu fytyrën gjë që më detyroi ta mbyll përseri. Ndjeva siklet. Drejtori më pa shkarazi me një veshtrim mosbesues. -Mirë, mirë, m’u drejtua pa ngritur sytë nga një fletë që kish para - jepi edhe një mundësi tjetër. Ishin takime që zhvillonim zakonisht me kolegët para nxjerrjes së përfundimeve. Ishin momente më stresuese të të gjithë vitit shkollor. Ishim në siklet. Ndersa ne debatonim për nxënës problematik, drejtorit i interesonte një përqindje kalueshmerie sa më e lartë. Ajo e nderonte atë dhe emrin e shkollës. Ndodhte që acaroheshim, debatonim fort, pajtoheshim. Në koridor kolegu vazhdoi të ngulte këmbë - Bëj si gjithë të tjerët. Ç’të duhet ty të mpleksesh me Axhën. Ai të ka në dorë dhe .. - Po ai është nxënësi më i dobët, s’e hap librin fare.. Tjetri më pa me ironi: -E dimë, e dimë, ... Këtu e kalon matematika.. po ti? Më hipi gjaku në kokë. E pashë atë në sy, ngultas. Ai vetëm buzeqeshi me ironi. Edhe kur më ftuan dy kolegë të tjerë për kafe, i refuzova dhe nuk e di pse më pushtoi një mërzi e melankoli. Ndofta ky episod tani në fund, më prishi terezinë. Vërtet e kishim lënë për një kafe dhe ata u çuditën që e ktheva fjalën. Megjithatë hera e parë që nuk ngulën këmbë. Tashmë më kishin mësuar.E dinin që kot do të ngulnin këmbë kur më shikonin të heshtur. Duke bërë rrugën i vetëm mes errësirës që sapo kishte zbritur në rrugët e fshatit, për në dhomën time të vogël, pyeta përsëri veten se mos isha nxituar. Sillja në mendje gjithë nxënesit që ishin nga fundi. Rikujtoja përgjigjet, sytë si më ndiqnin, robat që vishnin, rrugët nga zbrisnin në mëngjes, strukja pas sobës kur ishin të lagur dhe sa futesha iknin për në bankat e tyre paçka se s’ishin tharë akoma. “ S’ ka gjë, mësues, u thamë ” Më dilte para syve Xhevahiri që vinte nga B, Lefta nga P, Guria nga S, Sania nga QS. Po Arifi? Ah, Arifi me trupin e imët...Tutje nga Skenderbeu, thellë në një pyll, tre orë larg nga shkolla. Ndërsa doja të mendoja për Arbrin, që më ulte sytë dinakërisht sa më shikonte, Arifi e shtynte këtë siluetë dhe qëndronte. Ai me atë veshtrim ëndërrues , si të përhumbur, të butë, të përzier me një shkëlqim të lehtë ëmbëlsie. Fjalët e kolegut, heshtja e pashpjegueshme e të tjerëve,vështrimi i vrengër i drejtorit, imazhet e nxënësve të Arbrit, Arifit, Xhevahirit e sa e sa të tjerë më vinin vërdallë në kokë dhe vallëzonin si të çakërdisur duke më sjellë maramendje. Më kot shtrëngoja sytë që të ndalja këtë vallëzim të çmendur. Ata si për inat kërcenim më me terbim. As mbulimi i kokës me batanie nuk dha rezultat. Sikur donin të më torturonin pa mëshirë. Ah,more Arbër...Vendosa ta kontolloj edhe një herë tjetër, ’t’i jipja një mundësi’ akoma siç më këshilloi me nënkuptim drejtori. Asgjë. Dështova. Vendosa me ndërgjegje të pastërt, me sinqeritet, “ngelës për në vjeshtë”.. Kur dorëzova regjistrin e asaj klase, drejtori më pyeti i pakënaqur: -Domëthenë, e le... -Po- thashë duke ngritur supet . -Ç’na hap telashe... edhe mua më prish punë.., - tha i nervozuar duke hedhur regjistrin mbi togun e të tjerave. Hapa derën i druajtur si i zenë me faj. Në korridor më priste Arifi. Donte të merrte një libër në bibliotekë. Arifi ishte një djalë trupvogël. Zërin, rrallë e dëgjoja. Kish një zë të hollë , melodioz, si të zogjve. Si cicërimë...Me libër në dorë m’u afrua. Edhe herë të tjera kur kaloja në korridor më afrohej, donte të më thoshte diçka, pastaj hezitonte dhe drejtohej te klasa e tij. Unë e vëreja dhe ndonjeherë i hidhja dorën në kokë dhe i përkedhelja flokët e shkurtër gështenjë. Atë çast i ndrisnin sytë dhe më shikonte me ngrohtësi, e ëmbëlsi. Ca sy të vegjël, të kaltër, të gjallë - Asgjë mësues, kot... - murmuriste. Tani ecim bashkë për në bibliotekë. Më shikon me bisht të syrit. Jam si i hutuar dhe i hedh dorën në sup Arifit dhe ecim pa folur. Në një moment ndalon, merr guximin dhe si një burrë zakoni më thotë: - U mërzite, mësues? -Jo, Arif- dhe e shtrëngoj pranë vetes me dashuri. I zgjedh librin dhe ai më falënderon. Ndjek nga kati i dytë me sy Arifin. Kur kthej kokën mbi tavolinë disa kokrra arre. Eh, more Arif..Tani ai zbret te ura e lumit Shkumbin. Shtëpia në thellësi të maleve. Jo pak, tre orë larg. Dhe pa munguar asnjë ditë nga shkolla. Dimër e verë. Mes suferinës dhe diellit të nxehtë... Arifi, ky hero i vogël. Po, po hero. “Babi im bën parmenda dhe i shet në kooperativë të marr ditë pune. Kemi edhe dritë elektrike, mësues. Na ndihmuan të dy fshatrat, prenë shtylla, i ngulën , sollën tela nga qyteti dhe unë lexoj me dritë. Ua dimë për nder.” Kështu më thotë Arifi si burrë i vjetër. Sytë e tij të kaltër mbushen me dritë. “Pas shkollës së mesme dua të vazhdoj të lartën” -me thotë me zë të ulët , sikur do të më thotë një sekret. Një sakrificë për dije. Tani, nga dritarja e bibliotekës shoh hijen e Arifit që ka humbur mes kaçubeve të dendura. Ah, more Arif... Shpirti më çahet. Dua të vrapoj , ta arrij, ta përqafoj me tërë dashurinë e shpirtit... Kurse ty, more, Arbër... Sa larg nga Arifi. Asgjë nuk ndryshoi në vjeshtë. Arbri s’e kishte hapur fare librin. U mundova t’i bëj disa lëshime... Përseri një mospërfillje, një vështrim prej kapadaiu. Para syve, tek shikoj Arbrin, më vjen Arifi. Arifi i përfytyruar, figura para syve e Arbrit. Ato ngatërrohen. Nis një garë e çuditshme. Herë Arifi...herë Arbri. Figurat ngatërrohen, ecin me shpejtësi... Pastaj ngeli Arifi me një veshtrim të ngrohtë, njerëzor, me sy të kaltër, me botën e tij të çuditshme. Nuk hezitova. Nënshkrova. Drejtori u nervozua kur pa procesverbalin. M’u lut ta grisja dhe të shkruaja një tjetër. Isha i patundur në vendimin tim. Edhe ditën tjetër nguli këmbë përseri.’T’i japim mundësi edhe nja dy ditë’. Ngula këmbë. Ishte skandaloz ky propozim. Ai eci më tutje duke më paralajmëruar se do të ngrejë një komision tjetër pa praninë time. E pashë ngultas dhe i thashë jo pa ironi -Po humb gjakfthohtësinë shoku drejtor. I nervozuar ai përplasi derën e zyrës. Pastaj erdhën ditë të qeta. Kjo qetësi e çuditshme sikur më ndillte një parandjenjë jo të mirë. Ishte si ajo qetësi para furtunës. Dhe nuk vonoi të vinte. Në zyrën e drejtorit dëgjoja komunikimin se orën e letërsisë në klasën ku ripërsëriste vitin Arbri, do ta lija dhe do të merrja një klasë të tetë ‘’për ta nxjerrë nga prapambetja’ ‘’Partia mendon se ti mund ta nxjerresh atë nga prapambetja. Këtë nuk duhet ta marrësh si dënim , por si vlërësim ‘’ Më erdhi për të qeshur. ’Si ka mundësi, -thashë ,- që nuk kanë një çikë finesë që të më justifikojnë lëvizjen ? Kaq trashë. Ja pra nuk harruan të godasin’’ Megjithatë, e prisja dhe me zor e mbaja gjaftohtësinë. Me një zë që dridhej pak e pyeta: -Po , pse në mes të vitit? -Tani kemi nevojë.-foli prerë drejtori. Nuk e vazhdova debatin, por përbrenda isha i revoltuar. Për momentin vendosa të mos e zbatoja vendimin. Nja dy shokë të mirë kolegë m’u luten të tregohesha i përmbajtur, se ata rast kërkonin. Kishin të drejtë, duhet të tregohesha i duruar. Nuk vonoi dhe një ditë do të ndeshesha me vetë dorën e arkitektit, të madhin ... Behej prezantimi i deputetit të zonës. Drejtori më porositi të lija sallën dhe të kujdesesha për pastrimet dhe mbylljen e shkollës se të gjithë kolegët ishin aty. Kur dola nga salla, u ndesha ballë për ballë me Axhen dhe të medhenjtë e Komitetit të Partisë së rrethit. -Ej, ti, ku vete? - më flet Axha me një mllef të hapur. Ndalova për një çast. E shikova pa folur me njëlloj indiferentizëm i ofenduar me gjuhën që më foli. Ai u mvrenjt më keq - Unë të flas... ktheu prapa! — dhe duke u kthyer nga të medhenjtë e Komitetit shtoi: - Ky është ai mesues që ju fola. Pa le, kritikon edhe në shtyp dhe na hiqet parimor. Është një mësues arrogant dhe mendjemadh. I madhi i Komitetit , serioz, me një ton autoritar dhe serbes - serbes më tha: -Shoku mesues, ji më i sjellshëm. Të kesh respekt për ata që të flasin. - Nuk e di çfarë më tha tjetër se më ishte turbulluar koka. Kontrolloja me zor veten. Por sulmi sapo kishte nisur. Më thirri dora vetë në zyrë që të më kërkonte llogari për përqindje të ulët. Gërmimet për punën time vazhdonin. I vinte inat që disa intelektualë, njerez të artit, bile akoma edhe disa instruktorë më mbështetnin. Bile çuditej se si arrinin ata të më propozonin për vlërësim. Duhej të më jepte një mësim të mirë. Dhe asin e gjeti përfundimisht. Një notë e falsifikuar. Notë e korrigjuar. E pafalshme. Ky mësues duhet të shkarkohet e jo të vlerësohet nga Ministria e Arsimit. Problemin do ta çonte më lart. Bile të merrnin dënim edhe ata që e llastonin. Vendosi ta marrë situatën vetë në dorë. Më thirri në zyrë. Gjithë kënaqësi më komunikoi vërejtjen. -Është vërejtja e dytë (e kish gërmuar dhe kishte në dorë vërejtjen e sekretarit të partisë për mosbindje të urdhërit në kryerjen e një marshimi me klasën e tij) që merr. Unë e kisha mirë që propozova për gjashtë muaj në prodhim.Atje do të vije mend. Por ty, e kupton, e ke nga zemërgjerësia ime . Nxori një regjistër dhe mundohej të shkruante verejtjen. Nuk ia doli mban. Thirri sekretarin e Keshillit dhe i tha : -Qëndisja një verejtje të mirë këtij të vërë mend U rehatua në karrige dhe terë kënaqësi herë shikonte mua, herë sekretarin i cili rrinte si i hutuar. -Hë de, shkruaj ! Ç’ më rri si hu ? Sekretari pasi shkroi ca fjalë në atë regjistër dalëbojë guxoi e i tha: - Po,pasnesër, ky mësues merr nga Ministria e Arsimit., vlerësimin për veprimtari të shquar në.. Nuk arriti të mbaroj sekretari. U ngrit në këmbë dhe fytyra u nxi. -Ky është skandal. Do ta kërkoj lart.. nuk do ta lë të kalojë kështu. O unë... Bëri disa hapa nëpër zyrë si i xhindosur. Pastaj iu kthye sekretarit: - Ti ç’më rri, shkruaj ! ...

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page