"TA GËZONI VOTËN TIME "


 "TA GËZONI VOTËN TIME "

  Tregim nga Kozma Gjergji 


              Pas koncertit-variete, në të cilin loja dhe interpretimi i Bertit u fishkëllyen, ai vërdalliset qytetit me shijen e hidhur të zhgënjimit. I bëhet sikur tani të gjithë e shikojnë me tallje e përçmim. Për dreq, rastësisht, përballet dhe me asesorin e kulturës i shoqëruar nga dy artistë, që bëjnë gjoja se nuk e vënë re. Kjo ia acaron më tepër ndjenjën e dështimit. Që këtë çast vendos të largohet sa më shpejt në një vend tjetër për ta harruar atë e u mbushur me ndjesira të reja pozitive e optimiste. 

             Nuk e bën të gjat. Në rastin më të parë mer avionin e fluturon drejt Karaibeve, atje ku janë të lejuara të gjitha veset. Për dy vite hidhet furishëm në krahët e një jete tejet të çthurur. Frekuenton që nga plazhet nudo, klubet e natës e gjerë bordellot e çdo kategorie. 

            Një ditë kujtohet se po vazhdoi të shpenzojë me atë ritëm do përfundoi si ndonjë barbon. I thotë vetes: "Mjaft më! Boll me kaq! Gjithçka ia vlejti! Tani kam me vete një magazinë të tërë me përshtypje, mbresa, histori… Duhet të rikthehem në atdhe."

            Teksa mendon rikthimin i kalon menjëherë në mendje si dhimbje therëse dështimi me të dy rolet. Qe një goditje. Sa shpresa kishte vënë dhe ja… Çfarë t'iu thoshte miqve të tij dhe ish të dashurës?!… Si t'i përgjigjej nënës, nëse do të jetonte, që vazhdimisht me të drejt e këshillonte: "Në s'do që të vdesësh urije mos u merr vetëm me art… "

             E mbulon mërzia si reja e zezë qiellin e kaltër. E kish harruar prej kaq kohe dhe… Mallkon kujtesën që nuk i fshin përgjithnjë kujtimet e këqija. Mendon të qëndrojë ende në Karaibe, të vizitoi edhe ato vende piktoreske destinuar për turistë, i shoqëruar me femra të kushtueshme. Ky do të jetë dhe kapitulli i fundit i këtij romani aventurash të cilin i pëlqen ta titulloi: "Ditë e net në ekstazë me sirenat e ishujve. "

             Në krahët e tyre ai shijoi e shijon kënaqësira njësoi si të vallëzonte me erën e yjet dhe të lundronte në dete lumturie pa brigje. Por si për ta përmbyllur në mënyrë sa më interesante këtë film, disa nga bukuroshet, tek të cilat Berti është dorëzuar i tëri, e futin në një kurth dinak. Gjatë një prej mbrëmjeve magjike e nxjerrin në pritën e disa grabitësve, miq të tyre, për një dorë të mirë parash. E luajnë mjeshtërisht rolin. Bëjnë gjoja të trëmburën e ankthshme dhe madje janë gati t'iu vihen në dispozicion të çdo lloj dëshire me kushtin e vetëm që të mos shqetësojnë turistin. Mirëpo ata pa shprehur asnjë fjalë e rrëmbejnë rrufeshëm, e futin në makinë, i mbulojnë sytë dhe zhduken në pyllë. 

               Përfundojnë në një vend të fshehtë. Në këmbim të jetës i kërkojnë t'iu dorëzojë bankomatin bashkë me kodin. Dhe pasi të kenë tërhequr gjithë të hollat nga llogaria e tij do t'i rikthejnë lirinë. Ashtu vepruan me të vërtetë. 

               Me t'u çliruar, Berti menjëherë denoncon në polici për gjithçka i kishte ndodhur. Ngjarja bën bujë. Ka shumë keqardhje e solidaritet. Prifti i kishës i ofron një sasi të konsiderueshme lekësh. Ashtu veprojnë dhe Bashkia e dy-tre biznesmenë të të njëjtës origjinë me të. Tashmë me ato të holla përveç biletës së udhëtimit përballon pa kokëçarje dhe jetesën për katër-pesë muaj. 

                I ngushëlluar nga ky solidaritet, por edhe i tronditur nga ç'kish pësuar, artisti niset për në atdhe. Sapo mbërrin në qytetin e të dashurës me fytyrën si vepër arti, vendoset në një prej hoteleve me çmimin më të lirë. I vë detyrë vetes t'i përdor lekët me kursim. 

               Në javën e katërt i vjen dëshira të takohet me dashnoren. E fton në hotel. Në fillim ajo bën sikur nuk i kujtohet (Është faji i tij që e ka harruar), pastaj pranon. Habitet shumë me ndryshimin e statusit të tija të jetesës. Fillon t'i tërhiqet. Nuk i vjen më në takime, madje, s'denjon t'i përgjigjet as në telefon. 

               Djaloshi preket shumë në sedrën mashkullore dhe nuk i gjen karar shpirti derisa të hakmerret. E kërkon sërish e sërish me këmbëngulje, por më kot. Të gjitha lutjet, komplimentet, mesazhet telefonike bien në vesh të shurdhët. Atëhere e kërcënon me vdekje, duke i dërguar disa nga fotografitë e saj kornizuar me shiritin e zi të nekrologjisë. 

               Pas kësaj bukuroshja i paraqitet menjëherë. Berti i ofron gjithë përzemërsinë e dashurinë e dikurshme. Ajo ia refuzon me mospërfillje dhe gjëmon me zemërim:

              -Si guxon?!… Të kam denoncuar… Tani vonë zbulova që prapa maskës tënde prej zotërie qëndron një varfanjak, prapa asaj të gjeniut një amator dështak… Të urrej!… Nëse më shqetëson edhe vetëm njëherë do të të mbyt me duart e dashnorëve… 

                Vajza me fytyrën si vepër arti largohet vrullshëm pa e përshëndetur. Djaloshi ngrinë në këmbë si manekin dhe për momentin e humbet toruan. Pastaj shfryn me inat e frikë: "Ç'kurvickë lapanjoze!… Piçkëshqyera e poshtër!… "

               Ndonse ka kaluar gjithfarë aventura përtej Atlantikut, braktisja arrogante dhe përbuzëse e saj e goditi dhe hidhëroi pa masë. Ecën si i shushatur me ndjesinë e atij që fati i ka dhënë grushtin dërmues. 

               Ndërsa drejtohet për tek bari të marrë veten, papritur gjendet përballë një skene dhune. Një bangladeshas, sapo parkon bensin dhe bën të futet në dyqanin e indianit, mbulohet nga breshëri gurësh që pasohet me shpërthimin e granatës. Sa hap e mbyll sytë thyhen xhama, shkatërrohen dyer e dritare, tre vetura përfshihen nga flakët, kurse të dy emigrantët janë shëmbur përtokë të gjakosur. 

               Berti mëson shpejt se këtë dhunë e bën katër-pesë vendas, që kundërmojnë alkol dhe urrejtje raciste. Ata mbështeten dhe nga plot të tjerë me sharje ulëritëse kundër të huajve e kësaj qeverie-njerkë për qytetarët e vetë. 

               Artisti e miraton atë sjellje të bashkëkombësve, sepse shpreh dhe protestën e brengën e tij për dështimet e mosdhënien nga shteti të ndonjë ndihme apo mundësie tjetër. Po, po, vetëm kështu mund të dëgjojnë ata lart, thotë me vete, dhe duke iu drejtuar qiellit shpërthen: "Kush dreqin do na mbrojë e shpëtojë nga kjo kolere dhe të këqijat e tjera rrënuese?!… "

                Ai vë re se qyteti është në ethet për rinovimin e pushtetit. Flamuj, parrulla, pllakate, banderola hijeshojnë me një atmosferë ngazëllimi fushatën elektorale. I tërheq vëmendjen një nga posterat e ekstremit të djathtë, ku paraqitet emigranti me ngjyrë në veturë, kurse vendalinjtë me biçikleta. Në disa parrulla shkruhet: "Të pastrojmë ajrin nga era e keqe e emigrantëve. ", "Ndal emigracionit të krimit. ", "Të huaj, rikthehuni në xhunglat tuaja. ", "Të ndëshkojmë me votë pushtetarët hajdutë e të shitur…"

               Kjo propagandë raciste e shprehur në mënyrë agresive e trashanike e mrekullon.   Dëshiron të shikojë sa më tepër afishe të tilla, prandaj ndjekë rrugën ku dëndësohet rekuizita elektorale e së djathtës ekstreme, që e nxjerrë tek mitingu në sheshin "Orakulli". Ndalet dhe ndjek gjithë admirim oratorin, që siç duket, është një nga partiakët kryesor. Përmes fjalimit demaskues ai, si të ishte ndonjë boksier i sprovuar, i jep kundërshtarit të majtë grushte dërmuese duke ia thyer dhëmbët dhe bërë fytyrën sa më të shëmtuar. Qëllimisht ia ndryshon edhe emrin, nga Ferdinand në Rosinand, (Rosinand është emri i kalit të Don Kishotit), që bashkë me Sanço Pançot e kthyen vendin në kazan plehrash përdhunuesish e terroristësh të huaj dhe e mbushën me xhami e lloj-lloj djajësh… Këta palaço politikë, vijon më tej me ton revoltonjës e brengosës, po na afrikanizojnë, arabizojnë, islamizojnë… 

                Në këtë linjë vazhdojnë edhe kandidatët e tjerë për deputetë. I entuziazmuar nga tërë ajo brofje vulgare dhe zërat gjaknxehtë denonconjës  artisti iu premton me gjithë zemër: "Ta gëzoni votën time!"

Kozma Gjergji. 

269 views5 comments

Shkrimet e fundit