top of page

Të qethesh me sheleg


Pajtim Xhelo

Sa e trishtë, një shtatëdhjetëvjeçar, ( Nuk e di, më duket është dhe stërgjysh), Harruar ka , që s'është djalosh beqar, Nxitur marrëzisë, ka marrë yrysh.


Te kafja një vajzë pranë nesh u ul, E brishtë si gonxhe, si qershizë prilli, Shtatëdhjetvjeçari sytë na i ngul, E humbi toruan, rob u zu nga trilli.


Pa i qeshi vajza, si mbesa një plaku Dhe e përshëndeti , fare pa të keq, Po gjyshit të etur na i ndizet gjaku, Sytë nga trëndelina dot nuk i heq.


Po mendonte vajza : " Mos e kam në lagje, Apo, kushedi, mos e kam në krushqi?" Se kur shkonte udhës, ulur nëpër pragje, Plakat dhe pleqtë e shihnin me zili.


Edhe shpenguar, për t'i ikur sikletit, Drenusha uli kryet, e përshëndeti, Po pse mbahej plaku? Si dallga e detit, Shpirtin e përplasi, nër shkëmbinj i shkreti.


Pa i thash : " Or bir, mëndja të paska ikur? Pi këtë kafenë dhe merre më shtruar, Te shpirti yt tashmë zjarri është fikur, Nga mosha ty të dridhen , këmbë edhe duar! "


Heshti plak' i gjorë, as sytë s'mi hodhi, Ëndra po digjej në flakët e dëshirës, Rinisë së shkuar lakminë i vodhi, Ashtu si deveja ujin shkretëtirës.


Vetes i bërtita : " Ç'reqin ke me të? Lëre të ziun të qethet me sheleg, Kur shqerka të iki, të mos jetë më, Do shuhet i gjori, si vala në breg.


Nga turpi, dikur, i iku marrëzia, Kur pa dhe mbesën, në moshë të sorkadhes, Pa ndjeu dimrin që përqas pleqëria, Falje i kërkoi asaj, hallemadhes.


Pajtim Xhelo, 18 tetor 2020

61 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Oct 18, 2020

Bukur! Nje mesim i mire per pleqte e handakosur nga mosha dhe nga qejfi. Urime

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page