top of page

Të na rrojë bananja!


Të na rrojë bananja!

Fatmir Terziu


Kjo është një ngjarje që vazhdon të përsëritet. Koha nuk e ka lënë asnjëherë mënjanë, si një e ndodhur, që ndodh, përflitet dhe pas kësaj tjerrjeje të saj mes fjalëve „më the e të thashë“, fap flaket tutje në koshin e harresave. Ashtu, sikurse zakonisht, … ndodh … pa ndodh. Por jo vetëm kaq, kjo ngjarje është një siklet i përditshëm. Disa thonë se ky siklet ka hutuar vetë kohën. Sikleti, që edhe pse na ka ardhur nga turqishtja si një vërdallosje në gjuhën shqipe, duket se është bërë më qosheli mes nesh, se sa në vetë djepin e vet.

„Nuk e besoj këtë?, ikte me hap të shpejtuar dhe pyeste veten Analisti 1, sikur ajo, pra vetja e tij, të ishte një tjetër gjë pos ekzistencës fizike të tij. Ecte dhe disa herë me një përkujdesje të vogël ia hidhte duart flokëve të tij. E këtë e bënte më së shumti, sa herë që ndodhej në semaforë. Herë ia sillte merakvërdallë dorën e majtë, ku me gishtat e saj krihte fijet e mbushura me aromë parfumi, e herë me të djathtën plotësonte atë boshllëk që nuk ia bënte e majta. Kur ndodhte që dy anët e përkëdhelura nga duart e ti, të dyherëngacmoheshin, ai bënte një shkundje të kokës. Kur ndodhte të ndjente se disa fije flokësh nuk ishin trazuar nga e majta dhe e djathta e tij, menjëherë mundohej të gjente pikën ku ajri mund t'i vinte në ndihmë. E kështu në trazim të ajërt ndjente se e gjithë mbulesa e leshtë e kokës ishte prekur, përkëdhelur, madje edhe koha kishte rrjedhën e vet në këtë siklet.

Thuhej se kishte kohë që koha nuk shihej, nuk ndjehej, nuk kuptohej më si një kohë. Të gjithë ishin gati të pranonin, se koha kishte pësuar shkarje. E kush mund ta mendonte, apo të guxonte ta sillte ndërmend më parë këtë, përveç Analistit 2?

„Shkarja e kohës ka ndodhur. Dje i përkiste një kuptimi tjetër, që lidhej me arsye të lidhura natyrshëm me veprimin e një objekti, sendi, vendi, apo diçkaje tjetër që i përgjigjej veprimit shket…, por sot ajo ka marrë kohën tëposhtë në rrëpirë“, ishte prononcimi i tij i fundit në një nga ekranet televizive.

E që atë ditë disa thonë se folja „shket“ ka një rrjedhë të hershme në kuptimin e vet, por Analisti 1, ende mendon se ajo u ringjall kur njeriu i asaj ane rrëshkiti për herë të parë nga lëkura e bananes, të cilën e hëngri vet dhe e hodhi aty ku nuk duhej të hidhej e më pas shau me të madhe, pa e ditur se e vuri vet aty ku pikërisht ku këmba rrëshket.

Por Analisti 1 dhe Analisti 2 kanë një rrugë të përbashkët, kanë dhe një kohë specifike ku takohen. Ata duhet të zgjidhin sonte këtë siklet me kohën. Është një temë e rrëndësishme, nga më të rrëndësishmet në morinë e problemeve të kohës, pasi nëse nuk sqarohet sonte prej dy figurave të njohura të ekranit, vetë koha do të jetë e pakohë. Kanë disa minuta që janë nisur. E dinë se koha është flori dhe ndaj i llogarisin të dy njësoj minutat. Madje edhe hapin e kanë të njëjtë. Edhe të turrmen, edhe të ulmen, edhe…, shumë gjëra të tjera i kanë njësoj, pos rrëmujës së përnatshme, të cilën e kanë gjithnjë një formë më vete. E kjo i dallon.

Por, sonte koha vërtet kishte rrëshkitur. Analisti 1 ishte vonuar dhjetë minuta më shumë se Analisti 2. Pa mbërritur në vend, Analisti 1, e mori vesh se Analisti 2 ishte mërzitur duke pritur nga mesazhi në celularin e tij. Dhe kështu për të qenë korrekt me teleshikuesit, drejtuesi i emisionit i kishte dhënë fjalën menjëherë Analistit 2, i cili kishte mundësinë e tij më të mirë të sqaronte pse koha kishte shkitur. Analisti 2, kësaj here, duke ndjerë se nuk kishte përballë tij, Analistin 1, menjëherë filloi të sqarojë: „koha është ajo që e duam shumë, por koha është ajo që shket si lumë. Kur të vijë Analisti 1 do të shpjegojë më shumë“.

Analisti 1 e ndiqte nga aplikacioni në celularin e tij, por vetëm aq. Më pas …, eh më pas e pa veten me kokën përballë dritave të reanimacionit. Kur doli nga spitali u takuan sërrish në rrugë e sipër…

Analisti 1: „Urime për emisionin. Por, kohën nuk e sqaruat si kohë që rrëshket, por e përdore për të mbushur kohën e vet. Kur rrëshkite nga bananja unë të prita tridhjetë minuta. Ti sot nuk prite as …“.

Analisti 2: „Ty të ka ngecur koha tek bananja. Unë rrëshkita njëherë dhe kjo dihet tashmë, se po të mos kisha rrëshkitur unë nuk do të ishte dhe ky emision.“

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page