(Vështrim kritik mbi librin me poezi të Nue Oroshit “Përshëndetma tokën” Lumbardhi, Prizren, 2023)
Libri poetik i zotit Nue Oroshi “Përshëndetma tokën” është një prurje e re në letërsinë shqipe si në trojet shqiptare ashtu dhe në poezinë e diasporës, apo autorve emigrantë. Ky përcaktim nuk ka qëllim të lavdojë e të japë superlativa si bëhen zakonisht nëpër analizat e librave poetikë apo në prozë.
Zotin Nue Oroshi me të cilin bashkëpunoj në fusha të studimeve për Shqipërinë etnike e njoh si një autor të studimeve historike dhe publicistike, si një organizator i përkushtuar i aktiviteteve përvitore të vazhdueshme shkencore në kuadrin e shoqatës “Trojet e Arbërit’, kryetar i së cilës është vetë Z. Nue. I lindur në vitin 1970 në fshatin Capare të Prizrenit ai e mbaroi arsimin e mesëm në Prizren e atë të lartin në Prishtinë në fakultetin e historisë në 1995. Më pas përfundoi edhe studimet pasuniversitare për Mesjetën.
Tani që kam në duar këtë vëllim poetik, e ndjej se duhet të shprehem për artin poetik të Nues.
Rrallë herë jam ndeshur me këtë lloj stili poetik. Ka qenë një lloj ngjashmërie me poezinë e të ndjerit poet kosovar me origjinë nga Prizreni, Adem Zaplluzha por thjeshtë një ngjashmëri.
Poezia e Nue Oroshit është thirrje për të mbijetuar kohën e sidomos në befasinë e heshtjes. Për poetin Oroshi kjo nuk do të thotë se duhet ta pranosh kohën që kalon në heshtje por duhet filluar një lëvizje e fortë e cila nuk duhet të jetë hermetike, e mbyllur por krejt e hapur dhe stoike për t’i rezistuar “heshtjeve”. Pikërisht ky poet është shprehur se “buzë një gremine gjithmonë paraqitet një dritë e cila e ndalon terrin që të mos bjen në heshtjen e kohës satanike.”
Kësisoj Nue Oroshi më vjen si një poet i kahershëm i trojeve shqiptare sic shprehet vetë në poezinë “ Ndjenjat e shpirtit”. Arti poetik i tij është plot figura origjinale ku abstraktja merr forma të konkretes dhe jo vetëm forma por dhe përmbajtje. “Nuk të lemë pa mbishkrim/ koha jonë e dashur…” shkruan në poezinë “Mbishkrimet” apo vargjet lapidare në sensin figurative si në poezinë “Ekzistenca e kuptimit”:
“Koha po kalon me një të rame,
Dhe kufijtë qëndrojnë si murana
Aty ku kuajt e vorreve flenë duke përtypur
Shkumën e vetevetes pa prekur lartësitë.”
Me të drejtë studjuesja Helena Halilaj në esenë e saj për këtë vëllim poetik të Nue Oroshit shkruan:
“ Ky vëllim poetik të lëmon ndjesitë më të thella njerëzore për t’i bërë më të shndritshme, për të celur udhë të reja te vlera e dashurisë, tokës, mendjes dhe vyrtutit.”
Nue Oroshi në këtë vëllim shprehet si romantik i kohëve tona, duke qenë intelektuali që mat kohën që e jeton si sahat me gurë smeraldi dhe si i tillë skanon metafora të realitetit duke e cuar lart në obelisk shqiptarizmin me natyrën shqiptare që e tingëllon në të gjitha format e peisazhet e saj dhe ku…lisi është heroi universal. Ai, poeti duke përshëndetur tokën i lutet të madhit Zot për bashkim të trojeve shqiptare. Poezia e Nues është poezi e rrafshët në formë por me relief të ndryshueshëm në stil poetic. Ai nuk është rob i strofës si formë, i rimës si ndihmëse, por poezia e tij lulëzon përmes mendimit inteligjent dhe ku filozofia e jetës ndërton godina të reja nga poezia në poezi.
E mbi të gjitha celësi i zgjidhjeve të vështira për problemet që shqiptarët përjetojnë ashtu të ndarë, ështe vetdija që aq bukue e përshkruan Carl Gustav Jung:
“Ligjet në të pavetëdijen. Arketipi është formuar nga përsëritje e vazhdueshme e situatave të njejta. Ai (arketipi) jeton si një skenë formale . Si një skelet i zbrazët, në raport me ndërgjegjen, e cila e mbush me materialin e përvojës. Arketipi është aftësia e paraformimit. Mundësia apriori për të formuar paragjykimet. Pavetëdija është kolektive.”
Është pikërisht kategoria filozofike e pavetëdijes kolektive që e mobilizon poetin nue që kohën dhe edjen e saj ta kthejë në cështje, problem, shqetësim, pikëpyteje që duhen të zgjidhen në një hapësirë jo vetëm kohore por dhe di troje të Arbërit.Dhe gjithcka drejtohet nga rrymat e shpirtit i cili ka “peisazhet e tij” ku poeti fut botën zakonore shqiptare jo bvetëm të vendlindjes, prizrenit por mbarë trojeve shqiptare.
Duke përfunduar këtë analizë modeste kujtoj se Nue Oroshi nuk harron njerëzit e shquar të kohëve që kaluan; kështu si shembull, kur i këndon Krujës i këndon dhe Mustafa Krujës.
Dhe poeti shkruan:
“Për ditën e bardhë,
Koha tash ka ardhë.”
Durrës
Prag Krishtlindjesh
2023
Comments